Në të zbardhur të datës 5 mars të vitit 1998, forca të shumta policore dhe ushtarake serbe u nisën drejt Prekazit në Drenicë me synimin e qartë: Asgjësimin e Adem dhe Hamëz Jasharit.
Prej vitesh, Ademi dhe Hamza me një grup bashkëluftetarësh ishin kthyer në makthin e policisë serbe me aksione guerile dhe atentate të shumta ndaj pjesëtarëve të aparatit shtypës serb në Kosovë.
Makineria luftarake e Serbisë e rrethoi fshatin Prekaz në të zbardhur të 5 marsit 1998, ndërsa ndaj kullave të Jasharëve nisen bombardimet me artileri.
Të grumbulluar brenda kullave, pjesëtarët e familjes Jashari refuzuan të dorëzohen duke zgjedhur me vetëdije të rezistojnë ndaj një armiku me epërsi të dukshme në njerëz dhe armatime.
Adem dhe Hamëz Jashari, bashkë me babain e tyre Shaban Jashari dhe dajën e tyre, Osman Geci i dhanë jetë një rezistence të panjohur për kohët moderne.
Ata u barrikaduan dhe vendosën të vetëflijohen në përballjen me një ushtri.
Luftimet vijuan në datat 5, 6 dhe 7 mars dhe vetëm pas tre ditësh e netësh, istikami i Jasharëve ra, me 56 martirë të vrarë dhe kullat e rrënuara nga predhat e panumërta të artilerisë.
26 të vrarë ishin pjesë e familjes Jashari, ndërsa pjesa tjetër ishin bashkëfshatarë të dhe të afërm nga Prekazi që erdhën në ndihmë të familjes duke u flijuar në një lufte të pabarabartë e të padëgjuar për kohët tona.
Rënia e 56 shqiptarëve në Prekaz kulmoi si kryefrymëzimi shqiptar në historinë e tyre si komb.
Mijëra shqiptarë të Kosovës dhe nga diaspora morën armët duke i dhënë jetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj për çlirim nga okupatori njëshekullor serb.
Qëndresa e Jasharëve vijon dhe sot pas 26-vitesh të shënjojë koshiencën kombëtare shqiptare.
Ata lanë pas shembullin e tyre jetësor, sakrificën e tyre të pashembullt dhe mesazhin e qartë se kurrëfarë konjukture gjeopolitike apo kulise e brendshme nuk e çrrënjos idealin njerëzor për liri dhe dinjitet./ Besmir Lushaj