Çka mendoni për këto akademitë përkujtimore të cilat po mbahen për Enver Hoxhën kur dihet se ajo kohë ka përfunduar. A është ky një tentim për ta kthyer përsëri në skenë atë sistem të kaluar. Cili është tash mendimi juaj për figuren e Enver Hoxhës?

Njerëzit e zhgënjyer me të tashmen, në pamundësi që të bëjnë diçka më mirë për veten e vet, i kthehen të kaluarës. Është e vërtetë që komunizmi në shkallë globale dhe në frymën historike ka perënduar  përgjithmonë. Mirëpo, meqë shoqëria jonë ecën shumë ngadalë përpara, në mendjet e shumë njerëzve ende janë të pranishme kujtime e ide të kaluara. Pastaj, si çdo gjë në këtë gjithësinë tonë që nuk është vetëm e keqe edhe enverizmi, për kohën e vet dhe për rrethanat tejet të vështira shqiptare, pati edhe anë pozitive. Nën diktaturën më të egër komuniste në Evropë, u organizuan me propagandë e me dhunë dhe u  vunë në lëvizje turma të shumta të popullit të cilat, me punë vullnetare e të dhunshme, thanë zona të gjera moçalike dhe shporrën përgjithmonë malarjen nga hapësira shqiptare; u ndërtuan kanale të shumta për ujitje e kullim; nuk u la asnjë pëllëmbë toke pa punuar; u ndërtuann kapacitete të fuqishme hidro e termo-energjetike. 

U zbuluan dhe u hapën shumë puse për nxjerrjen e naftës; u hapën gjithashtu mjaft miniera të thëngjillgurit, të kromit, të bakrit dhe hekur-nikelit. Në anën tjetër, u  organizua një rrjet, i gjerë e mjaft serioz arsimor; u organizua një veprimtari fort e gjerë kulturo-artistike e shkencore, ndër të cilat teatri, opera, baleti, filmi arritën cilësi të larta. Nga ato kohëra kemi trashëguar shumë vepra të denja për çdo admirim. Sporti, gjithashtu përjetoi një zhvillim të gjerë. U shkollua një numër jo i vogël ekspertësh, kryesisht në vendet e “kampit socialist”. Mirëpo ishte edhe ana tjetër e zezë dhe e vrazhdë e realitetit shqiptar. Diktatura e proletariatit, shumë shpejt u shndërrua në diktaturë policore. Monopoli ideologjik, monopoli ekonomik, varësia e vasaliteti total, në fillim ndaj Jugosllavisë, pastaj ndaj Bashkimit Sovjetik dhe më në fund ndaj Kinës Popullore bënë që Shqipëria asnjëherë nuk u ngrit në këmbët e veta dhe politikisht e ekonomikisht, mbeti e stërhequr dhe e izoluar nga regjioni i vet i natyrshëm, nga bota e zhvilluar perëndimore. Besnikëria e verbër e Enverit ndaj idesë komuniste, lektisja për pushtet duke mos zgjedhur mjete, varësia dhe vasaliteti ndaj Jugosllavisë, lufta vëllavrasëse që hapën e zhvilluan enveristët kundër bllokut demokratik  ishin shkaktarët kryesorë që asgjësuan shansin e sigurt për bashkimin e popullit shqiptar pas Luftës së Dytë Botërore. Me pak fjalë, Enveri më shumë e deshi pushtetin sesa interesat thelbësore të popullit shqiptar.

Intervistë për RTK-në, 2005.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *