Nga Ermal Mulosmani
Është veshtirë të japësh një përcaktim për Panairin e Librit në Shqipëri. Sa herë futem në të, mahnitem nga çorganizimi fenomenal që organizatorët kanë zgjedhur për të shitur produktet e tyre. Me mijëra tituj romanesh, tregimesh, esesh, libra për fëmijë, historikë, politkë, filozofikë, erotikë e kushedi sa gjini të tjera, janë zdërhallur në tavolina a tezga pa asnjë kriteri seleksionues. Mund të gjesh një roman të Tolstoit pranë një eseje për politikën ndërkombëtare apo Pinokun komshi me “Edukimin e ndjenjave” të Floberit. Më kot tenton të gjesh ndonjë kriter apo të gjesh rastësisht librin për të cilin ti ke interes. Nëse nuk e di shtëpinë botuese, aha, duhet të kontrollosh 10 mijë tituj për ta gjetur.
Unë e gjej shpejt veten duke u sjellë si kali në lëmë me drojën se në çdo metër do takoj mikun tim shkrimtar që vërdalloset në kërkim të viktimave si unë…
Këtu është vendi për tu dedikuar pak fjalë shkrimtarëve pasionantë, atyre që pranojnë të dalin edhe me humbje me kushtin që libri i tyre të shkojë te lexuesi. E kam fjalën për atë racë që nuk rron dot pa shkrimin jo për ata që shkruajnë për të përkëdhelur sqimën artistike apo për të bërë para nga shkrimi. Me një fjalë po i quaj shkrimtarët e vërtetë.
Shkrimtarët e vërtetë janë ata që harxhojnë orë të tëra në kërkim të fjalës së duhur, që një paragraf u merr një ditë të lodhshme, që flejnë me figura letrare në mendje, që zhyten thellësive të errëta, të ftohta e vetmitare të krijimit; ata janë bohemë, nervozë, seriozë. Personazhet e tyre janë krijuar me gjakun e dashurisë për ta, janë latuar e farkëtuar në magjen oshënare të pasionit krijues. Gjithë ai proçes i lodhshëm, vetmitar e i pakohë, vjen e paketohet për të qenë i gatshëm për në Panair.
Shkrimtarët dalin nga guva e tyre vetmitare për ta ballafaquar krijesën e tyre të dashur me makthin e tyre më të madh: lexuesin! Ata refuzojnë të dalin mediave të bëjnë qoka reklamimi dhe ta marrin me të mirë makthin e tyre. Mendojnë se libri do flasë vetë se puna e tyre tashmë ka mbaruar.
Por libri i tij flet me gjuhë krejt tjetër dhe lexuesit e Panairit një gjuhë tjetër. Këta të fundit as duan t’ia dinë fare për mundin e të parit, për karakteret unikale, figuracionin origjinal, temën interesante apo shtjellimin e guximshëm. Këto t’i pijë me lëng ai shkrimtari i gjorë që vërtitet rruginave të panairit me shpresën se do gjejë një mik t’i blejë a dhurojë një kopje!
Shkrimtari vetmitar sheh që askush nuk afrohet në stendën e tij, e marrin për kalimtar, askush nuk e njeh. Thellë-thellë ai nuk urren asgjë më shumë sesa lexuesin. Këtë fodull injorant që nuk e përfill asfare e njëkohësisht është bosi i tij. Sikur të kishte mundësi ta bënte veten mbinjeri do ta kapte me shpulla këtë lapangjos mendjemadh… Por sapo ky lapangjos afrohet dy metra larg stendës se shkrimtarit, zemra i regëtin fort. Merr një libër dhe i buzëqesh gjithë hipokrizi.
Lexuesi largohet sikur shkrimtari të kishte covid…
Shkrimtari mallkon me mendje: “Ah, injorant që s’do bëhesh kurrë njeri. Ik shko te Blushi se aq meriton”.
Lexuesi, si ta kishte dëgjuar mendimin e tij ecën me të shpejtë drejt stendës së Blushit që e përshëndet gjithë gaz…
Nga larg shkrimtari shquan një mikun e tij gazetar (mua). “E kapa një” – mendon.
“Po nuk e bleu do ia dhuroj” mendon me vete. “Ah, sikur ta lexojë një kopje! Do u tregojë shokëve dhe me siguri e vërteta do të dalë. Ka edhe një proverb për këtë gjë” – mendon shkrimtari i gjorë…
Por unë e pikas nga larg dhe marr kthesën. Jam bërë vigjilent ndaj të tillëve. E di që shkruan bukur dhe ka ide interesante por unë kam një ide tjetër: “T’i ik sa më larg e të blej librat që kam në mend”!
Unë vërtetë nuk u blej libra shkrimtarëve televizivë apo albatrosëve të vegjël të instagramit. Ata janë një barrë e lehtë për t’u kapërcyer. Ama bëj edhe këtë tjetrën, u shmangem edhe atyre që ua çmoj fjalën! E bëj sepse në kokë kam titujt e mi dhe në xhep paratë e mia.
Sepse e gjykoj të paarsyeshme të shpjegoj këtyre mjeshtrave shqiptarë të zejes së shkrimit, këtyre argjendarëve oshënarë të fjalës që nuk kam aq kohë sa tu kushtoj edhe kryeveprës së tyre pa lexues. Do ishte tmerrësisht fyese për ta. Ata më vlerësojnë si lexues, nuk kanë kurrfarë mirëkuptimi me zgjedhjet e mia përjashtuese. Ndaj më mirë mos të ndeshem me ta. Refuzimin e tyre e bëj me dhimbje.
Le të jenë këta rreshta edhe një formë ndjese për ta.
Dua të blej një Hellbek, nje Oz, një Ruzhdi, Javier Marias, Gunter Grass. Kaq kam ndër mend të blej. Po hajde gjeji se. Ato janë shpërndarë në kushedi se çfarë shtëpish botuese tre në degë e dy në majë; për të gjetur gjithë librat që kam ndërmend duhet të bredh Panairin me centimetër….
Befas shoh Blushin, llërëpërveshur e me stilolaps në dorë, të rrethuar nga 10-15 vajza, gra por edhe burra, në pritje të një fotoje me shkrimtarin e famshëm. Pashë në padurimin e atyre njerëzve dhe llërëpërveshjen e Blushit fiks fenomenin e filmit te Ledionit, këtë radhë në letërsi!
Kam parë apo lexuar me dhjetëra komente për librin e Blushit që parashikon një komplot me afganë që popullojnë Shqipërinë e pas 20 viteve, që njëri prej tyre bëhet ministër Mbrojtjeje i Shqipërisë dhe vendos të sulmohet Kosova për t’u çliruar/pushtuar nga Shqipëria. Njëri prej komentuesve mendonte se me këtë libër Blushi do të jetë një kandidat i denjë për Nobel etj etj.
Këto broçkulla po mendoja tek shihja adhuruesit blushianë të komplotit me afganë që prisnin me durim fotografinë e autografin. Po mendoja se a do ishin gati të paguanin vetëm për këto dy momente, pa librin, dhe thellë brenda vetes pata një bindje se po, ata duan vetëm foton dhe autografin, jo edhe librin… Ose librin e kërkojnë për dekor në një bibliotekë me libra dekorativë. Ata njerëz pak ishin të interesuar për komplotin me afganë apo stilin e njohur të Blushit. Ata donin të tregonin foton dhe autografin.
Blushi ishte ylli i Panairit!
Media ka bërë të veten. Lexuesi lexon atë që do media, sheh atë film që do media, voton atë politikan që do media. Stari i artit, politikës, showbizit është produkt i medias. Botueset më të famshme janë ato që tregojnë histori limonata në emisione prime time, librat më të shitur janë staret e televizionit, politikës, biznesit, rrjeteve sociale apo konspiracionistët.
Ben Blushi është miksimi ideal për një publik të tillë: Ai është ish-gazetar, ish-politikan, biznesmen, drejtor televizioni dhe konspiracionist. Shto këtu edhe agresivitetin helmues prej akrepi.