Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha sot në 24-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s se ndërhyrja e aleancës ushtarake e shpëtoi Kosovën nga gjenocidi i Serbisë.
Kurti, bashkë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin, Glauk Konjufca kryen homazhe në varret e ish-presidentit, Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi.
Po ashtu, drejtuesit e lartë shtetëror nderuan dhe sakrificën e familjes Jashari gjatë vizitës në Prekaz.
“Pas çlirimit vjen paqja, sot përkujtojmë dhe festojmë 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe vendosjen e paqes në vendin tonë, pra 12 qershorin. Bashkë me presidenten e Republikës dhe kryetarin e Kuvendit kujtuam duke vendosur lule të freskat dhe bërë homazhe humanizmin e Rugovës, qëndresën e Demaçit, sakrificën e Jasharajve dhe këtu kontributin e NATO-s. Përulemi para gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe të gjithë atyre të cilët dhanë jetën për lirinë e popullit dhe çlirimin e Kosovës. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s e ndaloi gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë gjithnjë dhe përgjithmonë jemi falënderues dhe mirënjohës.” –tha Kurti.