Nga Sebastian Zonja
Është për të ardhur keq që 21 Janari i përkujtimit të Ibrahim Rugovës dhe rëndësisë të Kongresit të Lushnjes, shtylla e parë e shtetit modern shqiptar, është njollosur nga gjaku në duart e partive politike shqiptare – njëri që donte pushtet me çdo kusht, tjetri që e ruante me pushkë.
Mëkat që kjo datë historike u njollos deri në fatkeqësi nga konfliktet partiake!
“Një simpati nuk vonoi të vinte, kur pa bota se shqiptari përpiqej për veten e tij, me fuqinë dhe mjetet e veta”, shkruan në një fragment për Kongresin e Lushnjës, Mid’hat Frashëri, te libri ”Probleme të Shqipërisë Indipendente”.
21 Janari i 1920-ës do të përkujtohet për vullnetin që shfaqi elita politike dhe intelektuale shqiptare duke ndërmarrë një hap cilësor në konsolidimin dhe sovranitetin e territorit që ngeli nga Konferenca e Londrës më 1913-ën.
Me ndihmën e çmuar të britanikëve u bë e mundur që të rrëzohej qeveria pro-italiane e Durrësit, teksa më herët, më 19 korrik 1919 ishte nënshkruar marrëveshja sekrete italo – greke nga Titoni dhe Venizellosi.
Marrëveshja kishte në themel pazare e lëshime reciproke për territoret e Shqipërisë. Studiuesi Joseph Swire shkruan se britanikët dërguan konsullin e tyre Morton Eden në Shqipëri, i cili ishte edhe pjesë e shërbimeve sekrete. Gjatë punimeve të Kongresit ai qëndroi në Lushnjë dhe u largua në përfundim të punimeve bashkë me kolonelin britanik Philips.
Për të parë se kush e organizoi nga pala shqiptare dhe pse, duhet të shohim se cilët janë personat që marrin postet kryesore qeveritare më pas.
Janë po ato figura që ishin pjesë e organizatës “Krahu Kombëtar”, themeluar në Durrës, që në vitin 1915. Në nëntor të vitit 1918 organizata ndryshoi emërtesë në “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës”.
Sipas Hafiz Ali Korçës, bashkëpunimi i dy figurave qëndrore kishte rëndësi vendimtare që të organizohej Kongresi: Aqif Pashë Elbasanit dhe Abdi Bej Toptanit.
Një prej njerëzve më të fuqishëm që del nga ai Kongres është edhe 25-vjeçari Ahmet bej Zogolli, nip i Toptanëve. Fal fuqisë së tij në terren dhe lidhjeve me aktorët vendor, ai bën të mundur që të rikthehej sovraniteti në çdo cep të Shqipërisë.
Mid’hat Frashëri e përshkruan kështu situatën kur u zhvillua Kongresi:
“Do të kujtojmë këtu se kur u mbështollën të pesëdhjetë përfaqësuësit në qytetin e vogël të Myzeqesë, vendi gjendej nën okupatën efektive, aq ush¬tërore sa edhe civile të Italisë, sidomos nga Vjosa e në kufi të Greqisë: Shkodra ishte nën një sundim internacional (francez, englez, italian) dhe Korça gjendej nën një administratë franceze; megjithëkëtë, pa asnjë për¬jashtim, të gjitha viset kishin çuar delegatë, ishin bashkuar në politikë dhe në vullnet.”
Kongresi i Lushnjës ruan një rëndësi themelore institucionale dhe konstitucionale dhe merita i takon atyre burrave e grave që u bënë në një mendje për t’i dhënë udhën e zgjidhjes problemeve të mprehta me të cilat po përballej Shqipëria pas dy luftrave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore.
Kundër punimeve të atij kongresi ishin filoitalianët, si Shefqet Vërlaci, Myfid Libohova apo Fejzi Alizoti.
21 Janari i një shekulli më vonë, 2011, la shenjë të pashlyeshme, për keq, në politikën shqiptare.
Nëse asokohe kishte një detyrë për të ndërtuar shtetin, siç po bëjnë në Kosovë sot, debatet tona janë sa të korruptuar, kriminele dhe të pandjeshme e kemi klasën politike dhe intelektuale. Hyrja në Bashkimin Evropian duket e largët. Askund nuk ka ligjërime kombtariste. Shkaku: mendjet më kriminale të shoqërisë u hierakuan nën komunizëm dhe sot ky është produkti – na skuqën si Kremlini, na zverdhën si Kina dhe zhbënë çdo lloj tradite e trashëgimie.
Shqipëria nën drejtimin e politikanëve që shkaktuan gjamën e 21 Janarit, mbetet ende periferi e trefishtë:
– Periferi e Europës
– Periferi e mendimit dhe sjelljes perëndimore
– Periferi e influencës turke
1. Edhe nëse bëhemi pjesë e BE-së, sërish peiferia nuk ka ndonjë rol të madh dhe nuk thith investime të mëdha.
2. Retorika europeiste ka mbytur atdhedashurinë.
3. Ekziston mundësia që të bëhemi edhe brezi i fundit i Lindjes. Si të tillë, emigracioni masiv i vendeve në konflikt do të zbrazet këtu.
Si dilet nga ky batak? Dua të sjell në vëmendje një intervistë interesante të një intelektuali izraelit;
Ka tre motive, thotë izraeliti, pse Izraeli ngjan si oaz në Lindjen e Mesme:
1. Normat tona nuk i vendos dot bota apo një i huaj. Ne kemi aparatin tonë të arsyetimit dhe veprimit. E dimë vet se çfarë zakonesh dhe cila rrugë është më e mirë për qytetarët izraelitë.
2. Asnjëherë nuk kemi hequr dorë nga dija dhe shkollimi, pavarësisht sakrificave.
3. Solidariteti mes nesh nuk është një opsion, por një normë që s’mund të negociohet.
Norma e solidaritetit, e përmendur nga intelektuali izraelit, na sjell në vëmendje përmasën e jashtëzakonshme politike të Rugovës, që sot i mungon politikanëve aktualë në Shqipëri. Solidariteti i shqiptarëve me njëri – tjetrin nën pushtimin serb ishte filli i Tezeut që vrau Minotaurin serb dhe solli pavarësinë e Kosovës. Solidariteti, intelektualizmi dhe qetësia e Rugovës janë mësime të një babai kombi për brezat që do trashëgojnë Shqipërinë e bashkuar, kryelartë, të bukur.
Sot duhet ta rishpikim solidaritetin tonë