Nga Xhevat Mustafa

Se kur është krijuar dhe cilët kanë qenë “hamshorët e demat” apo “mamitë” e vërtetë të PKSH-PPSH-PSSH dhe se ç’rol ka pasur në lindjen e saj ilegale apo prostitutive Enver Hoxha, na ndihmon edhe një fakt fare i freskët, i publikuar në faqen e tij të Facebook, më 6 nëntor 2025, nga Dr. Vasfi Baruti.

Sipas tij, “Partia Komuniste Shqiptare u formua në Vitomiricë të Pejës, Kosovë, më 12 tetor 1941, në mbledhjen e parë politike, nën drejtimin e të ngarkuarit të PKJ-së, Boris Vukmiroviç, sekretar i PKJ-së, me 18 orë diskutim… Merrnin pjesë 4 përfaqësues të PKJ-së dhe 4 të tre grupeve ‘komuniste’ në Shqipëri. Nga ana e grupeve komuniste në Shqipëri ishin 3 vetë nga Kosova, me lidhje me PKJ-në: Fadil Hoxha, Elhami Nimani dhe Ali Shykria, dhe vetëm Koço Tashko nga Shqipëria… Nga kjo mbledhje u morën edhe 6 vendime…”

Në të vërtetë, këto vendime ishin “detyra shtëpie” për grupet komuniste në Shqipëri. Po sipas profesor Barutit, për këtë ngjarje, Akademik Prof. Ali Hadri është i pari historian shqiptar që e studioi, në themel e gjerësi, mbledhjen e Vitomiricës. Ai i referohet në studimet e tij një “blok-notesi” (bllok xhepi) të sekretarit politik të PKJ-së, Boris Vukmiroviç, me shënime për vendimet e datës 12 tetor.

Pas Ali Hadrit, për këtë mbledhje dhe “blok xhepi”, ka hedhur dritë edhe Prof. Dr. Nina Smirnova, historiane ruse, që kishte mbaruar studimet për gjuhë shqipe në Universitetin e Tiranës dhe që ia kushtoi jetën studimeve rreth historisë së Shqipërisë, duke u shquar për seriozitet profesional dhe objektivitet.

Formimi i Partisë Komuniste Shqiptare në Vitomiricë më 11-12 tetor formalizohet apo zyrtarizohet më 4-8 nëntor në Tiranë, ku përsëri, Enver Hoxha ka pasur rolin e një spektatori, figuranti, kamarieri.

Për këtë flet shumë edhe fakti se nga mbledhja e Vitomiricës nuk mbeti asnjë dokument arkivor në Shqipëri, ndërsa u ruajtën si sytë e ballit të ashtuquajturit “Procesverbal i mbledhjes themeluese” dhe “Rezolucioni i mbledhjes së grupeve kryesore komuniste”, në të cilët, pas redaktimit të thellë e të kujdesshëm, futet në mënyrë arbitrare dhe skandaloze, si “mish i huaj”, emri i Enver Hoxhës.

Kështu, bëhet e qartë se të dërguarit e PKJ-së dhe të J. B. Titos në Shqipëri, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, “e pollën” Partinë Komuniste të Shqipërisë dhe u kujdesën të shmangnin personalitete intelektuale dhe me shqiptari të dëshmuar, për të vënë në krye të saj njeriun e tyre, me arsim të mesëm, pervers, antishqiptar të tërbuar, Enver Hoxhën.

Edhe pas “vrasjes” së Miladinit më 15 mars 1945, ata ishin në krye të saj deri në ditën e publikimit të prishjes mes PKJ-së dhe PKSH-së dhe të sherrnajës Stalin-Tito, më shumë skenar e farsë sesa e sinqertë dhe për motive parimore.

Prandaj, nga sajimi në këtë mënyrë i pistë e nga “mami serbe”, qysh nga 8 nëntori 1941, Shqipërisë dhe Kombit Shqiptar i kanë rënë mbi kokë ortekë me gjëma dhe të këqija.

Nuk është larg të vërtetës dhe jo pa baza të thuhet se më 8 nëntor 1941 dhe më 29 nëntor 1944, Shqipëria u çlirua nga pushtuesit italianë dhe gjermanë, por ra nën pushtimin sllavo-komunist, jo zyrtar, por lehtësisht të nënkuptueshëm.

Duke u krijuar nga “vëllezërit jugosllavë” të Enverit, ishte e pritshme dhe e kuptueshme që PKSH do t’u shërbente interesave dhe synimeve të Titos, LKJ-së dhe të shtetit jugosllav.

Ky tipar gjenetik, qysh nga “mbarsja” dhe “pjellja”, u duk sidomos në funksionimin e PKSH-së si degë e PKJ-së; në hedhjen në koshin e plehrave të vendimeve të Marrëveshjes së Mukjes (2 gusht 1943) dhe të Konferencës së Bujanit (31 dhjetor 1943 – 2 janar 1944), si dhe në qëndrimin si spektator të brigadave partizane të Shqipërisë gjatë kryerjes së Masakrës së Tivarit.

Edhe më shumë dhe më hapur, kjo u shfaq në lehtësimin e barrës së Titos dhe LKJ-së gjatë viteve 1944-1948 për rikthimin e Kosovës në përbërje të RFJ-së dhe për shndërrimin e Shqipërisë në “Republikë të Shtatë” të saj.

Këtë mision që i kishin ngarkuar “vëllezërit jugosllavë”, Enveri e kreu edhe me vrasjen e shumicës së krerëve të familjeve të mëdha nacionaliste shqiptare, si dhe të intelektualëve dhe kuadrove të diplomuar në universitete prestigjioze të vendeve të Perëndimit dhe të Lindjes, duke ia lënë kështu drejtimin e vendit ish-partizanëve, shumica, si ai vetë, me shkolla të mesme ose gjysmë injorantë, por me besnikëri skllavi dhe bindje zagari ndaj tij.

Kjo “karakteristikë gjenetike” e Enverit dhe PKSH-së shprehet dhe kuptohet edhe nga fakti që, edhe sot e kësaj dite, më 8 nëntor 2025, plot 84 vjet pas 8 nëntorit 1941 dhe afro 81 vjet pas 29 nëntorit 1944, jemi ndër të fundit në Europë për nivelet e zhvillimit, pagave, pensioneve, mirëqenies, demokratizimit dhe drejtësisë së vërtetë, shtetit ligjor dhe social funksional, zgjedhjeve me të vërtetë të lira dhe të ndershme… dhe ndër të parët për shumë të këqija, sidomos për korrupsion.

Kjo e vërtetë bëhet edhe më e frikshme, kur kujtojmë se kemi një vend shumë të pasur me pasuri nën dhe mbitorësore; me një klimë shumë të favorshme për kultivimin e artikujve bujqësorë dhe të frutikulturës në të katër stinët; me diell rreth 9 muaj dhe me mundësi për turizëm detar dhe malor gjatë 365 ditëve të vitit.

E pra, përse nuk na kanë ndihmuar të gjitha këto dhurata të natyrës që të ishim shumë më mirë dhe krejt ndryshe nga sot, shumë më lart në klasifikimet europiane dhe botërore?

Sipas meje, përgjigjet mund të kërkohen dhe gjenden në tre drejtime: tek vetvetja, tek fqinjët antishqiptarë deri në histeri dhe monstruozitet, tek sistemi.

E keqja jonë si popull dhe si vend është se enverizmi, në këta mbi 12 vjet në formën e edramizmit, jeton dhe na pengon edhe sot e kësaj dite, dhe do të na dëmtojë shumë gjatë. Dhe kjo jo vetëm nga ata që i shkojnë Enverit te varri me portrete dhe tufa lulesh në duar më 11 prill, 5 maj, 16 shtator, 24 maj, 16 tetor, 8 nëntor, 29 nëntor…

Jo pak të tjerë, sidomos në fshatra, zona periferike të qyteteve dhe të ardhur nga fshati pas vitit 1990, janë me “Enverin e tyre”, me mentalitetin, dogmat, parullat, zakonet dhe veset që u rrënjosi ai, edhe nëpërmjet nostalgjisë që shprehin hapur dhe në mënyrë provokuese për atë si njeri, si sistem dhe si epokë, duke guxuar të thonë edhe “fraza të çmendura” se “ishim më mirë në kohën e tij”.

Sipas meje, në parim, të jesh sot enverist, “i majtë shqiptar”, do të thotë të shprehësh besnikëri dhe partishmëri të verbër ose të çmendur ndaj një partie që të ka mashtruar, tradhtuar dhe trajtuar në mënyrë çnjerëzore jo një herë e jo rastësisht, por për 81 vjet me radhë, pa shfaqur ndonjëherë pendesë apo kërkim faljeje.

Pas 81 vjet mashtrimesh, nëpërkëmbjesh, dështimesh, zhgënjimesh nga e majta, shkaktare dhe përgjegjëse e vetme që jemi në këtë gjendje mjerane, të fundit në Evropë për shumëçka dhe në rrezik të katandisjes në 1 milion banorë pas rreth 30 vitesh, i takon edhe “të majtëve” të reflektojnë për të ndërruar bindje, krah lëvizjeje dhe vote. Sepse do ta pësojmë të gjithë edhe më keq se në këta 81 vjet.

Tashmë është bërë e qartë se përrallat apo farat e komunizmit dhe të socializmit u mbollën në vende dhe popuj të Lindjes, ku rreth 75% e popullsisë jetonte në fshat ose ishte me origjinë fshatare, me nivel tejet të ulët arsimor, kulturor, edukate qytetare apo me nivele të larta varfërie, analfabetizmi dhe injorance.

Kjo shpjegon ndarjen, si me thikë, të botës, sidomos të Europës, në Perëndimin e djathtë, kapitalist, me nivel të lartë zhvillimi, mirëqenieje e demokracie, dhe në Lindjen komunisto-socialiste, ku mbizotëronin diktaturat, varfëria, papunësia, korrupsioni dhe emigracioni.

Ndryshimin midis dy sistemeve dhe avantazhet e Perëndimit i shpreh edhe fakti që “lumi i fryrë i emigracionit” është në një drejtim: nga Lindja drejt Perëndimit, nga Rusia, Kina, Ukraina, Serbia, Shqipëria… drejt Italisë, Gjermanisë, Francës, Anglisë, vendeve të ulëta, vendeve skandinave, SHBA-së, Kanadasë, dhe jo në kahun e kundërt.

Vetëm disa enveristë dhe edramistë nuk duan ta pranojnë dështimin e të majtës, një realitet që nuk mbulohet as me gjethet e të gjithë fiqve dhe as me parcelat e kanabizuara, as me miliona metra katrorë të mureve dhe xhamave të të gjitha kullave të miliardave të pista, antiligjore dhe kriminale të Shqipërisë.

Një e keqe tjetër e jona është se shumë shqiptarëve, jo vetëm ua kanë shpëlarë trutë Enveri, Ramizi, Fatosi, Edi…, por edhe u ka ënda të qëndrojnë edhe 81 vjet të tjerë nën qeverisje të majta, me nivele të larta korrupsioni, paaftësie, papërgjegjshmërie, pandjeshmërie njerëzore e sociale.

Këta kapen tek sloganet e prodhuara nga partia e tyre e zemrës, se “të dy palët janë njësoj” dhe se “PD dhe opozita, në gjendjen që janë, nuk ofrojnë besim e siguri se mund të qeverisin më mirë dhe me nivel korrupsioni ndjeshëm më të ulët”.

Ndërsa i thonë këto, bëjnë sikur harrojnë se katandisja e PD-së dhe opozitës në këtë gjendje dhe e vendit pa opozitë dhe pa pluralizëm të vërtetë, apo në një neo-diktaturë të ngjashme me Shqipërinë e vitit 1945, janë investime dhe “kryevepra” po të partisë së tyre dhe të kryetarit të saj, të ndihmuar “vëllazërisht” nga Xhorxh dhe Aleks Soros, nga disa ambasadorë të SHBA-së e të BE-së, nga Charles McGonigal.

Natyrisht, edhe nga një kontingjent jo i vogël “kuajsh dhe pelash të ish-Bllokut, ish-Sigurimit, Sorosit…” brenda PD-së, sidomos në kryesinë dhe grupin e saj parlamentar, si dhe në pushtetin vendor.

Jetëgjatësia e PKSH-PPSH-PSSH në pushtet, 47 vjet deri më 1991 dhe 22 vjet nga 1992 deri më 2025, nuk është rezultat i aftësisë së qeverive “të majta”, por i favorizimit dhe mbështetjes së tyre me çdo formë e mënyrë, nga bastionet e enverizmit, nga struktura të ish-Sigurimit enverian, nga sorosianizmi, nga mafia shumëngjyrëshe shqiptare dhe ajo ndërkombëtare.

Kjo e fundit ka gjetur në Shqipëri, sidomos në sektorin e ndërtimit, hapësira të mëdha për pastrimin e miliardave nga drogat dhe trafiqet e tjera, si dhe për ndikim edhe në rezultatet zgjedhore, në përzgjedhjen e deputetëve, ministrave, kryetarëve të bashkive.

Duke ditur po aq mirë se shumica e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve janë të ndërgjegjshëm për këta tregues të ulët në shumicën e fushave të zhvillimit, shtetit ligjor, emancipimit qytetar, demokracisë dhe korrupsionit, megjithatë, kryeministri Edi Rama, nëpërmjet gojëve të disa diplomatëve sorosianë ende të infiltruar në strukturat e BE-së, u premton shqiptarëve anëtarësim të përshpejtuar në BE deri më 2030, madje edhe më herët, si dhe “mrekulli” të reja për rritjen e mirëqenies.

Kështu që, ata që e njohin mirë Edi Ramën si njeri, si kryetar dhe kryeministër aktual të PKSH-PPSH-PSSH, që nuk mashtrohen nga premtimet dhe propagandat e tij, nga kullat 40-65 katëshe, nga pistat automobilistike 190 milionë euro, nga portet e jahteve në Vlorë, Durrës, Sarandë, prej të cilëve përfitojnë multimilionarë të ndërtimit, turizmit dhe trafiqeve, ndërsa shumicës së shqiptarëve u mbeten “kockat”, mund të thonë me ironi të hidhur:

Lum kush ta jetojë “parajsën” e fjalimeve si të Enverit dhe si të Edi Ramës, domethënë sorosianizimin dhe kolumbianizimin e plotë të Shqipërisë, dhe ta shikojë e ta gëzojë!

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *