Nga Arbër Zaimi

Sot në RTSH në emisionin “Jetë shqiptare” shpreha bindjen se në Ballkan shteti më i rrezikuar prej Rusisë është Serbia. Vendet e tjera kanë predispozitë kah BE dhe NATO qartë dhe pa dilema. 

Serbia me pavendosmërinë e saj bëhet joshëse për Rusinë e cila kërkon mundësi për të nisur konflikte të reja meqenëse sulmi pushtues në Ukrainë ka hasur në ngecje tash e shumë muaj.

Qeveria aktuale e Serbisë dhe presidenti Vuçiq kanë qasje pro-ruse dhe shumicën e herëve veprojnë në linjë me Putinin. Rusia ka kontroll të madh në sferën e biznesit, medias, religjionit si dhe të ushtrisë, policisë dhe shërbimeve inteligjente serbe. Me këtë qeveri e këtë president Serbia është armatosur me tanke e aeroplanë rusë, sisteme raketore kineze dhe dronë iranianë, i vetmi vend në kontinent me këta lloj furnizuesish. 

Parë nga këto aspekte, Serbia duket si kandidate për t’u bërë një Bjellorusi e re. Por, nuk mundet Serbia të bëhet Bjellorusi sepse nuk ka vazhdimësinë territoriale që do të mundësonte mbështetjen e vazhdueshme nga Rusia në rast konflikti apo embargoje. As në aspektin ajror Rusia nuk do të mund ta ndihmonte dot Serbinë në rast konflikti, sepse qiejt rreth Serbisë në aspektin ushtarak janë të NATO-s.

Qeveria dhe presidenti aktual i Serbisë vazhdimisht mbështesin direkt ose flirtojnë me tendenca destabilizuese sidomos në Mal të Zi e Bosnjë-Hercegovinë ku ka përqindje të konsiderueshme banorësh serbë, por edhe në Maqedoni të Veriut e Kosovë. Megjithatë kjo lojë me zjarrin më shumë rrezikon vetë zjarrvënësin, pra Serbinë, se sa vendet që ajo ngacmon e sulmon. Në momentin që Serbia pranon të hyjë në zjarr si mashë e Rusisë, do të digjet vetë.

Problemet e sigurisë në Ballkan shfaqen në pesë dimensione:

1. Paqartësia e BE në raport me Ballkanin, vonesat në integrimin e disa vendeve, dhe trajtimin e vendeve të integruara si vende periferike për BE. Kjo pavendosmëri shkakton huti dhe zbrazëti që priret të mbushet nga faktorë të tjerë.

2. Ballkani është një hapësirë e rëndësishme tranziti, dhe aty po zhvillohet infranstrukturë e rëndësishme transporti dhe energjie. Në këtë rrafsh ka konkurrencë mes projekteve në interes të një fuqie apo një tjetre.

3. Në Ballkan përveç polit SHBA-BE ka influencë të madhe edhe poli Rusi-Kinë por edhe fuqi të tjera gjeopolitike me ambicie jo globale por së paku rajonale.

4. Problemet me sundimin e ligjit dhe demokracinë në disa shtete ballkanase favorizojnë në disa raste influenca destabilizuese.

5. Problemet e pambyllura mes shteteve ballkanike krijojnë pengesa për fqinjësi normale, dhe hapësirë për manipulim. Këto probleme nuk tejkalohen me “short-cuts” të tipit “Open Balkan”, apo me politika akomoduese ndaj Serbisë apo faktorëve destabilizues, por kanë nevojë për zgjidhje forta e afatgjata, siç janë njohja e Kosovës, fshirja e mbetjeve të ligjit të luftës mes Greqisë e Shqipërisë, garantimi i integritetit të Bosnjës dhe dënimi i faktorëve secesionistë atje, si dhe integrimi i njëhershëm e jo gradual i Ballkanit Perëndimor në BE.

Vesna Pusiq, ish ministre e jashtme e Kroacisë, kohët e fundit ka dhënë perspektivë interesante për problemet e anëve tona. Ajo nuk është dakord me politikën që perëndimi po ndjek ndaj Serbisë, me butësi e ledhatim për Vuçiqin.

Znj. Pusiq thotë kështu: “Për ta marrë Serbinë në anën e perëndimit, duhet ta rrethojnë atë me shtete të suksesshme. Në vend se të plotësohen tekat e paarsyeshme të saj, duhen forcuar vendet fqinje. Nga kjo konkurrencë Serbia do të detyrohet që t’i afrohet perëndimit”.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *