Qeveria e Republikës së Kosovës ka zyrtarizuar rritjen e pagës minimale për të gjithë punëtorët me orar të plotë, duke e ndarë procesin në dy faza gjatë vitit 2026. Paga minimale përcaktohet në 425 euro bruto nga janari dhe 500 euro bruto nga korriku.

Sipas vendimit zyrtar me numër 10/273, të datës 31 tetor 2025, e nënshkruar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, paga minimale për punë me orar të plotë do të jetë 425 euro bruto duke filluar nga 1 janari 2026. Në fazën e dytë, që hyn në fuqi më 1 korrik 2026, paga minimale do të rritet në 500 euro bruto.

Vendimi detyron Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Inspektoratin e Punës të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e tij.

Ky ndryshim vjen pas një periudhe të gjatë diskutimesh dhe kërkesash nga sindikatat e punëtorëve për përshtatje të pagës minimale me inflacionin dhe koston e jetesës. Qeveria ka deklaruar se synon të përmirësojë mirëqenien e punëtorëve dhe të forcojë standardet e tregut të punës në vend.

Vendimi hyn në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, dhe zbatimi i tij do të monitorohet nga institucionet përkatëse.

Burimi: Monitor.al

https://monitor.al/425-euro-nga-janari-dhe-500-nga-korriku-hyn-ne-fuqi-vendimi-per-pagen-minimale-ne-kosove/

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *