Nga Ermal Mulosmani

Krahasimi që do të shkruaj më poshtë, me siguri do të duket si i tepruar megjithatë unë e shoh njëfarë ngjashmërie. 

Vrasja e Aleks Navalnit nga regjimi i Putinit është sfida më e madhe që i bëhet botës demokratike, është një pështymë në surratin e lodhur të liberaldemokracisë moderne. 

“As pyesim për ju, bëjmë çfarë të duam, vrasim haptas kë të duam, pushtojmë cilin shtet të duam, qeshim dhe talleni me botën tuaj demokratike..”

E filluan me Gjeorgjinë, Çeçeninë e vazhdojnë me Krimenë dhe Ukrainën.

Është e njëjta logjikë e Hitlerit në vitin 1938. Vrasja e Navalnit më kujton Kristalnajtin e famshëm, natën e xhamave të thyer kur 12-15 mijë hebrej u përzunë me nga një valixhe nga Gjermania naziste në drejtim të Polonisë. U quajt kështu sepse nazistët dëbimin e shoqëruan me thyerjen e xhamave të dyqaneve hebreje. Dhe bota nuk bëri zë. 

Vetëm një muaj më parë udhëheqësit botërorë me Çamberlejnin Daladjenë dhe Musolinin (Kryeministra të Anglisë, Francës dhe Italisë) i kishin dhënë Hitlerit të drejtën ti marrë Çekosllovakisë, pa luftë krahinën e Sudetëve, nën presionin e pushtimit tërësor të Çekisë. Çamberlejni i ngratë e shiste si fitore Paktin duke e tundur në pistën e Londrës, kur në fakt pak kohë më vonë, Hitleri as pyeti fare për Paktin dhe e pushtoi krejt Çekosllovakinë. 

E pra, vrasja e sotme e Navalnit më duket si Kristalnajti i Gjermanisë në 1938 (28 Tetor). Bota e kuptoi se sa më shumë ti japësh aq më shumë do i shtosh oreksin. 

Hitleri i kohëve moderne nuk ka ndërmend të zmbrapset. Ai nuk pyet as për opinion publik e as për kurrfarë organizate ndërkombëtare. Ai i sfidon hapur. Bota demokratike po heziton të përballet. Të gjithë përpjekjet diplomatike të Amerikës përtallen nga një veprim konkret i Rusisë. Ata të vrasin dhe qeshin. Navalni i shkretë shkoi me ndërgjegje të plotë drejt vdekjes. Ai shpresoi se do të bëhet një simbol i rusëve  për të filluar ndryshimin, shkëndija që do ndezë zjarrin e revoltës. Unë nuk mendoj kështu. Fatkeqësia e madhe e tij dhe ne adhuruesve të tij është se popullit rus nuk i bëhet fort vonë për demokracinë liberale. Ata as nuk e duan një liberal. Përkundrazi, Putini me retorikën e tij perandorake, u shkon fort për shtat orekseve të popullit rus. Drama e madhe e Navalnit nuk është vdekja por kotësia e vdekjes së tij. Kjo është e tmerrshme! Në vend që Putini të ndjehej sot i frikësuar nga reagimi popullor brenda dhe presioni ndërkombëtar nga jashtë, në fakt është euforik për mospërfilljen totale të tyre. 

Bota e sotme është shumë afër një konflikti. Nervat janë tendosur dhe një shkëndijë do të mjaftojë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *