𝗝𝗲𝗺𝗶 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝘁𝗿𝗲̈𝗻𝗴𝘂𝗲𝗺 𝘁’𝘂 𝘁𝗵𝗼𝗺𝗶 𝗦𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝘃𝗲, 𝗸𝘂𝘀𝗵𝗱𝗼 𝗾𝗼𝗳𝘀𝗵𝗶𝗻 𝗲 𝗰̧𝗳𝗮𝗿𝗱𝗼 𝗽𝗮𝗿𝗶𝗺𝗲𝘀𝗵 𝘁’𝘂𝘀𝗵𝗾𝗲𝗷𝗻𝗲̈, 𝘀𝗲 𝗮𝘀𝗻𝗷𝗶 𝗽𝗿𝗲𝗷 𝘁𝘆𝗻𝗲 𝘀’𝗸𝗮 𝗱𝗮𝗹𝘂𝗻 𝗳𝗶𝘁𝘂𝗲𝘀 – 𝘀𝗶 𝗦𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿 – 𝗻𝗴𝗮 𝗹𝘂𝗳𝘁𝗮 𝗲 𝗱𝘆𝘁𝗲̈ 𝗯𝗼𝘁𝗻𝗼𝗿𝗲, 𝗽𝗮𝘀𝗼𝗷𝗮𝘁 𝗲 𝘀𝗲̈ 𝗰𝗶𝗹𝗲̈𝘀 𝗿𝗿𝗲𝗻𝘂𝗲𝗻 𝗽𝘂𝗻𝗲̈𝗻 𝗲 𝗽𝗮𝘁𝗿𝗷𝗼𝘁𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝗥𝗶𝗹𝗶𝗻𝗱𝗷𝗲𝘀. 𝗝𝗲𝗺𝗶 𝘁𝗲̈ 𝗴𝗷𝗶𝘁𝗵𝗲̈ 𝘁𝗲̈ 𝗺𝘂𝗻𝗱𝘂𝗻. 𝗞𝘂𝘀𝗵𝗱𝗼 𝗾𝗶 𝗺𝗲𝗻𝗱𝗼𝗻 𝗻𝗱𝗿𝘆𝘀𝗵𝗲𝗷, 𝗴𝗲̈𝗻𝗷𝗲𝗻 𝘃𝗲𝘁𝗲𝗻. 𝗧𝗲̈ 𝗺𝘂𝗻𝗱𝘂𝗻, 𝗷𝗼 𝘁𝗲̈ 𝗿𝗿𝗼𝗽𝗼𝘀𝘂𝗻.
Jemi rritun ndër shkolla t’Europës me parime të nji nacjonalizmi përtrîs, i cili, për né – popull i vogël e porsa i zgjuem nga nji letargji shekujsh. – nuk mund të kishte tjetër veshtrim veçse atê të nji mprojeje të drejtave t’ona kombtare. Mirë po, u çuen e na thanë se jemi të mbrapambetun e prapanikë sepse rythmi i stuhíshem i rrjedhjes së ngjarjeve, i kish kapërcye ato parime dhe i kish zevendsue me do tjera të cilat po na synojshin, kinse, themelimin e nji bashkëjetese së harmonishme ndërkombtare.
Ká gjasend mâ të bukur se vëllazními i popujve të botës? Na i miratuem me dalldí parimet e reja. Edhe pám, ofshé, fuqína e shtete, të mëdhaja e të vogla (ato i zâftë afsha e jonë!) tue e shtrîmun hijen e flamujve të vet në dhéna të hueja, ku të parët e tyne as nuk mbollen as nuk korren. Né Shqiptarve, n’emën të parimeve mâ të bukura qi ledhatojnë veshët e njeriut, na fiken votrat e na rrembyen Atdhén e lirín dhe ato pak të mira teprue nga nji zgjedhë shekullore së cilës mjerimet e sotshëme janë tue i a prarue kujtimin.
𝘊𝘰𝘯𝘴𝘤𝘪̀𝘦𝘯𝘤𝘦 𝘩𝘪𝘴𝘵𝘰𝘳𝘪́𝘲𝘶𝘦… Tashtì e kuptuem si ecë cicmici në shekull, si n’atê t’ashtuquejtun botë të qytetnueme si edhe në tjetrën: lum i forti e mjer’ i ligu! Kush e mposhtë kundershtarin, fiton daván: del faqebardhë, cilatdo qi të jenë qénë qellimet e përleshjes dhe mjetet e përdoruna për të dalun ngadhënjyes. Forca e fitorja i japin të drejtë mundësít m’u paraqitë fisnik e zêmërbardhë, mende-ndritun e largpáms, i drejtë e i ndershëm e, për mâ tepër, me shkrue edhe historín tue pleqnue mbi rrjedhim të ngjarjeve si i a don trilli e i a lypë dobíja vetíake. Lavdí, pra, fituesavet! Por…
Jemi të shtrënguem t’u thomi Shqiptarve, kushdo qofshin e çfardo parimesh t’ushqejnë, se asnji prej tyne s’ka dalun fitues – si Shqiptar – nga lufta e dytë botnore, pasojat e së cilës rrenuen punën e patrjotave të Rilindjes. Jemi të gjithë të mundun. Kushdo qi mendon ndryshej, gënjen veten. Të mundun, jo të rroposun.
I mësuem me anmiqsí të fatit e me padrejtësí të zotnuesave të botës, Shqiptari nuk ligshtohet por vazhdon të përpiqet me kerkue hisen e lumnís qi i përket, në truell trashigue prej stërgjyshave dhe në lirí qi pagoi dhetëfísh me pësime të gjithënduerta e derdhje gjaku.
Për t’i dalun në skâj qellimit na duhet, veçse, të shkundim nga vetí at peshë ndiesísh negative, qi janë individualizmi i tepruem për mos me thânë egoçentrizmi, mënija e resa e paarsyeshme qi s’e lânë Shqiptarin të shofí pjesën e dobíshme për kolektivitet e për vetí në veprimtarí pozitive të nji shoku o të nji grupi qi ai s’don ase ku ai s’merr pjesë, prirja m’u ngujue në nji qendrim përbuzës kur shef se tjetër kush punon mâ shum dhe mâ mirë për çashtje. Në lamijet e ndryshme të veprimtarís për lulzim të shqiptarizmit, ka vend për të gjithë. Punë ka shum, puntorët janë pak. Ai qi dron se i akëcili njeri (filani), tue punue po n’at lâmë ku edhe vetë derdh djersën e vet, po i a pret shtegun të korri frytin e mundit të bâm , dishmon se synin e mendes nji smirë e pathemeltë i a verbon.
Shpesh kjo ndodhë mjerisht edhe në njerz shum të shquet dhe vërtè të kulturuem. Atëbotë, qe, se çashtja e ndertimit të nji Shqipníje së vërtetë humb nji puntuer të vlefshëm.
Mjerimet, fatkeqsít dhe pabesija e botës na e kanë hollue e sqarue tashmâ vetedijen historíke. Kurrnji dritë nuk shofim në horixont ndërkombtar. Miqsija e të huejve nuk na joshë mâ me xixillim shpresash kallpe. Predikimet kumbuese e parafoljet e ideologve na hyjnë në nji vesh e na dalin nga tjetri. Jemi fillikat vetëm, para nji problemi viganuer. Me akull të mendes, pa mashtrime romantike, lypet të shikojmë realitetin. Babelja shqiptare ka për suazë Babelen botnore. Ngjarje të paprituna munden me na dâmtue edhe mâ tepër, por munden edhe me na çelë nji shteg shpëtimi. Duhet të rrijmë gatí me përfitue nga këthesat e historís.
Shka mund të bâjmë për mos me na ikë rasat e volitëshme? Shka kemi në dorë na si Shqiptarë?
Dhânat e ndryshme le t’i mbledhim, t’i rrjeshtojmë para vetes dhe të përpiqemi bashkarisht t’i shqyrtojmë për t’a vû problemin shqiptar n’udhë të zgjidhjes. E vetedija e jonë të jetë në pajtim me çasat qi janë tue rrahun në kvadrant të historís.
“Shêjzat” nr. 1-2/1961
Përgatiti për botim: Agim Morina