I mituri 3-vjeçar me inicialet B.S. ndërroi jetë pasi ishte operuar për katër dhëmballë në një klinikë dentare në Tiranë.
Familjarët e tij kanë denoncuar klinikën dentare duke e akuzuar dentistin Roland Xhaxho si përgjegjës për vdekjen e të miturit.
Sipas familjarëve, Xhaxho ka injektuar një sasi të tepërt narkoze dhe për pasojë mëlçia e të miturit ka dalë jashtë funksionit. Familjarët e akuzojnë dentistin në fjalë se po përpiqet të manipulojë provat, ndërkohë që ka nisur një hetim për ngjarjen.
I mituri ndërroi jetë në pediatri pasi shfaqi shqetësime pas daljes nga operacioni në klinikën dentare.