Bilanci i viktimave të tërmetit shkatërrimtar që goditi Turqinë dhe Sirinë ka mbërritur në 11’000.
Kërkimet për të mbijetuar vijojnë pa ndërprerje pasi besohet se ka dhe shumë njerëz të mbetur nën rrënoja.
Vetëm në Turqi ka mbi 3 mijë ndërtesa të shembura, ndërkohë që në Siri gjendja paraqitet dramatike. Lufta e gjatë civile e ka ndarë vendin në disa zona influence çka e vështirëson dërgimin e ndihmave dhe operacionet e kërkim-shpëtimit në terren.
Sakaq, Kosova shpalli të mërkurën e sotme ditë zie në solidaritet me viktimat dhe dhimbjen e popullit turk dhe atij sirian.
“Dhimbja e popullit turk dhe atij të Sirisë është edhe e jona. Prandaj, bazuar në kompetencat kushtetuese e ligjore, në shenjë respekti shtetëror e qytetar, ditën e mërkurë, 8 shkurt 2023 e kam shpallur Ditë Zie Shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmeteve të datës 6 shkurt 2023 me epiqendër në Turqi, të cilët lanë mijëra të vdekur e të lënduar” – shkroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.