Nga Leka Ndoja
Mund të vinte në atrium i veshun thjeshtë. Prekte parketin e skenës me majën e këpucës tak-tak-tak, një tubë drite e përfshinte në gyp. Dritat e tjera fashiteshin. Personazhi historik a biblik shfaqej. Pistoleta e ndriçimit krijonte nji kurorë drite fosforeshente nga buronin fjalët-magji.
Studime? as që përfytyrohej të kishte.
Mbaronte shfaqja – ai nuk i priste duartrokitjet. Trokëllinte me majën e këpucës parketin e skenës tak-tak-tak. Dilte nga skena si hije por me hap të prerë si Hamleti atë.
Po të takoheshe me të dhe t’i kërkoje hollësi përshkrimesh historike do të drejtonte te Muftula.
Si – i drejtoheshin – të pyesim, rojen e gjymtë? Po sigurisht, Borhesi nji i tillë ishte, verban- dhe qeshte.
– Biblografët janë gjithmonë në gjueti, me kafshët e së panjohurës e gjymtohen në pyllin e përdijes.
M’u kujtua quhej Muftula!
Ai ishte mik. Mik derisa ia huante të përdijshem shkrimtarit ekualizer Kunst.
Ai ishte dikushi – sepse njohja fundja ç’ishte? Përshendetje e paprashme e njerëzve në kafenenë e biblotekës.
Muftulës? Po, atij i japin shkrimtaret librin ma të arrirë. Por pa dijet e Muftulës ato do të mbeteshin gjysma subjektesh.
Muftula i plotësonte me foot nota dhe Kunsti e niste veprën nga e para duke e mbushë me shënimet e Muftulës.
Dikur Kunsti i përvetësoi shënimet e Muftulës saqë personazhet ndritën në skenë. Mjaftonte prerja e fjalëve me kumbe e intonime të larta e të buta dhe publiku ngazëllehej.
Kunsti mendonte se teknika e recitimit e ngrinte dy here performimin e tij.
Ishte shfaqja e 100-të e Kunstit kur pa në fund të sallës portretin ironik të Muftulës.
Muftula teksa dëgjonte tregimin u kujtua se ishte bashkëautor.
Personazhet morën ngjyra e vërvitje në gojën e Kunstit. Dicka eterne u pështjellue në fjalët e tij – zani i Kunstit u kthye në bas.
Muftula donte ta ndërpriste nga fundi i sallës, ulëriti, por zani i ishte tretë,
Kunsti rrahu takat tak-tak-tak në skenë dhe ndërsa dilte nga skena u dëgjua një trup i gjymtë që binte i vdekur në fund të sallës.
Ishte bibliografi Muftula.