Operacioni i koduar “Maduro Out” ishte përgatitur në fshehtësi që nga vera e kaluar, pasi presidenti amerikan Donald Trump-i autorizoi CIA-n të ndërmerrte veprime të posaçme në Venezuelë. Shërbimet amerikane të inteligjencës ndoqën nga afër lëvizjet e presidentit Nicolás Maduro, strukturën e sigurisë që e rrethonte dhe mbështetjen politike të regjimit, duke përdorur infiltrime në terren si dhe mjete të avancuara teknologjike, përfshirë dronët. Njëkohësisht, Uashingtoni kërkoi kanale komunikimi brenda aparatit shtetëror dhe atij ushtarak venezuelian, për të krijuar kushte të favorshme për ndërhyrjen.
Paralelisht me përgatitjet operative, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi negociata të fshehta me Maduron, duke i ofruar disa herë një “rrugëdalje” politike. Detajet e këtyre kontakteve nuk u bënë publike, por burime pranë administratës amerikane bëjnë me dije se bisedimet dështuan. Pas kësaj, ekipi politik i Shtëpisë së Bardhë, në bashkëpunim me drejtuesit ushtarakë amerikanë, finalizoi planin për ndërhyrjen.
Donald Trump-i e miratoi operacionin katër ditë pas Krishtlindjeve, ndërsa nisja u shty përkohësisht për shkak të kushteve të pafavorshme të motit. Ora X u shënua natën e 2 janarit, kur mbi 150 avionë u ngritën nga baza të ndryshme amerikane dhe nga aeroplanmbajtëse në det të hapur.
Operacioni përfshinte avionë luftarakë F-35, bombardues B-1, dronë zbulues dhe njësi elitare të Delta Force.
Në fazën e parë, sulmet ajrore goditën objektiva strategjikë rreth Karakasit, përfshirë portin La Guaira, aeroporte dhe baza ushtarake, me synimin për të neutralizuar mbrojtjen ajrore. Më pas, helikopterë Apache transportuan forcat speciale drejt kompleksit ushtarak Fuerte Tiuna, ku ndodhej Maduro. Njësitë ndërprenë energjinë elektrike, depërtuan në perimetër dhe hynë në objekt në orët e para të mëngjesit. Sipas deklarimeve të Trump-it, përplasjet ishin të forta, por SHBA njoftoi se nuk pati humbje në radhët e saj.
Moment kyç i operacionit u regjistrua brenda 46 sekondash nga hyrja e forcave speciale në dhomën ku ndodhej çifti presidencial. Maduro u neutralizua dhe iu vendosën prangat, ndërsa agjentë të FBI-së i komunikuan urdhër-arrestin e lëshuar nga prokurorët e Nju Jorkut, duke theksuar se bëhej fjalë për zbatim ligji dhe jo për akt lufte. Maduro dhe bashkëshortja e tij u evakuuan me helikopter dhe u dërguan në një aeroplanmbajtëse amerikane në det të hapur. Pak më vonë, Trump-i publikoi një imazh të Maduros të arrestuar, duke e paraqitur operacionin si një mesazh të qartë të fuqisë dhe vendosmërisë amerikane.

