“Dikur (1943) e vizitova Kosovën, këtë kopsht të lulëzuar të Shqipërisë së jashtme, dhe shpirti m’u mbush me gaz: në qytet flitej shqip, në katund flitej e këndohej vetëm shqip.
A ka gaz ma të madh për një njeri, që ka ngrënë njëzet e kusur vjet bukën e mërgimit se sa të “zbulojë” se me të vërtet ekziston një Shqipëri e jashtme?
Dhe atëherë të mos kthehem me duar bosh nga ky udhëtim, shkrojta një vepërzë: Poemin kosovarë.
M’u kujtuan ciliminjtë kosovarë, të zbardhur, të rreckosur, të verdhë që kisha parë më 1925, në Stamboll, nëpër vagonë kafshësh e baranga, që ku do t’i degnisnin për të kolonizuar shkretëtirat e Anadollit, m’u kujtuan sharrxhinjtë kosovarë, njerëz pa tokë, që bridhnin me” kryet përdhe – me sharrën në krahë – jaban e beter – derë më derë – për një kothere bukë” nëpër rrugët e rrugicat e Belgradit të krajlit, m’u kujtua e ashtëquajtura reformë agrare e Jugosllavisë së vjetër qene, që ua rrëmbeu tokat bujqve të vegjël shqipëtarë dhe ua dha t’i bëjnë ferma e cifligje fajdexhijëve, ushtarakëve dhe të tjerëve ( agrarët, xhandarët, tyxharët – të gjithë tok – u bënë shokë – si sorrat – për kërmë” dhe këndova kosovarin, njerinë që banon n’atë vend prej qindra vjetë – prej mijra vjet – rrënjë pas rrënje”.
E pohoj hapur se kjo vepër është e ashpër, se ka shumë të meta, por ka edhe një thelb të vërtetë.”
Jam shqipëtarë
e kosovarë :
Zot e krenarë,
-Zot e bujarë –
mbi këtë Dhe
që e kam fé
e përmbi fé ;
E kam Vatan!
E kam Atdhe!…
.
Se jam këtu kur s’kish njeri,
ku s’kish kufi
as fqinjëri
as shkja të zi.
Se jam këtu kur Mali i Zi
ish Iliri:
kur nga një det në tjatrin det
isha zot vetë!
Unë jam këtu nga moti
Kur vetë Zoti
E bëri fushën fushë
E malin mal.
Unë jam këtu e do të jem
– Dem baba dem –
Sa mali të bëhet hi
E hiri mal përsëri