Nga Arilda Lleshi

Me një linjë bregdetare 450 km dhe pamje përrallore, turizmi është një potencial i madh ekonomik për Shqipërinë. Duhet ta zhvillojmë, patjetër!! Por mënyra si e zhvillojmë, bën diferencën. Ne duhet ta trajtojmë bregdetin tonë si naftë dhe zhvillimin e tij si atë të fondit sovran të Norvegjisë. Turizmi duhet të jetë një sipërmarrje ekonomike që pasuron popullin, jo një grusht njerëzish.  

1. Tokë publike falas pa përfitim publik

Sipas ligjit për investimet strategjike, investime mbi një vlerë të caktuar marrin disa benefite nga shteti, përfshirë tokë publike falas. Për shembull, 57 km2 të portit të Vlorës i janë dhënë Geront Çelës dhe Saimir Manes për 1 euro për të ndërtuar pallate, hotele dhe një marinë. Ata shesin apartamentet në tokë shtetërore dhe pastaj e blejnë tokën shtetërore me çmim reference, 88 euro/m2. Deri tani, me këtë ligj, shteti ka falur 5.8 milionë m2. Ligji me siguri do përdorej edhe në rastin e ishullit të Sazanit dhe Zvërnecit, pra toka do i jepej falas investitorit. Kjo është vjedhje e territorit shqiptar. Pikë së pari, përfitimet që vijnë nga ndërtimi i vilave në punësim dhe ekonomi të përgjithshme nuk e justikojnë faljen e tokës publike. Por së dyti, edhe sikur përfitimi të ishte i madh (pra mijëra të punësuar e biznese të vogla), ka një mënyrë tjetër më të mirë për ta menaxhuar këtë resurs. Shteti duhet të ishte bashkëpronar në këto sipërmarrje. Kështu shqiptarët do të korrnin përfitime të vazhdueshme. 

2. Shpërndarja e përfitimeve 

Ka dy mënyra për ta zhvilluar turizmin: 

– t’i lësh njerëzit të ndërtojnë në pronat dhe me mundësitë e tyre financiare (rasti i Shëngjinit). 

– të ndërtosh rezorte që kërkojnë investim të madh (rasti i Sazanit dhe Zvërnecit). 

Në rastin e Shëngjinit, investimi është më i shpërndarë, por edhe përfitimet janë më të shpërndara. Turizmi në Shëngjin e ka rritur mirëqenien për një pjesë të madhe të njerëzve të zonës. Shumëkush mund të hapë një restorant, market, apo shërbim tjetër, të marrë disa hyrje me qera apo të punojë në një hotel. Në rastin e resorteve luksoze, investimi i madh fillestar kërkon një firmë të madhe investimi, që pastaj gëzon edhe të gjitha përfitimet. Në mënyrë që të gjithë qytetarët shqiptarë të përfitonin nga resorte të tilla do duhej që shteti të inkurajonte krijimin e një shoqërie aksionere të financuar nga populli. Pra çdo qytetar shqiptar të kishte mundësi të blente aksionet e kësaj firme, duke e bërë të mundur këtë sipërmarrje e kështu të ndante edhe përfitimet e kësaj sipërmarrjeje në të ardhmen. 

3. Konkurenca 

Në thelb të një ekonomie të shëndetshme është konkurenca. Kur bëhet fjalë për tendera shtetërorë, qeveria hap një konkurs, kompani të ndryshme paraqesin ofertat dhe përzgjidhet oferta më e mirë. Në vendin tonë, investitori vendoset para se të hapet konkursi në bazë të lidhjeve që ka me qeverinë. Kjo krijon një klasë oligarkësh që pasurohen në kurriz të shtetit, duke vrarë biznese të tjera, e si shpërblim mbështesin qeverinë që jua jep këto mundësi. 

4. Turizmi për qytetarët shqiptarët

Ndërkohë këto zona bëhen praktikisht të huaja për shumicën e qytetarëve shqiptarëve, siç janë bërë tashmë Kep Merli dhe Palasa. Çmimet në këtë gjire janë të paprekshme për shumicën e qytetarëve shqiptarë. E në përgjithësi, edhe jashtë këtyre gjireve, aty ku çmimet janë më të përballueshme, plazhet publike janë tkurrur në ekstrem. Kështu, nga tokë publike për t’u shijuar nga të gjithë, ato kthehen në zona ekstraterritoriale për pasanikët e botës e ne në pastruesit e kuzhinierët e tyre. 

Humbja shumë e madhe e përfitimi i ulët. Atëherë ky nuk është zhvillim, po uzurpim për përfitimin e disa njerëzve.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *