Një ngjarje e rëndë ka tronditur Tiranën, ku një 26-vjeçar po lufton për jetën pasi u rrah barbarisht me sende të forta, dyshohet me çekiç, në zonën e Freskut. Policia ka arrestuar një nga autorët e dyshuar, ndërsa vijon puna për kapjen e porositësve të sulmit.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, ngjarja ka ndodhur më datë 06.12.2025, pranë rrethrrotullimit të zonës së Freskut, ku shtetasi F. Y., 26 vjeç, mbeti i plagosur rëndë.
Nga hetimet e kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Porosia”, u identifikuan tre shtetas të përfshirë në këtë ngjarje:
H. M., 49 vjeç, Gj. N., 36 vjeç dhe Xh. U., 30 vjeç.
Sipas policisë, 36-vjeçari dhe 30-vjeçari dyshohet se kanë porositur plagosjen e të riut për motive të dobëta, ndërsa ekzekutimi i dhunshëm është kryer nga 49-vjeçari H. M., i cili u arrestua dhe u vu në pranga. Ky i fundit rezulton me precedent penal, përfshirë edhe armëmbajtje pa leje.
Policia bën me dije se të tre personat e përfshirë kanë precedentë penalë të theksuar për krime kundër personit. Vijon puna intensive për kapjen e dy porositësve, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në plagosje.
Gjithashtu, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin T. D., 33 vjeç, i cili dyshohet se ka shoqëruar autorin e plagosjes në vendin e ngjarjes dhe ka refuzuar të deklarojë në polici rrethana për të cilat dyshohet se ka pasur dijeni.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa 26-vjeçari vijon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.

