– S’ka djal’ inglizi, francezi a italiani, që të mos dijë gjuhën e prindërve apo të vendit të tyre –

Në mes të kaq rreziqeve, që kanë rrethuar kombin, kemi dhe rrezikun, që shumë fëmijë shqiptarë nuk dinë gjuhën tonë.

Kemi parë shumë djem, që janë prej mëme dhe babai shqiptar dhe s’dinë gjuhën shqip! Qysh t’i themi kësaj pune, që të jetë njeriu prej gjak shqiptari e të mos dijë gjuhën e tij! Qysh të mos na vijë keq për ata të gjorë, që pse kanë lindur larg mëmëdheut, nuk e dinë shqipen? Po i kujt është faji i kësaj të vështire?

Faji ësht’ i atyre prindërve që s’u flasin shqip fëmijëve. Këta prindër pandehin se është më qibar të flasë njeriu turqisht a greqisht me djemtë dhe kështu nuk mendohen gjatë, se, duke mos ditur gjuhën, rriten pa ndonjë dashuri për mëmëdheun’e tyre; dhe kur s’ka njeriu dashuri për kombin e vet, s’mund të ketë as për mëmën, as për baban’ e tij.

Këtyre prindërve u themi se djemt’ e tyre greqishten dhe turqishten e kanë mësuar kurdoherë në shkollë, po shqipen më s’e mësojnë dot, po qe se nuk e nxënë, kur janë të vegjël.

Këtyre prindërve u rrëfejmë, për shembull, kombet e huaj: s’ka djal’ inglizi, francezi a italiani, që të mos dijë gjuhën e prindërve apo të vendit të tyre. Pse edhe ne të mos nderojmë dhe të mos duam gjuhën tonë?

Këta djem janë të humbur për ne! Se ç’shpresë mund të kemi nga ata? Edhe kështu, po humbasim çdo mot një tok njerëz, që shumë herë mund t’i bëjnë shërbime të mëdhenj kombit. Shumë herë kam dëgjuar shqiptarë, që s’dinë gjuhën e tyre dhe që mallkojnë prindërit, pse s’u kanë mësuar shqipen, kur ishin të vegjël.

Pra, mëmat dhe etërit le të mendohen mirë.

(Kalendari Kombiar, 1911)

Publikoi: Mehmet Elezi

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *