Nga Enis Sulstarova

Episodi kulmor që mbyll filmin Nëntori i dytë është mbërritja e Isa Boletinit me luftëtarët e tij në Vlorë, pak kohë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Ismail Qemali me disa shoqërues dalin për ta pritur në rrugën e mbushur nga të dyja krahët nga populli që brohoret mbërritjen e luftëtarëve nga Kosova. Ismail Qemali (Sandër Prosi) e përshëndet Boletinin (Reshat Arbana) dhe i thotë: “E paçim përjetë Shqipërinë e lirë dhe sovrane!”. Pas këtyre fjalëve, Isa Boletini ulet në gjunjë dhe puth flamurin kombëtar. Të njëjtën gjë bëjnë pasuesit e tij dhe shpura e Ismail Qemalit. Po kjo skenë paraqet edhe në një pikturë e Nikolet Vasias e titulluar “Rreth flamurit të përbashkuar”, sipas vargut të parë të himnit tonë kombëtar. Piktura ka në qendër flamurin, para të cilit është gjunjëzuar me nderim duke i puthur palën Isa Boletini. Pas Boletinit qëndrojnë në këmbë Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi dhe një shumësi njerëzish me veshje të ndryshme, midis të cilëve ku bie në sy mbi supin e Gurakuqit koka e një gruaje që mban një fëmijë në krahë. Të gjithë ata janë duke parë nga flamuri. Si episodi filmik, si piktura tashmë bëjnë pjesë në ikonografinë kombëtare të shqiptarëve. Pritja me flamur që Ismail Qemali i bën Isa Boletinit në Vlorë është ndoshta një nga skenat më emocionuese në përfytyrimet kolektive të brezave të shqiptarëve modernë për historinë e tyre, e krahasueshme me ardhjen e Skënderbeut në Krujë, në “nëntorin e parë”, të treguar në prozë nga Barleti, në vargje nga Naimi dhe në celuloid nga ekipi shqiptaro-sovjetik që prodhoi filmin kushtuar heroit tonë kombëtar. Jo më kot në festimet e 100-Vjetorit të Pavarësisë, u vu në skenë mbërritja e Isa Boletinit në Vlorë, prej kalorësve nga Kosova me veshje tradicionale. Gjithashtu, në një shesh të qytetit u përurua edhe një statujë e Boletinit.

Çasti i takimit të dy burrave pas shpalljes së pavarësisë flet shumë. Takohen dy njerëz që kanë dhënë ndihmesë për mëvetësinë e Shqipërisë: njëri me oratori dhe penë e tjetri me pushkë. Takohen Toskëria me Gegërinë, siç e japin edhe më qartë mesazhin dy burra të armatosur që qëndrojnë në këmbë në dy anët e pikturës, njëri i veshur me fustanellën e krahinave të jugut e tjetri me kostumin karakteristik të kosovarit. Por ndoshta simbolika më e rëndësishme, por që nuk vihet re lehtë, apo maskohet nga ikonografia mitizuese, është se takohen nën hijen e flamurit dy burra të përmasave të ndryshme për sa i përket pjesës më të madhe të veprimtarisë së tyre të deriatëhershme. Në njërin krah kemi Ismail Qemalin, burrin e shtetit dhe diplomatin e perandorisë, në krahun tjetër kemi Isa Boletinin, kreun e fortë e të ashpër të krahinës së Mitrovicës, të dy të bashkuar nën simbolin e shtetit kombëtar të sapo shpallur botërisht.

Deri në pragun e pavarësisë, as Ismail Qemali dhe as Isa Boletini nuk kishin qenë të përfshirë plotësisht në lëvizjen kombëtare shqiptare, të paktën jo aq sa për të qenë aktorët e parë të saj. Një shikim i shkurtër në biografitë e tyre e dëshmon këtë. Ismail Qemali vinte nga një familje bejlerësh me emër nga Shqipëria e jugut që kishte lidhje të fuqishme në sistemin perandorak. Këto lidhje i mundësuan qysh herët që të emërohej në ekipin e Mit’hat Pashës, reformatorit osman. Karriera e Qemalit vijoi në poste të ndryshme në Ballkan, Stamboll, Anadoll e Levant. Emërimin si guvernator të Tripolitanës në Afrikën e Veriut e kuptoi si një internim, prandaj zgjodhi të arratisej në Evropë. Në vijim të veprimtarisë së tij me grupimet kundër sulltanit, ai qëndroi në Athinë, Romë, Paris, Bruksel, Londër etj. Pas fitores së xhonturqve kthehet në perandori dhe zgjidhet në parlament si përfaqësues i krahinës së Vlorës e Kaninës, për të mërguar shumë shpejt, kësaj radhe si kundërshtar i xhonturqve.

Siç vëren historiania Natali Klejer [Nathalie Clayer] në librin Në fillimet e nacionalizmit shqiptar (2009), botëkuptimi i Ismail Qemalit ishte ai i një nëpunësi të rangjeve të larta të perandorisë dhe shqetësimi kryesor i tij ishte reformimi i shtetit për të shpëtuar tërheqjen osmane prej Rumelisë. Ai aleancat i kërkoi te Anglia dhe Greqia, sepse mendonte se armiqtë kryesore të Perandorisë Osmane ishin Rusia dhe sllavët e Ballkanit. Përballë absolutizmit në rritje të Abdyl Hamitit, ai zgjodhi të mbështeste opozitën heterogjene xhonturke, shumica e udhëheqësve të së cilës vinin, sikurse ai, nga zonat periferike të perandorisë. U largua nga xhonturqit më 1909 kur e pa se programi i tyre në qeverisje synonte centralizimin. Përkrah grushtin e dështuar të shtetit kundër tyre dhe i detyruar të mërgojë sërish i bashkohet lëvizjes kombëtare shqiptare, me anë të së cilës vazhdon të ndikojë në fatet e perandorisë.

Qysh në vitet 1860 Ismail Qemali kishte vendosur lidhje me veprimtarët e Stambollit që diskutonin për formimin e një alfabeti shqiptar, por nuk duket se ka luajtur ndonjë rol në çështjen shqiptare deri aty nga vitet e fundit të shek. XIX. Çështja shqiptare për Ismail Qemalin ishte një rrethanë e krijuar tashmë në perandori dhe që mund të shfrytëzohej për projektet që ai kishte për reformimin e qeverisjes dhe të administrimit të Perandorisë Osmane. Liberalizimin dhe decentralizimin e ushtrimit të pushtetit ai i shikonte si zgjidhjen e mbijetesës osmane në Rumeli dhe të problemit shqiptar, të paktën derisa u nda prej xhonturqve. Klejer shkruan se lidhjet që kishte me botën shqiptare dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare, Ismail Qemali i shfrytëzoi për objektivat më të gjera që kishte për perandorinë. Ashtu sikurse përpiqej të shfrytëzonte edhe lidhjet me lëvizjet kombëtare armene e maqedone, xhonturqit, helenizmin apo kontaktet që kishte me diplomatët perëndimorë. Madje ai mendonte se interesat kombëtare shqiptare mund të pajtoheshin me ato greke, diçka kjo që e zemëroi keq Faik Konicën i cili në vitin 1901 i shkruante ministrit të punëve të jashtme të Austro-Hungarisë se “biles na propozoi neve të adoptojmë alfabetin grek… pra ndërprerje të plotë me Ismail Qemal Beun”.

Në vitet 1911-1912 Ismail Qemali imponohet si një ndër drejtuesit e lëvizjes kombëtare shqiptare, së cilës ai do t’i ofronte kapitalin e tij të njohurive dhe të kontakteve si brenda perandorisë po ashtu edhe midis diplomacisë evropiane të kohës. Në vitin 1911, së bashku me Luigj Gurakuqin përpiqen që të marrin në dorë përfaqësimin politik të malësorëve kryengritës në krahinën e Shkodrës, për ta instrumentalizuar kryengritjen e tyre në të mirë të objektivave kombëtare. Memorandumi i Greçës, i hartuar nga Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi i drejtohet Portës së Lartë me kërkesën e autonomisë së Shqipërisë. Më 1912, me Hasan Prishtinën planifikon kryengritjen e përgjithshme të shqiptarëve, sukseset e së cilës i bëjnë shtetet ballkanike t’i shpallin luftë perandorisë. Me thyerjen e plotë të ushtrive osmane, ndërmerr nismën diplomatike dhe politike për pavarësinë e Shqipërisë. 

Historiani Isa Blumi në librin Reinstating the Ottomans (2011) vëren se Isa Boletini shquhet midis prijësve kosovarë atëherë kur zona e tij e veprimit pranë Mitrovicës kthehet në krahinë kufitare e perandorisë me Malit të Zi dhe Serbisë dhe shndërrohet në një pikë nevralgjike në lojën politike midis fuqive të mëdha. Duke shfrytëzuar rrjetet tregtare, agjenturore dhe trafikuese në këtë pjesë të kufirit, ai bëhet një ndër përfituesit kryesorë të armëve dhe parave që Serbia, Austro-Hungaria, Rusia dhe vetë sulltani shpërndajnë ndër krerët e Kosovës. Pushteti i Isa Boletinit është ai i një prijësi krahinor në Mitrovicë me lidhje të forta ndëretnike. Kur vritet konsulli rus, me të cilin Boletini kishte armiqësi atë e thërrasin në Stamboll për të qetësuar Rusinë. Në kryeqytet Boletini shërben për disa vjet në gardën e pallatit tw sulltanit, ku nuk humbet rastin për të krijuar lidhje politike që e forcojnë edhe më shumë pozitën e tij në krahinën e vet dhe në gjithë Kosovën. 

Kur kthehet në vendlindje, ai tashmë vepron si dora e fortë e sulltanit për të vënë në jetë politikat e këtij në vilajetin gjithmonë të trazuar të Kosovës. Kjo e bën më 1908 armik të xhonturqve, që kishin rrjetin e tyre të prijësve në Kosovë, si Bajram Curri dhe Nexhip Draga. Në pamundësi për t’u përballur me këta, Boletini tërhiqet në krahinën e tij. Dukej sikur ai e kishte humbur ndikimin në Kosovë, por politikat represive xhontuke e rikthejnë në krye të kryengritësve. Që nga viti 1910 veprimet e tij pasqyrohen në shtypin e lëvizjes kombëtare shqiptare dhe, sipas Klejerit, fotoja e tij vihet në krah të Ismail Qemalit si simbol i bashkimit të gegëve dhe toskëve, duke parathënë në këtë mënyrë takimin e tyre të famshëm në Vlorë. Boletini merr pjesë në kryengritjen e kundër xhonturqve të vitit 1912 që udhëhiqej nga Hasan Prishtina, por kjo nuk do të thotë se Boletini motivohej në këtë kohë nga ideja kombëtare. Hasan Prishtina në kujtimet e veta për kryengritjen tregon se Boletini e shihte veten akoma si ithtar të sulltan Abdylhamitit të shfronësuar prej xhonturqve: “Riza Gjakova dhe Isa Boletini mendojshin me peshtue sulltan Hamidin, qi ishte i burgosur në Salonik… jo qi nuk mund t’u flitte me ta për pune t’independencës, por nuk mund t’u permendte gja as per autonomi, pse ishin fjalë qyfri (mkati) per Riza Begun e Isa Boletinin”. Nga ana e tyre, serbët besonin se e kishin siguruar aleancën me Isa Boletinin. Ata u habitën kur me fillimin e luftës ballkanike, ai i përdori kundër tyre armët që ata ia kishin dhënë për të luftuar turqit. Këtë radhë, për të mbrojtur krahinën e tij Isa Boletini ndihmoi ushtrinë osmane dhe pas thyerjes së saj u detyrua të tërhiqej drejt Vlorës, për t’iu përgjigjur thirrjes së Ismail Qemalit për mbajtjen e kuvendit kombëtar të shqiptarëve. 

Në këtë çast vendimtar për fatin e shqiptarëve dhe të Shqipërisë, të dy burrat i vunë aftësitë e tyre më të mira dhe punuan së bashku për shpalljen e pavarësisë së shtetit kombëtar dhe për ruajtjen e fuqizimin e tij. Ndërkohë që sundimit perandorak mbi Rumelinë po i vinte fundi, Ismail Qemali e kuptoi se shqiptarët nuk mund të mjaftoheshin më me autonominë, por duhet të përpiqeshin për shtetin e tyre të pavarur dhe për njohjen e tij nga fuqitë e mëdha. Nga ana e tij Boletini e kuptoi se e vetmja mundësi e mbetur për shpëtimit e krahinës së tij ishte shteti i shqiptarëve. Prandaj dhe u ul në gjunjë para po atij flamuri që, po t’i besojmë Hasan Prishtinës, nuk kishte pranuar ta ngrinte disa muaj më herët në Shkup. 

Ideja e pavarësisë së kombit shqiptar kishte ngadhënjyer më në fund në Kuvendin e Vlorës, në kushtet e rrezikut të gjithanshëm që rrezikonte ekzistencën e kombit. Ajo u bë hegjemone mbi përkatësitë e tjera – krahinore, fetare apo perandorake – ngaqë te kjo ide u investua shpëtimi i shqiptarëve. Eshtë e vërtetë se kjo hegjemoni ishte e brishtë, se shteti i ri shtrihej vetëm në një fragment të atdheut të përfytyruar. Hegjemonia kombëtare e arritur në Kuvendin e Vlorës do të sfidohej shumë shpejt nga tendencat centrifugale të esadistëve, vorio-epirotëve e fshatarëve rebelë të Shqipërisë së Mesme. Ajo nuk i realizoi të gjitha shpresat e Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe të nacionalistëve shqiptarëve, sepse shpallja e pavarësisë u pasua nga copëtimi territorial i sanksionuar nga vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, Traktati i Fshehtë i Londrës, copëtimi i shtetit Shqipërisë gjatë Luftës së Parë Botërore. Ismail Qemali dhe Isa Boletini mund të jenë ndjerë të dëshpëruar në mbyllje të jetëve të tyre. I pari e pa me sytë e tij rënien e pashmangshme e përfundimtare të Perandorisë Osmane, shpëtimit të së cilës i kishte kushtuar pjesën më të madhe të energjive të tij. Ai gjithashtu pa se shtetit shqiptar – vepra më e madhe e jetës së tij – po i kanosej zhbërja. Ndërsa Isa Boletini u vra me armë në dorë më 1916, i mbetur thuajse i vetëm dhe pa pasur mundësi që të bënte më shumë për të mbrojtur krahinën e vendlindjes dhe Kosovën. Mitrovica mbetet edhe sot e ndarë më dysh dhe fshati Boletin po bëhet pjesë e një “Serbie të vogël” brenda shtetit të Kosovës.

Mirëpo, pavarësisht asaj që mund të kenë menduar për peripecitë e jetëve të tyre të dy burrat, në kujtesën kolektive të kombit gjithçka tjetër që ata kanë bërë është zhvlerësuar përpara ndihmesës që ata dhanë për shtetin e pavarur shqiptar. Hegjemonia kombëtare e arritur në Vlorë dhe e simbolizuar nga takimi i dy burrave nën flamurin kuq e zi, vendosi një cak në kërkesat politike të shqiptarëve, nën të cilin nuk mund të zbritej dot. Pavarësia një herë e fituar, qoftë edhe për një kohë të shkurtër dhe e parealizuar për të gjithë shqiptarët, ishte një pikë kthese në veprimin politik të shqiptarëve që nga ai çast. Jehona e saj do të shfaqej te Republika e Korçës, Kongresi i Lushnjes, Lufta e Vlorës, Komiteti i Kosovës e lëvizja kaçake, Konferenca e Bujanit, Lidhja e Dytë e Prizrenit, Marsi 81, Kushtetuta e Kaçanikut, Ushtria Çlirimtare e Kosovës,  Ushtria Çlirimtare Kombëtare, 10 Shkurti 2007, themelimi i Republikës së Kosovës dhe në të tjera përpjekje të pareshtura të shqiptarëve. Edhe sot, kur shohim dy nga krijimet artistike më të fuqishme të shpalljes së pavarësisë, pikërisht pikturën dhe episodin filmik ku Ismail Qemali, Isa Boletinin e njerëzit përreth nderojnë flamurin, kemi plotësisht të drejtë që të mendojmë se ato përfaqësojnë jo vetëm një finalizim, por edhe një fillim.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *