Viti 2022 ishte i qetë në segmentin e shëndetësisë pas një periudhe dyvjeçare kur pandemia i dha goditje jo vetëm shëndetit të popullatës, por edhe ekonomisë.

Vdekjet ranë me 21.3%, në raport me 2021, kur kulmuan në 30.5 mijë për shkak të pasojave të pandemisë, por gjithsesi ato mbetën 7% më të larta sesa mesatarja e 2016-2019, kur kishte një situatë normale.

Bizneset e lidhura me shëndetin e kishin në fakt tendencën e kundërt me ciklin e ekonomisë. Gjatë pandemisë, kur sipërmarrjet vuanin pasojat e karantinës dhe ndalimit të lëvizjeve, laboratorët e spitalet private panë rritje të ndjeshme të të ardhurave.

Në 2020-2021, aktiviteti i laboratorëve privatë u shumëfishua, fitimet po ashtu. Spitalet private, nga ana e tyre, ndonëse i rritën të ardhurat, nuk arritën që ta përkthenin në fitime.

Pas pandemisë, aktiviteti i tyre është “qetësuar”. Ndërsa depot farmaceutike vijojnë aktivitetin me rritje, e ndikuar nga plakja e popullsisë dhe pasojat që la COVID në rritjen e barrës së sëmundshmërisë.

Nga laboratorët, “Genius Lab” është i vetmi në listën e vitit 2022, por gjithsesi fitimet e tij ranë me 83%, në 228 milionë lekë. Norma e fitimit nga 65.6% në vitin 2021, u ul në 28% në 2022.

“Intermedica Center”, laboratori më i madh privat në vend, sipas të ardhurave, ka dalë nga lista e fitimeve në vitin 2022, pas rënies së tyre me 78%, në 150 milionë lekë. Norma e fitimit ra në 16%, nga 36% vitin e mëparshëm. Të ardhurat u përgjysmuan në 930 milionë lekë.

Më i qëndrueshëm ishte aktiviteti i “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”, që vepron në prodhimin, shitjen dhe tregtimin e gazrave teknike, terapeutike. Kompania raportoi rritje të fitimeve me 22%, në 185 milionë lekë.

Pjesa më e madhe e depove të mëdha farmaceutike panë një përmirësim të lehtë të normave të fitimit në vitin 2022, si rrjedhojë e zgjerimit të të ardhurave me ritme më të larta sesa të shpenzimeve.

Normat e fitimit u luhatën nga 5% në 7%, ku rekordin e mban “Profarma”, prodhuesi vendas i barnave, në 17%.

Spitalet e mëdha me humbje, kur pritet të dalin me fitim

Gati një dekadë nga lulëzimi i biznesit të spitaleve private, të gjitha vazhdojnë të raportojnë humbje të larta, ndonëse zakonisht ky cikël, sipas raporteve globale, zgjat rreth 3 vjet.

Gjatë periudhës së pandemisë u rritën të ardhurat, por jo fitimet, për shkak të shpenzimeve shtesë për përballimin e pandemisë. Në vitin 2022, rritja e të ardhurave u ngadalësua ndjeshëm dhe rezultati financiar vijoi të përkeqësohej.

Sipas operatorëve të tregut, kjo performancë lidhet kryesisht me faktin që çmimet e shërbimeve private shëndetësore janë të ulëta, ndërsa kostot janë të larta dhe në rritje.

“Duhet theksuar se për arsye se shërbimet shëndetësore në sektorin privat paguhen plotësisht nga pacientët dhe të afërmit e tyre (out of pocket payment), pa kontribut nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore në Shqipëri, dhe në kushtet ku aftësia paguese për këto shërbime është e ulët, me një inflacion në rritje në vitet e fundit, ka një presion për të mbajtur çmime të ulëta për këto shërbime, në krahasim me çmimet që paguhen në vende të tjera për të njëjtat shërbime.

Këto çmime nuk i justifikojnë kostot e rritura të këtyre shërbimeve, si për materialet që kryesisht importohen, edhe për kostot e rritura të stafit administrativ dhe mjekësor”, thotë Osvelda Qafa, CFO e “Spitalit Amerikan”, më të madhit privat në vend.

Për ilustrim, shton ajo, një ndërhyrje rutinë artroskopi e gjurit, në një spital privat në Angli bëhet për 4,865 paund, ndërsa në spitalet tona për 1,800 euro (pa implante), ndërsa një timpanoplasti në një spital privat në Angli bëhet për 3,405 paund, ndërsa te ne për 1,500 euro.

Ndonëse Shqipëria teorikisht ka shërbim falas për të gjithë, cilësia e tyre apo vonesa në shërbime nxit që shumë pacientë të drejtohen drejt spitaleve private, që duhet t’i paguajnë vetë.

Një raport i mëparshëm i Bankës Botërore ka bërë të ditur se shpenzimet nga xhepi për shëndetësinë janë një barrë për 57% të shqiptarëve, përqindje që sipas Bankës është më e larta në Europë dhe në nivelin e vendeve me të ardhura të ulëta, si dhe shumë më e lartë se Europa Qendrore dhe vendet baltike, që e kanë këtë tregues në 23%.

“Spitali Amerikan” (American Hospital) që është më i madhi në vend, në vitin 2022 i thelloi humbjet në 334 milionë lekë, tre herë më shumë se viti i mëparshëm.

Në vitin 2022 qarkulloi 5.5 miliardë lekë, me tkurrje 23% me bazë vjetore. Në raportin e aktivitetit, “Spitali Amerikan” pohon se “viti 2022 ka vazhduar të jetë i vështirë, për shkak edhe të situatës ekonomike në vend dhe rënies së fuqisë blerëse të familjeve”.

Osvelda Qafa, CFO e “Spitalit Amerikan”, pohon se American Hospital Group (AHG) ka pasur një ecuri shumë të mirë të të ardhurave në vite, me ritme dyshifrore, duke kombinuar mundësitë e shitjeve të kryqëzuara nëpërmjet linjave të biznesit:

Spitalet, Poliklinikat dhe Rrjeti Laboratorik nën brandin “American Hospital”, si duke u bazuar në rritjen organike, ashtu edhe duke zbatuar blerjet e bizneseve. “Me kalimin e viteve, kemi treguar fleksibilitet në ndryshimin e modelit të biznesit për t’ju përshtatur kërkesave dhe mjedisit dinamik të tregut, ku periudha e kaluar gjatë COVID-19 ishte një shembull i kohëve të fundit”.

Por, në një mjedis në rritje, marzhet e fitimit janë më të ulëta, për më tepër që kostot e operimet janë të larta dhe spitali duhet të investojë vazhdimisht, për cilësinë e shërbime të kualifikuara, zhvillimin e linjave të reja të biznesit, zgjerimin në tregje të reja, sjelljen e investimeve e pajisjeve të teknologjisë së fundit dhe kryerjen e shërbimeve e procedurave të reja në Shqipëri dhe Kosovë.

Krahas çmimeve të ulëta të shërbimeve, për të qenë në linjë me aftësinë paguese të pacientëve, znj. Qafa sqaron disa nga faktorët që ndikojnë në kostot e larta me të cilat përballen spitalet private. Një faktor lidhet me pandeminë e COVID-19.

“Për grupin, si kostoja e materialeve edhe shpenzimet operative janë rritur ndjeshëm nga viti 2020 e më tej, për shkak të ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit, dhe vazhdimësia e blerjes së mallrave dhe shërbimeve rezultoi me kosto më të larta se në vitin 2019, i cili konsiderohet si viti i fundit i qëndrueshëm dhe si referencë për performancën e qëndrueshme të industrisë”.

Edhe kostot e personelit, dhe më konkretisht kostot e personelit mjekësor janë rritur nga viti 2020, për shkak se qeveria rriti ndjeshëm pagat për mjekët dhe infermierët në spitalet shtetërore dhe në përgjithësi, niveli minimal i pagës është rritur disa herë që nga viti 2020 e deri më sot.

“Kjo pasqyrohet në rritjen e kostove nga pagat e personelit në vitet 2020-2022. Edhe në vazhdim dhe ka ende një presion të lartë për më shumë rritje nga tregu, për shkak të niveleve të larta të inflacionit dhe mungesës së fuqisë punëtore në vendet që operojmë.

Tendenca e personelit mjekësor për të lëvizur drejt vendeve më të zhvilluara, ku gjejnë paga më të larta, pritet të vazhdojë të rrisë koston e stafit mjekësor dhe gjetja e personelit mjekësor do të vazhdojë të jetë një sfidë në periudhë afatmesme”.

Një tjetër faktor lidhet me investimet. “Duhet shtuar se industria ku operojmë ka nevojë për investime të vazhdueshme në teknologjinë më të fundit, në mënyrë që të ofrojmë shërbimet më të mira në treg (capital intensive industry). Ndaj një pjesë e buxhetit tonë të investimit shkon për investime kapitale në pajisje dhe teknologji dhe, si rezultat, shpenzimet e amortizimit për to janë të larta. Ky është një faktor tjetër i rëndësishëm që ndikon në humbje”.

Znj. Qafa shton se megjithatë, Fitimi para Interesave, Taksave dhe Amortizimit (EBITDA) ka qenë vazhdimisht në rritje për shkak të përmirësimeve të qëndrueshme operacionale, dhe duke përfituar nga sinergjia e krijuar deri në vitin 2019, periudha e fundit e qëndrueshme përpara COVID-19.

“Fitimi para Interesave, Taksave dhe Amortizimit (EBITDA) pritet të shkojë në nivelet e 2019 këtë vit, dhe performanca e mëtejshme pritet të shohë përmirësime me rritjen e mëtejshme të të ardhurave (xhiros), e cila mund të vijë nga rritja organike e kërkesës apo nevojës për shërbime shëndetësore në vend, për shkak edhe të moshimit të popullsisë dhe nga turizmi mjekësor, i cili përcaktohet të jetë një linjë e re e biznesit në industrinë tonë”.

Ajo parashikon që përfitueshmëria e industrisë pritet të përmirësohet me rritjen e mëtejshme të të ardhurave, pasi të ardhurat shtesë do mbulojnë kostot fikse dhe do të kontribuojnë në një Fitim para Interesave, Taksave dhe Amortizimit (EBITDA) më të lartë dhe performancë pozitive në vitet në vijim, ndërsa kostot do të stabilizohen e përthithen nga biznesi në periudhë afatmesme.

International Hospital” (ish-Hygeia), po pjesë e grupit të “Spitalit Amerikan”, raportoi 2.8 miliardë lekë të ardhura, me tkurrje vjetore prej 10.4%. Dy vitet e fundit, spitali ka reduktuar pothuajse në zero humbjet, që ishin shumë të larta përpara se të shitej te “Spitali Amerikan”.

“Salus”, spitali i tretë më i madh në vend, raportoi 641 milionë lekë të ardhura, me rënie 16%. Ndërsa për herë të parë që pas fillimit të aktivitetit, në 2021, ky spital raportoi fitime, që arritën në 73 milionë lekë, në vitin 2022 iu rikthye humbjeve, në -61 milionë lekë.

“German Hospital International” deklaroi të ardhura 531 milionë lekë dhe fitim minimal prej 4.9 milionë lekësh.

“Spitali Europian” kishte një qarkullim vjetor prej 439 milionë lekësh dhe humbje 145 milionë lekë.

Burimi: Monitor.al

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *