Nga Daut Dauti
Secili njeri e ka karaketrin e vet. Këtë ne e dimë nga kontaktet që kemi me njerëz. Në vitin 1991 e mora një dhomë me qira në Cricklewood të Londrës, e cila është lagje që njihet si e irlandezëve. Dhoma ishte për dy veta, por ne shpesh bëheshim katër e nganjëherë edhe pesë. Vinin njerëz që i njihja e që nuk kishin ku të strehoheshin dhe rrinin aty derisa stabilizoheshin. Pronari vinte çdo të hëne për paratë e qirasë dhe nuk bënte problem edhe pse ne nuk e respektonim marrëveshjen për numrin e personave në dhomën tonë. Pronari ka qenë irlandez dhe njeri shumë i mirë. Interesohej për gjendjen tonë aty, por edhe për vendin prej nga vinim për shkak se e kishte kapluar lufta.
Në dhomën që kishte pamje nga rruga kryesore, e cila ishte primare dhe më e mira, banonte një çift portugez. Në dy dhomat tjera, banonin Patricku dhe Liami. Këta dy kanë qenë vëllezër nga Irlanda Veriore. Të gjithe kemi qenë të një moshë të përafërt, nga 25 deri në 30 vjeç. Por, të gjithë me karaktere të veçanta.
Çifti portugez punonte në një restorant portugez. Kanë qenë të urtë, me pamje zeshkane dhe trup mesatar. Vajza me faqe gurabije, i kishte flokët më të shkurtëra se të partnerit të saj. U habita një ditë kur më thanë se janë myslimanë. Habia ishte edhe më e madhe për shkak se ishin myslimanë me shekuj e jo të konvertuar. Nga ato pak familje iberiane që e kanë ruajtur fenë e tyre në mënyrë të fshehtë pas rënies së sundimit mysliman.
Këta dy vëllezërit irlandezë nuk kishin asgjë të përbashkët nga pamja dhe karakteri. Shembull se si vëllezërit dallojnë nga njëri-tjetri edhe pse vijnë nga të njëjtit prindër. Por, që të dy kanë qenë të butë dhe të sjellshëm. Patricku ka qenë ‘plasterer’ (gipser). Kur vinte nga puna, lahej vazhdimisht. Shtathedhur dhe me flokë bionde që ia preknin supet. Pasi që punonte fizikisht, kishte trup të ndërtuar bukur. Ditëve të diela, kur nuk punonte, vishej bukur dhe dukej si yll hollivudi.
Liami ishte e kundërta e Partrickut në pamje dhe gjëra tjera. Ishte i shkurtër me trup dhe lahej rrallë dhe atëherë i ndërronte edhe rrobat e trupit. Në dhomën e tij kishte vetëm një dyshek të shtruar në tokë dhe me çarshafë e jastëk që nuk e mbaj mend se i ndërronte ndonjëherë. Në dhomë kishte gjëra të çuditshme që ishin kryesisht vegla të punës për ndërtimtari e ndonjë stoli shtëpie. Edhe në oborr i palonte disa goma e ‘bandasha’ të veturave. Ai i shiste këto gjëra dhe nga kjo punë jetonte. Kisha përshtypjen se i vidhte dikund. Kohën më të madhe e kalonte në njërin nga pabat irlandezë në Crickelwood High Street ku kishte edhe muzikë ‘live’.
Liami zgjohej vonë dhe kthehej natën, po ashtu vonë në banesë. Pasi që vinte i dehur, vonohej te dera e hyrjes derisa e gjente çelësin dhe pastaj derisa e gjente vrimën e çelësit. Tërë këtë punë e shoqëronte me fishkëllimë dhe duke kënduar një varg (vazhdimisht të njejtë) të një kënge irlandeze. Kur më në fund ia dilte të hynte brenda, zëri i këngës kumbonte në koridor. “Erdh Liami” – thoshim të gjithë. Pastaj, vonohej edhe një herë derisa e hapte derën e dhomës, sikur edhe atë ty hyrjes së shtëpisë.
Një ditë para Kërshëndellave Particku shkoi në Irlandë për festë te prindërit. Është festë e madhe, sidomos për katolikët dhe këtë gjë nuk e lëshonte Particku edhe pse nuk dukej religjioz. Është punë tradite. Të nesërmen e takova Liamin në kuzhinë dhe e pyeta:
“Pse nuk ke shkuar në shtëpi për Kërshëndella me vëllaun”?
Ai ma ktheu: ”Unë nuk jam si ai me shku n’shpi për çdo vjet. Hiqu tij.”