Nga Lutfi Dervishi

Nëse ka një mrekulli që ia vlen ta besosh, është mbijetesa e gjuhës shqipe.

Gjuha jonë ka kaluar shekuj duke sfiduar çdo perandori dhe çdo alfabet që i janë hedhur përpara.

E shkroi prifti katolik në latinisht, e rimori poeti mysliman në arabisht, e ruajti ortodoksi me shkronja greke e ndonjëherë cirilike. Një popull, tri fe, katër alfabete… dhe një gjuhë që nuk u dorëzua kurrë.

Pastaj erdhi 22 Nëntori i vitit 1908, dita kur shqiptarët vendosën të shkruajnë njësoj. Jo për t’i bërë qejf ndokujt, por për t’u bërë komb. Kongresi i Manastirit nuk ishte akt i një grupi të vetëm, por triumf i bashkimit: myslimanë, ortodoksë, katolikë, të ulur në të njëjtën tryezë, duke zgjedhur të ardhmen përpara çdo dallimi fetar. (Ashtu siç tha rilindasi Vaso Pasha më 1878: “Feja e shqiptarit është shqiptaria.”)

Dhe mes tyre u dëgjua edhe zëri i grave, që shpesh harrohet, si Parashqevi Qiriazi, e cila dëshmoi se gjuha është çështje kombi, jo vetëm “punë burrash”.

Shqiptarët u bënë kombi i parë me shumicë myslimane që hoqën dorë nga alfabeti arab dhe zgjodhën alfabetin latin. Nuk ishte thjesht zgjedhje letrare…

Fakti që gjuha shqipe mbijetoi për më shumë se dy mijë vjet përballë latinishtes, greqishtes, sllavishtes së kishës, osmanishtes e arabishtes nuk është thjesht historik; është karakter dhe dëshmi e një gjenialiteti rezistent.

Prandaj sot, kur festojmë Alfabetin, nderimi më i madh nuk janë ceremonitë, por detyra jonë e përditshme: të shkruajmë shqip, saktë, pastër, me kujdes… të paktën aq mirë sa e shkruan edhe një program inteligjence artificiale.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *