Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti paraqiti 6 kushtet që qeveria e drejtuar prej tij ka për themelimin e një Asosacioni të mundshëm të komunave me shumicë serbe.

1.-Asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

2.-Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv, duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave, sipas kushtetutës

3.-Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.

4.-Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri të shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

5.-Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshetërore me Republikën e Kosovës.

6.-Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara në pesë shtetet e BE-se për mospranimin e aplikimit të Kosovës në BE.

Kurti ripërsëriti qëndrimin se plani franko-gjerman përbën bazë të mirë për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë, duke shtuar se asnjë nga nenet e këtij plani nuk mund të jetë parakusht për vijimësinë e procesit.

“Çfarëdo tentative që nenet të bëhen parakushte për ecje përpara, janë sa më të pakuptimta aq edhe joproduktive. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë me njohje në qendër, duhet të garantojë edhe të drejtat e komuniteteve pakicë. Shteti normal demokratik nuk i diskriminon pakicat, por i mbron ato si vlerë themelore e i ruan ato si vlerë shoqërore.”- u shpreh Kurti gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës.

Sakaq, partitë e opozitës e akuzuan Kurtin se po bënte lëshimë taktike për pranimin e Asosacionit dhe se këto kushte janë vetëm një formë e zbutur e dorëzimit të tij.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku e akuzoi Kurtin për papërgjegjshmëri në veprime dhe deklarata. Sipas Abdixhikut, qeveria e Kosovës po tregon paaftësi në menaxhimin e kësaj situate mjaft delikate për Kosovën.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *