Nga Lutfi Dervishi

Nëse do që të shohësh të gjitha këndet e hipokrizisë njerëzore, atë e gjen sot me 8 Mars, ku ajo vjen e veshur dhe stolisur me rrobat e Ditës Ndërkombëtare të Gruas. 

Më 8 Mars ata që gjatë gjithë vitit e harrojnë fjalën ‘barazi’, befas i kanë duart plot me buqeta lulesh për nënën, për “gjysmën më të mira”, apo për vajzën/at.

Mallëngjimi bëhet i plotë kur sheh vërshimet e urimeve në rrjetet sociale të cilat i përngjajnë atyre të fundvitit. 

Befas llogaritë në rrjetet sociale nga llogore politike, shndërrohen në faltore ku predikohen të drejtat e grave, publikohen citate, shpërndahen poezi, postohen këngë dhe përcillen dedikime letrare. 

Ndërkohë, kafenetë, baret e restorantet janë plot me vajza dhe gra që festojnë 8 Marsin me nga një pije në dorë duke shkrepur poza lumturie. 

Dilema festë apo protestë është zgjidhur me kohë në favor të së parës dhe me gjithë peshën që ka, për kohën kur po jetojmë një debat i tillë do ngjante klishe apo i dalë mode. 

Nuk mund të mos habitesh nga kjo ditë: Një lule këtu, një dolli atje, një copë torte dhe ja, e festuam edhe këtë 8 Mars. 

Por kulmi farsës mbeten ofertat.

A ka mënyrë më të mirë për të nderuar betejën e grave për të drejta dhe barazi sesa me 10% zbritje për buzëkuq dhe çanta dore? 

Ky është emancipimi ekonomik?

Në këtë teatër të madh të 8 Marsit, ironia është po aq e dukshme sa shenjat që si fsheh dot as tualeti mbi fytyrë. 

Dita e destinuar për të hedhur dritë mbi çështje si barazia gjinore, diferencat në paga, dhe të drejtat mbulohet nga hipokrizia dhe komercializmi.

Nesër do të jetë 9 Mars, lulet do të nisin të vyshken, postimet në rrjet sociale të 8 Marsit do të varrosen nën ciklonin e lajmeve per dhunë në familje, vrasje grash dhe ngacmime në vendet e punës. 

Nesër në kafene do të ketë më pak gra dhe vajza, e më shumë llafe për atë çka ndodhi një ditë më parë ku mjaft burra do ndajnë eksperiencat e tyre në pritje të zonjave në shtëpi. 

Por ndërsa faqet e kalendarit shfletohen, gjithçka do të zhytet serish në habitatin e e inercisë, do të vazhdojnë grindjet e zakonshme, dhe biznesi (edhe i politikës) do të presë me padurim rastin e radhës për reklamë dhe fitime. 

Dhe kështu, rituali vijon, me 8 Marsin që shërben si një kujtesë e përvitshme se kur bëhet fjalë për të drejtat e grave, ne preferojme aromën e hipokrizisë në vend të një reflektimi shoqëror mbi progresin e saj. 

Andaj, do qe me vend që 8 Marsi mbi të gjitha të konsiderohej edhe si dita kur ndahet çmimi “Nobel” i hipokrizisë. 

Edhe në këtë rast, le ta fitojë me meritokraci më… i miri!

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *