Të dhënat nga Portali Studentor tregojnë se në vitin akademik 2024-2025, rreth 15,111 maturantë kanë zgjedhur të ndjekin studimet e larta, nga të cilët 9920 u regjistruan në universitetet publike me rënie 19% nga viti i kaluar, ndërsa kanë zgjedhur të studiojnë në privat 5191 studentë ose 34.4% e totalit të studentëve.

TIRANË- Numri i studentëve po vjen në ulje të shpejtë, për shkak të reduktimit të popullsisë së re në moshë, por vitet e fundit gjithnjë e më shumë maturantë po zgjedhin institucionet private të arsimit të lartë.

Të dhënat nga Portali Studentor tregojnë se në vitin akademik 2024-2025, rreth 15,111 maturantë kanë zgjedhur të ndjekin studimet e larta, nga të cilët 9920 u regjistruan në universitetet publike me rënie 19% nga viti i kaluar, ndërsa kanë zgjedhur të studiojnë në privat 5191 studentë ose 34.4% e totalit të studentëve.

Në total deri më tani, janë regjistruar 15,111 studentë ndërkohë që totali i kuotave në të gjitha programet e studimit të Institucionet e Arsimit të Lartë në Shqipëri është 30,805, nga të cilat më shumë se gjysma mbetën të lira, referojnë të dhënat nga Portali Studentor.

Përllogaritjet tregojnë se në 10 universitetet kryesore të vendit, 41.3% e degëve janë në rrezik për t’u mbyllur për shkak se nuk ka studentë. Në Universitetin e Gjirokastrës, 81.8% të degëve rrezikojnë të mbyllen pasi nuk plotësojnë numrin minimal të studentëve.

Të dhënat e Portalit të Studentëve tregojnë se  42.8% e programeve të studimit që janë prioritet kombëtar rrezikojnë të mbyllen pasi studentët nuk kanë treguar interes për to.

Tarifat gati të njëjta dhe fleksibiliteti më i madh i programeve të studimit po çon gjithnjë e më shumë studentë në privat. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se në vitin 2023 në Institucionet Private të Arsimit të Lartë kishte gjithsej 32,387 studente ose 32 për qind më shumë. Në të njëjtën periudhe numri i studentëve në Universitetet publike pësoi rënie me 27%.

Në bazë të kësaj ecurie auditorët në Universitetet Publike rrezikojnë të mbetën bosh me shpejt se sa pritej, teksa reduktimi i studentëve nuk po shoqërohet me rritje të cilësisë.

Trupa akademike në universitetet shqiptare si të gjithë funksionet e tjera publike është e nën paguar. Në universitetet publike pedagogët janë dy a tre punësuar dhe puna në universitet mund të jetë angazhimi i fundit për shumë prej tyre. Në shumë raste cilësia e mësimdhënies cenohet rëndë nga ky fakt.

Zhvillimet demografike lajmërojnë se gjatë dekadës në vijim do të kemi sërish një përgjysmim të studentëve. Rënia e lindjeve emigracioni i përqendruar në moshat e reja pritet të çojë numrin total të studenteve që regjistrohen në vit të parë jo më 10 mijë në vitet ne vijim.

Mentaliteti se duhet shkolla e lartë, krijoi një inflacion diplomash të cilat nuk u përkthyen në profesione. Shumica e të rinjve të diplomuar në dy dekadat e fundit u punësuan në call center dhe kameriere në njësitë e shërbimeve si rrjedhoje e mospërputhjes së shkollës më diplomën.

Zhvillimet në arsimin e lartë në dy dekadat e fundit kanë bërë me skeptike maturantet.  Nga viti 2016 në vitin 2022 një fluks i lartë të rinjsh kanë emigruar dhe ky fenomen bashke më rënien e lindjeve vite më parë po sjell reduktim të studentëve. Vitin e kaluar, sipas INSTAT, ishin të regjistrua në universitetet vendase rreth 116 mijë studentë dhe këtë vit është reduktuar më tej./ Monitor.al

https://monitor.al/34-regjistrimeve-te-reja-zgjodhen-studimet-ne-privat-kete-vit-akademik/

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *