Nga Arbër Zaimi
Nacionalizmi ekspansionist serb vijon të mbetet rrezik për Ballkanin, e sidomos për shqiptarët. Mu për këtë arsye duhet njohur e duhet studiuar.
Ilija Garashanini, kryeministër e ministër i brendshëm i Principatës së Serbisë para 170 vitesh është autori i programit themelor serbomadh që njihet si Naçertanie. Ai program fatmirësisht për ne nuk ka arritur ndonjëherë të jetë deri në fund i suksesshëm, por megjithatë, fatkeqësisht, ka shërbyer si udhëzues i nacionalizmit serb në shekujt XIX, XX dhe vazhdon sot e kësaj dite.
Në atë kohë shteti i tyre ishte i vogël dhe me autonomi të kufizuar. Garashanini si konservator nuk predikon ndonjë revolucion apo çlirim prej otomanëve, por vetëm durim, deri sa perandoria e sëmurë të vdiste vetë.
Leximi gjeopolitik i tij thotë se vdekjen Perandorisë Osmane do t’ia shpejtonin dy perandoritë kufitare e lakmiqare për territoret e saj, e ato ishin Rusia cariste dhe Austro-Hungaria. Të dyja këto perandori, sipas Garashaninit, me t’u rrëzuar Turqia, do të ndanin Ballkanin sipas vijës Vidin-Selanik, Rusia do të merrte Ballkanin lindor e deri në Stamboll ndërsa Austro-Hungaria pjesën adriatiko-joniane. Të dyja këto perandori kishin kryer tashmë marrëveshje të tilla, në Copëtimin e Polonisë. Naçertanija e Garashaninit mban vulën e ndikimit nga diplomati polak Adam Jerzy Czartoryski, që kishte dërguar udhëzime e këshilla te politikani serb. Duke e parë kësisoj situatën, Garashanini konkludon se Serbia duhet të ketë interes të kundërt me Austro-Hungarinë, meqë territoret e synuara nga ta ishin të njëjtat. Por, konkluza tjetër është se diplomacia dhe politika serbe, nëse dëshiron të rrisë territorin e fuqinë e vet, duhet të jetë gjithnjë e pavarur prej asaj ruse. Ai sheh si shembull principatat danubiane, Vllahinë e Moldavinë, të cilat konsideroheshin thjesht si vegëza të Rusisë andaj edhe pse i përkisnin një kombi, nuk ndihmoheshin prej fuqive që të pavarësoheshin e të bashkoheshin.
Me kundërvënie ndaj Vjenës e me distancim prej Moskës, teksa priste që Stambolli të rrëzohej, Garashanini mendonte se do të gjente mbështetje prej Parisit e Londrës. Dhe ashtu ndodhi, meqenëse këto dy fuqi ishin të interesuara edhe në kufizimin e rritjes ruse e austrohungareze.
Plani ekspansionist i Garashaninit nuk ishte populist, por i bazuar organizativisht në shoqëri sekrete, spiunazh, propagandë dhe i bazuar në aspektin vleror në modernizim institucional e infrastrukturor, konstitucionalizëm e kapitalizëm. Ai mendonte se Serbia duhet të ishte “Piemonti” i një shteti të fortë ballkanik, i cili do duhet të përfshinte sllavët e jugut, bullgarët, shqiptarët, por edhe çekët e sllovakët, nën hegjemoninë e Beogradit.
Elementi i parë pra: ekspansion territorial sepse po të mbetej Serbia e vogël do të mbetej në mëshirë të dallgëve të fuqive të mëdha.
Elementi i dytë: mbështetësit e aleatët nuk duhen kërkuar te vendet që synojnë kontroll të territorit të njëjtë, pra jo te Austro-Hungaria, as te Rusia e as (më vonë) te Italia, por te vendet që synojnë kufizimin e zgjerimit të këtyre fuqive. Qysh prej asaj kohe një nga tiparet dominuese të diplomacisë së Beogradit në raport me Fuqitë e Mëdha është bivektorializmi (ndonjëherë i maskuar si asnjanësi). Maska prej qingji të urtë i ka mundësuar vazhdimisht edhe ujkut të pijë dy nëna.
Elementi i tretë: modernizimi konstitucional, jo populist e revolucionar, por konservativ. Sa më shumë liri borgjeze, por sa më pak liri popullore, tradicionale a bashkëkohore qofshin.