15-janarin e 1999-s, trupat e ushtrisë së rregullt serbe dhe ato paramilitare masakruan 45 civilë të pafajshëm shqiptarë në fshatin Reçak, ngjarje kjo e cila ndryshoi fatin e luftës dhe nisi shkërmoqjen e ëndrrës serbe për spastrimin e Kosovës. 

Uilliam Uoker, asokohe përfaqësues i misionit të OSBE-së do e shpallte botërisht këtë ngjarje si krim kundër njerëzimit duke faktuar për të parën herë kryerjen e krimeve ndaj civilëve të pambrojtur. 

Shteti i Serbisë edhe sot pas 25-vitesh vijon të mohojë kryerjen e këtij krimi nga ana e ushtrisë së saj, madje në disa deklarata publikë, Aleksandër Vuçiç ka theksuar se kjo masakër ishte kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës me synimin për të fajësuar Serbinë.

Ditën e sotme pati sërish homazhe dhe ceremoni përkujtimore për këtë ngjarje.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se shqiptarët u masakruan duarthatë dhe se Serbia vijon të mohojë krimiin, madje po dhunon e arreston dhe ata që guxojnë të pranojnë krimet e Serbisë në Kosovë dhe të kërkojnë falje për to.

Nga ana e tij kryeministri Albin Kurti, krahas civilëve të masakruar kujtoi dhe 11 ushtarët e UÇK-së që dhanë jetën në luftime me forcat serbe për të mbrojtur trupat e masakruar të civilëve shqiptarë. 

Në Reçak tashmë ka një memorial kushtuar shqiptarëve të masakruar nga trupat serbe, e po në Reçak vitin e kaluar u përurua dhe një shtatore për ish-ambasadorin Uilliam Uoker, si mirënjohje për kontributin e tij në dokumentimin e këtij krimi para opinionit publik botëror./ Besmir Lushaj

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *