Nga Arbër Zaimi

Botëkuptimi se “shteti është menaxher i korruptuar dhe i dështuar” është gabim. Kur ata që drejtojnë nuk janë të korruptuar, shteti nuk është i korruptuar, kur ata që drejtojnë janë profesionalë shteti nuk është i dështuar.

A është e çuditshme që disa politikanë e analistë djathtistë kosovarë shfaqin trishtim e zemërim tash që, me drejtimin e qeverisë të Vetëvendosjes e të Albin Kurtit, kompania publike Vala po ofron paketa shumë konkurruese në treg, për telefoni celulare, si dhe internet dhe programacion televiziv në shtëpi?

Jo nuk është e çuditshme. Bashkëmendimtarët e tyre të pushtetshëm dikur i kanë përdorur ndërmarrjet publike si “magazinë votash”, duke punësuar atje votuesit e jo specialistët. Ky lloj menaxhimi mjelës e zhvatës e shkatërronte ndërmarrjen publike, e fuste në humbje e në borxh, dhe si përfundim publikisht shpallej si ilaç privatizimi. Ndërsa gjatë privatizimeve, të pushtetshmit zakonisht merrnin “dhurata” të mëdha poshtë tavolinës, prej privatizuesve.

Rifunksionalizimi i suksesshëm i ndërmarrjeve publike, si psh. Telekomi i Kosovës apo Vala, rrit dhe forcon pasurinë e përbashkët të qytetarëve, shton të ardhurat për shtetin, sjell zhvillim teknologjik e shërbime më të lira për qytetarin. E në të njëjtën kohë, kjo e rrit konkurrencën për kompanitë private, që edhe ato të investojnë në teknologji, punëtorë e shërbim, për më shumë cilësi e çmim më të lirë të produktit.

Një rast ndërkombëtar është ai i kompanive gjigande të prodhimit të aeroplanëve, Boeing dhe Airbus, të cilat e kanë zotëruar tregun secila përgjysmë për shumë kohë si një lloj duopoli. Por sot Airbus kontrollon më shumë se 3/4 e tregut, e Boeing është në vështirësi. Airbus i suksesshëm është pronë e qeverive të Gjermanisë, Italisë, Francës dhe Spanjës, e shumica e punëtorëve janë të sindikalizuar e me kontrata të mbrojtura. Boeing është në pronësi private, qysh prej viteve ‘80 ka futur logjikë neoliberale menaxhimi, duke shkurtuar kontratat e vendet e punës dhe duke larguar prodhimin në vende të largëta ku punohet më lirë. Ky lloj menaxhimi në afatshkurtër pasuroi pronarët privatë duke varfëruar punëtorët dhe shtresën e mesme – por në afatgjatë e shohim sot kush e fitoi garën.

Neoliberalizmi dhe logjika me çdo kusht privatizuese, është vrasëse e vetes së vet.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *