Nga Shaban Murati
“Vrasja e Xhinxhiçit në 12 mars 2003 nuk është vetëm një vrasje politike e një kryetari qeverie, por më shumë një goditje ndaj figurës dhe alternativës, që ai përfaqësonte në rrymën e ndryshimeve demokratike properëndimore për Serbinë.
Kryeministrin serb nuk e vrau krimi apo mafia. Atë e vrau Serbia. Ishte një vrasje politike strategjike, e cila në një farë mënyre vrau edhe vetë gjysëmrevolucionin serb (të tetorit të vitit 2000). Sido që të vazhdojnë pasardhësit e tij, fakti është se procesi demokratik dhe demokracia në Serbi pësuan një frakturë të madhe dhe një kthim prapa, ku vrasja e Xhinxhiçit lozi rolin e makinës së kohës për Serbinë”.
-Nga kapitulli me titull “Plumbat e Serbisë mbi Xhinxhiçin dhe demokracinë” në librin tim monografik “Serbia kundër Serbisë. Analizë e një gjysëmrevolucioni të lënë përgjysëm”, Tiranë, 2004, fq.234.