Analisti dhe publicisti, Shkëlzen Gashi nuk i ka kursyer kritikat ndaj Akademisë së Shkencave të Kosovës. Duke shkruar në profilin e tij në fejsbuk, Gashi me anë të 10 pyetjeve publike drejtuar kësaj Akademie, shpalos njëkohësisht dhe akuzat për punën e mangët dhe dobësitë e këtij institucioni.

Gashi ngre pikëpyetje për menaxhmin e miliona eurove që ky institucion merr nga qeveria e Kosovës. 

Për ish-këshilltarin e kryeministrit Albin Kurti, kjo Akademi përbëhet nga plagjiatorë dhe nga ndividë që më shumë angazhohen në aktivitete politike sesa në kërkim shkencor.

Gashi po ashtu vë në dukje së anëtarëve të Akademisë së Shkencave të Kosovës u mungojnë punimet dhe publikimet në revista shkencore evropiane, ndërsa punimet në Kosovë realizohen të gjitha vetëm në gjuhën shqipe.

Postimi i plotë i shkëlzen Gashit:

DHJETЁ PYETJE PЁR AShAK-un

1. Pse gati të gjitha publikimet i keni të autorëve shqiptarë e në gjuhën shqipe e gati asnjë publikim në gjuhën angleze? 

2. Pse qe dhjetë vjet, ndonëse i keni marrë gati 12 milionë € nga buxheti i Kosovës – shtetit më të varfër në Europë – i keni finalizuar vetëm dy projekte të mëdha: Monografinë «Kosova – vështrim monografik» dhe «Fjalorin Enciklopedik të Kosovës»? 

3. Pse të gjitha projektet i keni projekte kombëtare, e për dallim nga akademitë përreth, nuk e keni asnjë projekt ndërkombëtar?

4. Pse prej rreth 12 milionë € që keni marrë nga Buxheti i Kosovës, rreth 2/3 e këtij buxheti i keni çuar në paga dhe mëditje? 

5. Pse honorari – për anëtarin e rregullt 1.429.54 €, e për anëtarin korrespodent 1.283.34 € – është trefish më shumë sesa i kolegëve tuaj nga vendet përreth, ndonëse Kosova është ndjeshëm më e varfër sesa vendet përreth? 

6. Pse gati 90% e anëtarëve të rregullt të AShAK-ut nuk kanë pasë punime të publikuara në revista akademike ndërkombëtare, ndërkaq angazhime nëpër parti politike kanë pasë më shumë se gjysma e anëtarëve të rregullt të këtij institucioni?

7. Pse keni pranuar të udhëhiqeni nga një person i dënuar nga gjykata me 18 muaj burgim me kusht për shpërdorim të detyrës zyrtare?

8. Pse i pranoni në radhët tuaja të paktën tre plagjiatorë – Nexhat Daci, Sabri Hamiti e Arsim Morina – të akuzuar publikisht nga Musa Limani, nga Sali Bytyçi, e nga Talat Gjinolli, me dëshmi të forta, se veprat e tyre janë plagjiaturë? 

9. Pse faqen zyrtare në internet e keni jofunksionale, të papërditësuar, dhe, mbi të gjitha, vetëm në gjuhën shqipe, e pothuajse asgjë në gjuhën angleze?

10. Pse prej 13 qëllimeve që ua përcakton ligji, ju e keni realizuar vetëm njërin: përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të punës të anëtarëve të Akademisë?

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *