Shpërthime të fuqishmë kanë tronditur Kievin në orët e fundit. Sirenat e alarmit u dëgjuan sërish në kryeqytetin ukrainas me banorët që iu përgjigjën thirrjes së autoriteteve për t’u drejtuar në strehimore. Siç raporton agjensia e lajmeve Reuters, dëshmitare nga Kievi kanë raportuar për shpërthime të forta në orët e fundit.
Lajmi për sulme të reja mbi Kiev u dha dhe nga presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, i cili foli për të vdekur e të plagosur, por pa dhënë një bilanc të saktë për momentin. Po ashtu dhe kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitshko, njoftoi për sulme të reja në qendër të kryeqytetit. Ai shkroi në profilin e tij në rrjetin social Telegram: “Shpërthime në lagjen Shveçenkiev në qendër të kryeqytetit. Te gjitha shërbimet në vend vijojnë. Detajet e reja më vonë.” Sulmet ruse mbi Ukrainë u intensifikuan pasi forcat ukrainase goditën dhe shkatërruan Urën e Krimesë që lidh rajonin e aneksuar nga ruset me Federatën Ruse. Ky objekt konsiderohet si strategjik për planet e Rusisë. Ditën e djeshme pati sulme mbi rajonin e Zaporizhias ku u raportuan 13 të vdekur e shumë të plagosur, ndërsa Kievi duket të jetë rikthyer sërish në shënjestrën kryesore të ofensivës së Vladimir Putin për pushtimin e Ukrainës.