Beteja e humbur e qeverisë së kryeministrit Edi Rama në Arbitrazhin Ndërkombëtar kundër sipërmarrësit italian Francesko Bechetti ka sjellë një barrë të rëndë financiare për shtetin shqiptar. Vetëm për shpenzimet ligjore, fatura ka kaluar shifrën prej 3 milionë eurosh.
Pak ditë më parë, Gjykata e Apelit të Arbitrazhit në Paris la në fuqi vendimin e ICSID, duke detyruar Shqipërinë të paguajë 110 milionë euro dëmshpërblim — gjoba më e lartë e vendosur ndonjëherë ndaj shtetit shqiptar.
Që prej humbjes së vitit 2019, Rama ka insistuar se nuk do t’i paguante Bechettit “asnjë qindarkë”, duke e quajtur atë mashtrues. Për të rrëzuar vendimin, qeveria angazhoi studio ndërkombëtare ligjore, duke përdorur fonde publike për apelimin e çështjes.
Vetëm në muajin nëntor 2025, Ministria e Financave pagoi dy fatura me vlerë rreth 300 mijë euro. Këto shpenzime i shtohen pagesave të viteve të mëparshme, që së bashku e çojnë totalin mbi 3 miliardë lekë të vjetra, ose rreth 3 milionë euro.
Përplasja Rama–Bechetti filloi në vitin 2014, pas tensioneve për linjën editoriale të “Agon Channel”. Bechetti akuzoi qeverinë se i goditi bizneset për arsye politike dhe u largua nga Shqipëria për t’i shpëtuar një urdhër-arresti që e cilësoi të padrejtë.
Arbitrazhi Ndërkombëtar i dha të drejtë sipërmarrësit italian, duke çuar në vendimin për 110 milionë euro dëmshpërblim. Për shkak të mosshlyerjes së detyrimit, përmbaruesit ndërkombëtarë kanë bllokuar miliona euro nga kompania publike “Albcontrol”, në përpjekje për të detyruar pagimin e gjobës.
Në këtë mënyrë, çështja Bechetti vijon të sjellë pasoja të rënda financiare për shtetin shqiptar, ndërsa beteja ligjore e qeverisë mbetet një prej përballjeve më të kushtueshme të dekadës.

