Nga Enver Bytyçi
Më 11 mars 1981 nisi protesta e parë e studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe më pas kjo protestë u pasua me demonstrime të mëdha, saqë me 1 dhe 2 prill të atij viti, afat kohor prej tri javësh, u bë uragan i studentëve dhe qytetarëve që kërkuan liri dhe statusin e Republikës për Kosovën, njësoj si edhe Serbia,Sllovenia, Kroacia, BH, Mali i Zi dhe Maqedonia.
Por kërkesat e shqiptarëve, para së gjithash studentëve dhe profesorëve, ndeshën në makinën ushtarake e policore të Serbisë. Sipas Jens Reuter, një hulumtuesi e studiuesi gjerman të pasionuar pas çeshtjet e Ballkanit e sidomos të ish-Jugosllavisë, asokohe u vranë në Prishtinë mbi 1000 shqiptarë. Por viktimat e tyre u mohuan e u fshehën nga regjimi i Beogradit.
Shqipëria për herë të parë doli në mbrojtje të këtyre protestave dhe të të drejtave të shqiptarëve në Kosovë. Në fakt udhëheqja komuniste e Tiranës kishte shfaqur tendenca nacionaliste për herë të parë në fund të viteve 1970, në kuadër të 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (10 qershor 1978). Kthesa drejt nacionalizmit e shtetit komunist të Shqipërisë shpjegohet me nevojën e tij për të krijuar mbështetje popullore përmes parullave patriotike. Ishte koha kur edhe miqësisë me RP të Kinës i thanë “lamtumirë” dhe vendi u izolua plotësisht.
Nisur nga këto rrethana unë i shoh ngjarjet e mars-prillit 1981 në Kosovë si interes të pushtetit të diktaturës dhe diktatorit, sidoqë ato kanë ndikuar në frymën patriotike të shqiptarëve në Kosovë. Megjithatë duhet besuar se Hoxha dhe sigurimi i shtetit shqiptar tashmë kishte arritur të kontrollonte në Kosovë shumë segmente dhe për pasojë nuk kishte më frikë nga një Republikë e saj, siç kishte ndodhur në vitin 1968, kur thoshin se “Nuk mund të ketë dy Republika shqiptare”!
Se sigurimi i shtetit dhe lideri i PPSH-së, Enver Hoxha, kishin gisht në këto ngjarje, këtë e dëshmojnë edhe rezultatet e protestave:
1. Ato u shtypën me dhunë të egër dhe Shqipëria nuk mund të bënte asgjë për ta denoncuar këtë dhunë në OKB e organizata të tjera ndërkombëtare: Ramiz Alia ishte ai që e ngriti çeshtjen në OKB pas nëntë vitesh. Ndërsa Shqipëria nuk kishte zë as në KSBE, as në Këshillin e Europës, sepse nuk ishte anëtare e këtyre organizatave.
2. Protestat nxitën rikthimin e ekstremistëve nacionalistë serbë në pushtet, si Milosheviçi, dhe sollën përkeqësimin e të drejtave të njeriut e atyre kombëtare të shqiptarëve, deri te heqja e autonomisë. Këtë as që mendohej se mund ta ndalte qeveria komuniste e Tiranës.
3. Pasi studentët kërkuan Republikën, në pak kohë më vonë u detyruan të vihen në mbrojtje të Kushtetutës të vitit 1974, pra vunë në rrezik serioz autonominë që kishin. Dhe as për këtë nxitësit e frymëzuesit e këtyre protestave, komunistët e Tiranës, nuk mund të bënin asgjë. Vetëm mund të shkruanin shkurt ndonjë reagim në Zërin e Popullit! Madje ka të dhëna se diktatori Hoxha e kishte akuzuar ish-kryeministrin Mehmet Shehu për ekstremizëm, pse ai donte të ndërhynte ushtarakisht kundër dhunës serbe në Kosovë. Nga njëra anë fliste me pathos në kongreset e partisë, nga ana tjetër shiste mashtrim e propagandë të shpifur!
4. Ineresant është se pas vitit 1981 u ashpërsua dhuna dhe përndjekja e “kosovarëve” të arratisur nga Kosova dhe trojet e tjera të ish-Jugosllavisë e të sistemuar në Shqipëri. Ndërkohë që Serbia aplikoi edhe në këto kushte zbatimin e marrëveshjes për t’i rikthyer e riatdhesuar në Shqipëri shqiptarët që arratiseshin në Jugosllavi.
Do të duhet që studiuesit të përdornin arkivat, për të mësuar të vërtetën e atyre ngjarjve, pavarësisht se asgjë nuk e zhbën faktin se studentët dhe shqiptarët e Kosovës protestuan dhe luftuan me idealizëm e vendosmëri të pashoqe për Republikën e Kosovës!