Nga Mehmet Elezi

Veç të tjerash, libri i prof. dr. Xhevat Lloshit “E duam drejtshkrimin si gjithë Europa”, i shkruar pikërisht për drejtshkrimin, përshkohet nga thyerje drejtshkrimore, që as dashamirësi më i madh i tij nuk mund t’i përligjë. Autori e gjen të përkryer Kongresin e Drejtshkrimit, por vetë nuk i zbaton rregullat bazë të tij.

Të papërgjegjshme janë luhatjet me emrin e personalitetit më të madh të gjuhësisë shqiptare. E shkruan Çabeu. A thua për analogji me beu, megjithëse s’ka asnjë lidhje ndërmjet tyre? Dihet se emrat e përveçëm nuk ndryshohen. Vetë dijetari i madh emrin e vet e shkruan (Eqrem) Çabej. Por Lloshi nuk pajtohet as me Lloshin, nuk është konsekuent as me veten. Në faqen 32 tri herë Çabeu, në faqen 34 Çabeu, në faqen 48 Çabeu, në faqen 64 kthehet te Çabej, në faqen 103 Çabeu, në faqen 108 Çabej, në faqen 119 një herë Çabej dhe tri herë Çabeu, në faqen 171 Çabeu, për t’u penduar fill mbas, në faqen 173, ku shkruan prapë Çabej.

Përballë luhatjeve nga Çabeu te Çabej dhe anasjellas, pasaktësitë e tjera drejtshkrimore duken të papërfillshme. Nuk janë pa rëndësi, megjithatë.

I gjen në (mos)përshtatjen e mbiemrit me tipin e emrave të gjinisë mashkullore, që në shumës marrin mbaresën e, të tillë si “vende, lajme, kërkime”. Rregulla përkatëse e drejtshkrimit thotë “mbiemrat, të cilët përcaktojnë emrat mashkullorë me shumësin më -e, në numrin shumës përdoren në trajtën e gjinisë femërore”. Ndër shembujt që sillen aty: “Këto kushte më duken të papranueshme, këto lajme s’më duken të besueshme… këto vendime janë të drejta”. Por z. Lloshi shkruan: “bërtasin se gjuha standard u kundërvihet dialekteve e të folmeve dhe i rrezikon ata”. Në përputhje me rregullën e mësipërme të drejtshkrimit duhej shkruar “i rrezikon ato”, jo “i rrezikon ata”.

I gjen te foljet. Përdor një kohë të ardhshme të mënyrës habitore: “…që do t’i ndikoka shqiptimin”. Në gjuhën shqipe folja ndikoj si rregull përdoret me parafjalë. Shembujt, me të cilët ilustrojnë kuptimin e kësaj fjale fjalorët e gjuhës shqipe të Akademisë, janë me parafjalë: “Ndikon mbi të tjerët. Ndikon me fjalë (me vepra). Ndikon për të mirë (për të keq). Ndikon te nxënësit”. Në pajtim me rregullat e shqipes, fjalia e mësipërme e profesorit duhej të ishte me parafjalët në, të…: “do të ndikoka në shqiptimin ose te shqiptimi” dhe jo “do t’i ndikoka shqiptimin”. Lloshi, me gjasë i ndikuar nga një gjuhë e huaj, ia detyron (imponon) shqipes rregullin e saj.

Edhe trajta “ndikoka” nuk është në përputhje me drejtshkrimin e shqipes. Duhet “ndikuaka”. Ashtu siç duhet “u formuaka nga e tashmja” dhe jo “u formoka nga e tashmja”, “u shqiptuaka me zanore të gjatë” dhe jo “u shqiptoka me zanore të gjatë”. Rregulla bazë për këtë thotë: “Grupi ua shkruhet i plotë… edhe te shumësi i së kryerës së thjeshtë, te habitorja dhe te pjesoret e foljeve me temë më -o: mësuakam, mësuake, mësuaka, mësuakemi, mësuakeni, mësuakan; punuakam… punuakan”.

(me shkurtime nga kreu me të njëjtin titull i librit: “M. Elezi, Kongresi i Drejtshkrimit, një fëmijë i plakur”)

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *