Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kallëzuar penalisht një kompani tregtare pasi tentoi të fusë në treg një sasi të madhe misri të importuar nga Serbi që rezultoi i kontaminuar.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të AKU-së në Shkodër, në magazinat e kompanisë Modi SHPK janë bllokuar 26 tonë misër rifuxho, pasi analizat laboratorike treguan se produkti kishte nivel mbi normën e lejuar të aflatoksinës B1, një substancë e rrezikshme për shëndetin.
Ngarkesa ishte vendosur fillimisht nën bllokim nga inspektorët e AKU-së deri në përfundimin e analizave. Pas rezultateve, institucioni ka depozituar kallëzim penal në prokurori për veprën “mashtrim me produktet ushqimore”.
Autoritetet bëjnë me dije se subjekti dyshohet se ka shkelur ligjin edhe duke ndërhyrë në produktet e bllokuara nga AKU, çka ka rënduar më tej situatën dhe ka çuar në referimin e çështjes për ndjekje penale.

