Nga Xhafer Sadiku
Si u falsifikua historia
Qysh në fillim të vitit 1945, Komisioni Pedagogjik diskutoi mbi platformën mbi të ciln do të shkruhej historia e Shqipërisë dhe historia e letërsisë shqipe.
Më 10 qershor të atij viti, në kinema “Kosova”, ministri Sejfulla Malëshova mbajti konferencën e famshme në të cilën Patër Gjergj Fishtën dhe Faik bej Konicën i paraqiti si “fytyrat më të mëdha të Shqipërisë në fushën e kulturës”, dhe “lëvronjësit më të mëdhenj të gjuhës”, ndërsa “Lahuta e Malcisë” si “një vepër e madhe e gjuhës shqipe dhe e literaturës sonë” dhe “që ka lozur një rol të madh progresif në jetën nacionale të Shqipërisë”.
Teza e Malëshovës mbështetej nga Dhimitër Shuteriqi, i cili theksonte se “Migjeni kishte element nacistë në poezinë e tij”.
Në lidhje me historinë e Shqipërisë, Shuteriqi, mbronte tezën se “lëvizja kombëtare në Shqipëri kish si udhëheqës feudalët, bejlerët”, dhe se “bejlerët shqiptarë e kishin të qartë rrugën e tyre: duhej të mbronin dhe luftonin për një Shqipëri të lirë; dhe këtë e bënë përgjithësisht”.
Një nga kritikët e këtyre tezave, Skënder Luarasi, shkruante:
“Sejfulla Malëshova jo vetëm nuk i ka goditur figurat antipopullore e antishqiptare, si Patër Gjergj Fishta dhe Faik bej Konica, por nuk ka lejuar asnjë tjetër t’i godiste. Në Komisionin Pedagogjik, kur Aleks Buda na lexoi recensionin e tij mbi Faik Konicën, shënimin tim, që Faik Konica të studjohej edhe nga ana tjetër më parë se të futnin artikujt e tij në tekstin e Shkollës së re, Malëshova e priti, si çdo shënim tjetër prej meje, me nënqeshje ironike. Dhe kur fola me shokët e mij mbi këtë pranim pa rezervë, të Faik Konitzës si të dashur për letërsinë e re shqipe, Andrea Varfi më tregoi këtë precedencë: Pas çlirimit të Tiranës, Andrea Varfi me anën e Musarajt, kërkoi të vazhdonte studimin e nisur më 1937 rreth rolit politik antishqiptar të Fishtës dhe veprave të tija. Por Malëshova, Ministër i Kulturës Popullore, i qe përgjigjur “Tani nuk është koha”.
Ndërsa për debatin me Shuteriqin, theksonte :
“Kur unë argumentova absurditetin e këtij mendimi dhe mbi disa gabime të tjera fort të rënda në programin, Dhimitër Shuteriqi, faqe gjithë anëtarëve të Komisionit guxoi të më thërrasë: “E kush je ti, more!”…
Dhe për ta ilustruar me shembuj, Shuteriqi iu drejtua Aleksandër Xhuvanit duke e pyetur se në Elbasan, psh, a nuk ishin Aqif Pasha dhe Dervish bej Bicakciu flamurtarët e lëvizjes kombëtare!
Më tej, Luarasi vazhdonte: “Me këtë rast unë pyes se një qëndrim i këtillë a nuk do të kishte qenë edhe qëndrimi i një fashisti? Unë vazhdova shpjegimet e mia edhe kur u kthye në dhomë Shuteriqi, por Nexhmi Ballka, në vend që të zgjidhte të vërtetën, e quajti kritikën jashtë kompetencës së komisionit. Atëherë vajta të flas me ministrin. Në këmbë, një orë të tërë i fola rreth punës s’onë dhe sidomos mbi dy pikat që Shuteriqi me këmbëngulje deshte t’i përmblidhte në hyrje të letërsisë shqipe dhe në historinë e Shqipërisë”. Sejfulla Malëshova, sipas Luarasit, i mbështeste tezat e Dhimitër Shuteriqit.
Një i punësuar në Komisionin Pedagogjik nga ministri i Punëve të Brendëshme i dërgoi një promemorje ku i përshkruante me hollësi debatet e zhvilluara për tezat mbi historinë e Shqipërisë dhe historinë e letërsisë shqipe, duke bërë përgjegjës Malëshovën, Shuteriqin etj…
Pas eliminimit politik të Sejfulla Malëshovës, parimi bazë i historiografisë zyrtare u vendos lufta e klasave, ku bejlerëve dhe agallarëve iu mohua kontributi historik dhe u demonizuan. Në qendër të historisë së letërsisë shqipe u vu Migjeni, e më pas edhe Naimi, ndërsa Fishta, Konica etj., u mohuan.
Mbrojtësi i tezave të regjimit në fushën e historiografisë u bë Aleks Buda. Drejtor Institutit të Historisë e më vonë Kryetari i Akademisë së Shkencave, ai ishte në krye të grupit që shkroi veprën me dy vëllime “Historia e Shqipërisë”, 1965, që u bë baza e hartimit të teksteve të historisë. Në historinë e letërsisë, kritizeri më i ashpër i Fishtës dhe Konicës ishte Ismail Kadare, sulmet e të cilit do të kulmonin në veprën “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”.