Kryeministri Edi Rama, së bashku me familjarët e katër protestuesve të vrarë më 21 janar 2011, ka zhvilluar edhe këtë vit homazhet përkujtimore në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke vendosur lule në vendet ku humbën jetën.
Gjatë ecjes simbolike, u vendosën karafila në pikat ku u vranë Ziver Veizaj, Faik Myrtaj, Hekuran Dedaj dhe Aleks Nika, 15 vite më parë, gjatë protestës së 21 Janarit.
Ndërkohë, kujtojmë se në korrik të vitit 2024, Prokuroria e Posaçme (SPAK) rinisi zyrtarisht hetimet për ngjarjen e 21 Janarit. Vendimi erdhi pas urdhrit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, e cila kërkoi që të hetohej kallëzimi i paraqitur nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës.
Kallëzimi është drejtuar ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha dhe ish-kreut të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi. Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar vrasjen e katër protestuesve si një “krim shtetëror që duhej zbardhur”.

