Nga Saimir Kadiu

Një zë brilant i njohur për rrethet muzikore të atyre viteve, por që më vone u harrua totalisht…

Kush ishte Klotilda Shantoja, kjo meteore e operistikës shqiptare?

Lindi në Tiranë me 2 tetor 1930 në një familje të njohur shkodrane që ishte zhvendosur nga Shkodra në Tiranë. 

Nga fundi i vjeshtës së vitit ’46, familja Shantoja dëbohet nga Tirana për në Shkodër, pasi xhaxhai i Klotildës, Dom Lazer Shantoja, kleriku i famshëm intelektual, patrioti i madh dhe muzikanti i shquar, do të masakrohej pa gjyq nga regjimi komunist.

Klotilda ishte aktivizuar që e vogël në Katedralen e Tiranës dhe në Radio Tirana. Dhe kënga e parë që këndoi në një koncert ishte kënga e “Borëbardhës”. 

“Isha vetëm 13 vjeç, kur më zgjodhën për të kënduar në koncert. Suksesi ishte i madh dhe për mua ai mbeti një emocion i rrallë. Në fillim karriera ime rrodhi natyrshëm. Për faktin se rridhja nga një familje me prirje muzikore, babai im i binte pianos dhe flautit. Kur mblidheshim në shtëpi organizonim koncerte familjare, shpeshherë dhe me pjesëmarrjen e axhës, Dom Lazër Shantoja, i cili i binte disa veglave muzikore”.

Vetëm një herë çedoi regjimi ndaj kësaj këngëtareje të talentuar, kur përdori talentin e saj për operën e parë shqiptare.

Me pas emri i saj nuk u përmend më.

Me rastin e 20-vjetorit të operas “Mrika”, Klotilda Shantojës i hiqet fotografia nga origjinali i vitit 1958 dhe në vend të saj montohet një këngëtare tjetër, e cila asnjëherë nuk doli në rolin e Mrikës”, komenton muzikologu shkodran Ferit Bala.

Pak para se të vdiste në vitin 1994, Klotilda do të theksonte:

“E them sinqerisht, se ndër fatkeqësitë e rënda, të cilat i kam vuajtur shumë, qoftë për axhën që e pushkatuan pa gjyq, burgosjen e babait dhe të vëllait, persekutimin e gjatë, largimi nga skena ka qenë fatkeqësia më e madhe e jetës sime”. 

Por brenga e Klotildës ka vazhduar dhe pas viteve ’90. Për këtë ajo ka deklaruar:

“Tani, me ardhjen e demokracisë, vuaj më shumë. Them me vete si nuk u kujtua kush për mua, për këngëtaren e parë të operas Mrika! Nuk u kujtuan as redaktorët e radios, as shoqëritë intelektuale të qytetit. Siç duket ende sot nuk dinë të respektojnë vlerat intelektuale të qytetit”.

Nuk është kurrë vonë të rehabilitohen vlerat intelektuale dhe artistike dhe gjeneratat të mësojnë se kush ishte “Mrika” e parë shqiptare.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *