Nga Arbër Zaimi
Shqipëria ka pasur në historinë e saj kryeministra e ministra nga Kosova e Maqedonia e Veriut, deri para pak vitesh madje. Kosova ka pasur deri para pak vitesh ministër nga Maqedonia e Veriut. Këshilltarë politikë nga Shqipëria ka patur në stafet elektorale dhe qeverisëse të politikanëve qendrorë të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e Kosovës, si edhe anasjelltas. Deputetë që mbajnë më shumë se një pasaportë të këtyre vendeve tona, ka në parlamente. Shumë parti të njërit vend kanë anëtarë e simpatizantë të vendit tjetër. Shumë parti e politikanë shqiptarë të njërit vend, preferojnë të mbështesin parti e politikanë shqiptarë të vendit tjetër. Këto fenomene nuk filluan sot, por që me ardhjen e demokracisë, mandej me çlirimin e Kosovës dhe përparimin e të drejtave të shqiptarëve në vendet e tjera.
Pse ndodhin këto? Sepse shqiptarët jetojnë në një sferë gjuhësore të përbashkët, dhe politika zhvillohet po në atë sferë. S’ka asgjë të keqe nga rritja e ndërveprimit dhe bashkëpunimit mes shqiptarëve, përkundrazi.
A janë shqetësuese bashkëpunimet politike mes shqiptarëve? Aspak. Partitë e politikanët evropianë vazhdimisht mbështesin nëpër zgjedhje, mbi baza preferenciale, ideologjike (e jo vetëm) parti e politikanë të vendeve të tjera.
Ata që ankohen “pse po ndërhyn filani”, janë zakonisht ata që kanë veç hallin e pushtetit të vet. Ngjan pak me mentalitetin mafioz, “kush janë këta që ndërhyjnë në territorin tim”.