26 vjet më parë, trupat e NATO-s kaluan kufirin e Morinës dhe hynë në Kosovë, duke i detyruar trupat serbe të largohen nga territori i pushtuar që nga fundi i vitit 1998.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, me anë të një postimi në rrjetet sociale, përkujtoi këtë datë historike, duke theksuar se NATO-ja dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës bënë histori, duke i dhënë fund gjenocidit në Kosovë.
“Në këtë ditë, 26 vjet më parë, mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa: 50 mijë ushtarë të NATO-s hynë në vendin tonë të stërvuajtur, duke kontribuar në çlirimin e një populli që ishte shtypur me shekuj, e mbi një milion shqiptarë u kthyen në shtëpitë e tyre.
Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e NATO-s e kthyen tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë. Në atë ditë historike, ata sollën dritë pas një errësire të gjatë dhe e bënë lirinë realitet.
Pavarësisht përpjekjeve të armiqve të Kosovës për ta ndryshuar historinë, një histori e shkruar me gjak nuk mund të ndryshohet e as fshihet nga gënjeshtra të shkruara me laps.
Kosova e lirë, e pavarur, demokratike, e përjetshme! Sepse përjetësinë ia dhanë dëshmorët e martirët e lirisë!” – shkroi Osmani.