Nga Daut Dauti
Anglezi e merr seriozisht gjermanin. Tjerët nuk ia mbushin syrin. Kjo është për shkak se në esencë, anglezi është gjerman. Pjesa dominuese a Anglisë ka prejardhje anglo-saksone. Pra, gjermane.
Mjeshtrin që ma ndërroi bojlerin e pyeta: “A është i mirë ky i riu që e solle?”
Ai më shikoi dhe më tha: “Është prodhim gjerman”.
Në Angli kur dëshironi të bleni ndonjë gjë, për t’u siguruar se artikulli është sagllamë, shitësi thotë: “Është prodhim gjerman”. U kry muhabeti. Dihet që prodhimi gjerman nuk ka të meta.
Pas Luftës së Dytë Botërore një futbollist (portier) gjerman, i quajtur Bert Trautman, ka luajtur rol të madh në afrimin e dy popujve. Trautman ishte kapur rob lufte në Francë. Ai tentoi të ikte nga kampi natën dhe kur i kaloi telat, ushtari që e zuri, e përshëndeti dhe e pyeti me humorin e zakonshëm anglez: “Hello Fritz. Fancy a cup of tea?” (Tung Fric. A pe don nji gotë çaj?)
Pastaj, e anglezët e sollën Trautmanin në Angli për të punuar pasi mungonte fuqia punëtore, e cila ishte angazhuar në luftë. Pasi që Trautman ishte portier i njohur edhe para luftës, filloi të mbronte për ekipet e vogla në Angli. Pas luftës, ai vendosi që të mos kthehej në Gjermani dhe u popullarizua shpejt duke u bë njeri i dashur në mesin e anglezëve. Hebrenjtë protestuan dhe kërkuan largimin e Trautmanit nga futbolli. Anglezët thanë: “Jo. Lufta ka mbaruar dhe ne më nuk jemi në armiqësi me gjermanët.”
Trautman nga viti 1949 e deri më 1964 mbrojti për Manchester City-in duke qenë tejet i suksesshëm dhe i popullarizuar. Një futbollist tjetër gjerman, poashtu shumë i popullarizuar në Angli ka qenë Jürgen Klinsmann, që luajti në Tottenham.
Por, Jürgen Klopp, ua ka kaluar të gjithë gjermanëve për popullaritet në Angli. Jo vetëm për suksesin e tij me Liverpool-in, por edhe me sjelljet e tija njerëzore. Ka disa ditë që largimi i tij është lajm kryesor në Angli.