Nga Leka Ndoja

Nji kujtesë për demokratët e parë.

Numri i viktimave të procesit të Grupit të Parë të Deputetëve nga 16 të ekzekutuar si dhe 2 të vrarë në hetuesi – poeti Qemal Dracini dhe Kol Kuqali. Ndërsa në gjyqin e dytë të deputetëve të Grupit të Riza Danit, u dënuan me vdekje 7 personalitete të tjerë, të cilët u ekzekutuan në janar 1948, mbas një procesi të veçantë për deputetin Antifashist, dhe Kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës, Riza Danin.

Grupi i parë i Deputetëve, u gjykua nga “Këshilli i Gjykatës së lartë Ushtarake” formuar prej: MAJOR NIKO ÇETËS KRYETAR, anëtarëve: KAPITEN I NEXHAT HYSENI dhe KAPITEN II, MUSTAFA ILJAZI, Kryesekretar Aspiranti THOMA RINO, në prani të ND. PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM JOSIF PASHKO. Vendimi i Gjyqit të Grupit të Deputetëve u dha më datën 27 Shtator 1947 ora 17:00, në sallën e Kinemasë “Nacional”, (17 Nëndori), në Tiranë.

1. SHEFQET BEJA

Lindur më 1912 në Durrës. Ka një vajzë. Tregtar i madh, anëtar i KANÇ-it për Durrësin. Nënkryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë dhe zgjidhet Deputet i Durrësit në legjislaturën e vitit 1945. Anëtar bordi i Bankës së Shqipërisë. Ndonëse njeriu më i rëndësishëm i Pushtetit për Durësin, biznesi i tij u penalizua rëndë nga Ligji i Tatimit të Jashtëzakonshëm. U arrestua me Grupin e Deputetëve i mbiquajtur si kreu i “grupit klandestin”. Një nga torturat ushtruar ndaj tij në hetuesi ka qenë: futja në dhe i gjallë, për të deponuar. U ekzekutua me varje në Tiranë te “Fusha e druve” më 10 tetor 1947.

2. Ing. RIZA FEJZI ALIZOTI

Lindur më 1910 në Stamboll, i martuar me Vera Ypin, me të cilën pati 3 fëmijë. U shkollua në Robert College, në Stamboll, ndërsa në Tiranë kreu shkollën teknike Harry Fultz më 1929. Vazhdoi universitetin në Angli në Cornowal ku u diplomua në degën inxhinieri-minierash në vitet 1929 deri më 1933. Më 1938 vijoi studimet në Universitetin e Strasburgut në Francë, për specializim shpim-pusesh Vajgurore. Punoi si inxhinier në kompaninë AIPA dhe pas luftës në kantierin vajguror në Kuçovë ku dhe u arrestua.

Djali i Fejzi Alizotit, dënuar me vdekje në Gjyqin Special të vitit 1945. Në fund të vendimit të gjyqit nuk kërkoi mëshirë nga trupi gjykues por deklaroi “nuk kam gjë për të shtuar” në Gjyqin e Deputetëve. Dënimi me vdekje në litar i Riza Alizotit, u krye në Kuçovë me 10 tetor 1947. Ekzekutimi ishte terror më vete, sepse u krye për herë të dytë mbasi litari nuk ia mori jetën menjëherë.

3. ING. SULO KLOSI

Lindur më 1916 në Klos të Mallakastrës. Mbaroi studimet larta për inxhinieri. Ushtroi profesionin në Ministrinë Punëve Botore. Sulo Klosi bashkëpunoi me Ing. Stanislav Zuber, dhe për pasojë u akuzua bashkë me të, si agjent amerikan pasi kishin hapur një pus uji në Ambasadën Amerikane, “për qëllime kontakti agjenturor me Fultzi-n”. U var në Rubik, dhe u varros në afërsi të urës së lumit Mat, në 10 tetor 1947. Varri i tij nuk është zbuluar akoma.

4. SELAUDIN TOTO

Lindur më 1880 në Progonat të Tepelenës. Familja e tij ishte kundërshtare e regjimit të Zogut. Dy vëllezër i qenë vrarë në Kryengritjen e Fierit. Kreu studimet e larta në Universitetin e Torinos në Itali. U emërua Drejtor i Institutit të Studimeve Shqiptare, 1945-1946, dhe u zgjodh deputet i legjislaturës së parë pas luftës. U akuzua si agjent i anglezëve dhe se ishte: “Sekretar i Organizatës së Grupit të Deputetëve”. U pushkatua më 10 tetor në Tiranë.

5. SHEH IBRAHIM KARBUNARA

Lindur më 1880 në Karbunarë, të Lushnjes. Kreu shkollën e Medresesë. Klerik dhe patriot me popullaritet të madh në rrethin e Lushnjes. Firmëtar i Dokumentit të Pavarësisë më 1912. Më 1920 përuroi fjalimin hapës të Kongresit e Lushnjes, ku bëri dhe një “dua” për Shqipërinë. U akuzua në Gjyqin e Deputetëve se “sabotoi reformën agrare në Lushnje” dhe se shtëpia e tij kishte shërbyer si rezidencë gjatë mbledhjeve të “grupit të deputetëve”. U ekzekutua me 10 tetor 1947 bashkë me të birin, Hysen Shehu.

6. PAOLO SAGGIOTI

Lindur më 1907 në Manutto të Udines, me kombësi italiane. Pati kryer Institutin Industrial në Udine. U pushkatua me 10 tetor 1947.

7. AGATHOKLI XHITONI

Lindur më 1888 në Përmet. Ushtroi profesionin e shkruesit publik në qytet. Në akuzën e Prokurorit për të pandehurit thuhej se qenë “lidhur me Sillogun Vorio-epirot të Janinës, të Selanikut dhe kanë marrë prej tyre udhëzime, ndihma dhe lëndë propagandistike”. U ekzekutua më 10 tetor 1947.

8. MEHMET PRISHTINA

Lindur më 1926 në Shijak. Djali i heroit të Kosovës Jahja Prishtina. Pati kryer arsimin e mesëm dhe merrej me veprimtari private. U akuzua si përkrahës i Grupit të Deputetëve dhe agjent i amerikanëve. U pushkatua me Grupin e Deputetëve më 10 tetor 1947.

9. ABDYL KOKOSHI

Lindur më 1910 në Vlorë në një familje intelektuale. Pati përfunduar studimet në fakultetin e drejtësisë në Itali. Qendrimi i tij përkrah nacionalistëve gjatë luftës i kushtoi humbjen e profesionit duke punuar si kafexhi pas luftës. U arrestua për lidhje me Grupin e Deputetëve. U ekzekutua në Tiranë më 10 tetor 1947.

Mbas vdekjes së tij: familja e tij vijoi të përndiqej përkthyesi i famshëm i italishtes Kudret e Gjergj Kokoshi vuajtën burgjet e komunizmit deri në fund.

10. BEQIR ÇELA

Lindur në Tiranë më 1933. Përfundoi shkollën e mesme teknike Harry Fultz. Kishte talent si shkrimtar, përktheu nga anglishja librin e Levis Carroll-it Liza në botën e çudirave. U akuzua si agjent anglez dhe personal i mësuesit të tij Fultz-it. U  akuzua si Nënkryetar i Grupit Tekniko-Intelektual, me kryetar Fultz-in, dhe e pranoi akuzën nën torturë. U pushkatua më 10 tetor 1947.

11. SALIM KOKALARI

Lindur më 1897 në Gjirokastër. Pinjoll i një familje intelektualësh, ushtroi profesionin e mësuesisë në Kavajë. Saga e persekutimit të kësaj familje kishte filluar me pushkatimin në nëntor 1944 në Hotel Bristol, të dy vëllezërve Kokalari. Në vitin 1946 ishte dënuar gjoja për kontrabandë floriri. U akuzua si filoanglez dhe si “Socialist Radikal Francez” dhe kryetar i Komitetit të Deputetëve, për Durrësin. U ekzekutua më 10 tetor 1947, me bashkëvuajtësit e tjerë të Grupit të Deputetëve. Në familjen e të birit të Salimit, Platonit në Kavajë, gjeti ngrohtësi shkrimtarja e përndjekur Musine Kokalari.

12. TEFIK DELIALLISI

Lindur më 1912 në Shijak në një familje bejlerësh patriotë. I ati Masari ushtarak, ra dëshmor në kryengritjen e Mirditës. Kreu arsimin e mesëm dhe ushtroi profesionin e mësuesit në Durrës. Familja e tij nuk e pranoi Pushtetin Komunist duke bërë rezistencë aktive me armë. U akuzua se në pranverë të vitit 1945 në shtëpinë e tij u zhvillua mbledhja e parë e “Grupit të Deputetëve” dhe se mbante lidhje me të arratisurit e Rrethit të Shijakut. Delialisët pësuan një sërë krimesh, dhe fatkeqësi të tjera si burgime e internime. U vra nga toga e pushkatimit më 10 tetor 1947 në Tiranë, buzë Lumit të Lanës. 

13. IRFAN MAJUNI

Lindur më 1911 në Dibër. Arsimin e mesëm e kreu në Tiranë, ku punoi si nëpunës. Mori pjesë në LNÇ. Zgjidhet deputet i Dibrës më 2 dhjetor 1945. U akuzua si “agjent anglo-amerikan” dhe si anëtar i Komitetit Qendror të “Grupit të Deputetëve” për Tiranën. 

Në mëngjesin e datës 10 tetor 1947, u mor në pyetje para pushkatimit, në prani të Prokurorit Josif Pashko dhe u ekzekutua.

14. PERTEF KARAGJOZI

Lindur më 1908 në Gjirokastër. Kreu arsimin e mesëm dhe ushtroi nëpunësinë në Tiranë. Familja e tij u përndoq në tërësi edhe për shkak të aktivitetit në diasporën tonë politike në SHBA. U ekzekutua më 10 tetor 1947.

15. DR. ENVER ZAZANI

Lindur në Himarë më 1910, me profesion mjek, i martuar me një fëmijë. Kreu studimet e larta në Paris. Ka qenë mjek në spitalin e Durrësit dhe të Tiranës. Për shkak të qendrimeve të tij përkrah Shefqet Bejës në parlament u arrestua dhe u torturua deri me shpimin e syve me hekur të skuqur, sipas dëshmisë së Foto Balës, për të firmosur deklarata rënduese për rreth “70 bashkëpunëtorë” intelektualë që ishin vënë në listën e likujdimit nga jugosllavët dhe Mihallaq Ziçishti e Koçi Xoxja, si deputetë nacionalistë. U ekzekutua më 10 tetor në Tiranë.

16. HYSEN SHEHU

Biri i Sheh Karbunarës. Lindur më 1912 në Karbunarë të Lushnjes. Kreu shkollën elementare në qytetin e lindjes dhe më pas gjimnazin. Anëtar aktiv i lëvizjes Nac. Çl. Pjesmarrës në Kongresin e Beratit në tetor 1944, ku u formua qeveria që do të merrte Pushtetin, në mbledhjen e dytë mbajti pozicionin e anëtarëve nacionalistë të Frontit N.Ç. U dënua dhe u ekzekutua së bashku me të atin e të dënuarit e tjerë, më 10 tetor 1947. Janë ekzekutuar të kapur dora dorës.

{VDEKUR NË HETUESI}

17. KOL KUQALI 

Lindur në Progër të Korçës më 14.06.1891: emigroi në Rumani dhe SHBA, kthehet në Shqipëri më 1924. I martuar me Sanda Adam (Adhami) motra e Loni Adhamit me të cilën pati katër fëmijë. Shërbeu si përkthyes në ambasadën e SHBA në vitet 1929-1939. Industrialist, pronar i Minierës së Krrabës. Pati dy djem dëshmorë të luftës. U akuzua si i lidhur me Misionet Anglo-Amerikane, u vra në hetuesinë e Tiranës më 30.05.1947. Kolës dhe Loni Adamit Ambasada e SHBA u ka kushtuar një memorial brenda selisë së Ambasadës, 10 vjet më parë.

18. QEMAL DRACINI

Lindi në Shkodër më 1922, poet, pedagog i letërsisë ne Liceun e Shkodrës dhe studiues, u arrestu mbas “Lëvizjes së Postribes” dhe hetuesit u përpoqen ta nxjerrin dëshmitar kunder deputetit Riza Dani dhe si pjesëmarrës i grupit social-demokrat, por nga torturat mizore vdiq nëhetuesi më 10 tetor 1947.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *