Nga Ledi Shamku-Shkreli
Ky libër është në të vërtetë një dokument trashëgimie gjuhësore. E vlerësojmë të tillë jo thjesht se po botohet përsëparit-herë falë kujdesit të familjes së studiuesit, po më tepër për trashëgiminë e madhe që sjell në studimet shqiptare në tërësi, duke i kapërcyer tejetej kufijtë e disiplinës së gjuhës. Eshtë pikërisht kjo prurje fokusi kryesor i këtij syzimi paraqitës. Gjejmë me vend para së gjithash të sërendisim disa mendime përmbledhëse për vetë dialektologjinë si disiplinë studimore e shkencave të ligjërimit poedhe për kontributin e saj shumëplanësh.
Kur lindi dialektologjia e cila qe shtysa që e nxiti atë si metodë pune? Qysh nga gramatika e parë, ajo e shekullit IV p.e.s, hartuar nga Panini, shkenca mbi gjuhën zu të rrëshqasë në kahun e kundërt të asaj çka ajo gramatikë mëtoi të jetë: një përshkrim i hollësishëm i tipareve të gjuhës në të gjitha nivelet e saj: fonetikë, morfologji, leksik e deridiku morfosintaksë. Posaçërisht për këtë qasje, Panini do të cilësohej nga Saussure si i pari gjuhëtar deskriptivist . Në vijim, gjatë shekujve, gramatika (dhe gjuhësia që u identifikua me të) e humbi misionin parësor për të cilin lindi – vrojtimin dhe përshkrimin e tipareve të qenësishme të një gjuhe a idiome – duke u shndërruar në një grumbull rregullash të ngulëta për t’u zbatuar si të ishin fjala vjen një kod penal apo rrugor.
Për shekuj me radhë gjuhësia reshti së qeni kureshtare ndaj zhvillimeve të brendshme të gjuhës apo të një grupi gjuhësh; vëmendjen e saj nuk e tërhoqën më ndarjet apo bashkimet e të folmeve, dhe as tharja e gjuhëve si latinishtja, në trungun e së cilës bulonin trishat e gjuhëve neolatine. Kjo periudhë, në të cilën një varietet i shkruar vlente sa e gjithë gjuha, zgjati shumë, deri aty nga mesi i shek XIX, kohë kur lindi gjuhësia historike krahasuese falë vëzhgimit konkret të gjuhëve, të asaj çka i përqaste e çka i dallonte. Pikërisht në një kohë të tillë kureshtare lindi edhe Dialektologjia si disiplinë e gjuhësisë. Çka ndikoi më shumë në lindjen e dialektologjisë ishte sigurisht interesi i këndellur i neo-gramatikanëve për ligjërimin e folur si formë e gjallë, për të cilin ata besonin se duhej marrë në konsideratë më shumë se dëshmitë e shkruara historike, pasi këto përfaqësonin thjesht një fazë finale dhe subjektive të evolucionit gjuhësor. Duke i mëshuar rizbulimit të rëndësisë së të folmeve dhe dialekteve për gjuhësinë si shkencë, Saussure u shpreh se për të njohur dikë vlen më shumë ta takosh atë personalisht sesa të shohësh fotografinë e tij, duke na lënë të kuptojmë se për gjuhësinë e re që po lindte shkrimi do të konsiderohej si një ndër fotografitë e gjuhës por jo vetë gjuha. Kësisoj në gjithë shekullin e njëzetë studimet mbi të folmet lokale u nxitën dhe morën trajta të mirëfillta epistemiologjike, duke u përqëndruar në aspektet fonetike dhe prozodike që ligjërimi i folur diti të shpalosë, studime këto që më vonë do të çonin në zhvillimin, përveç Dialektologjisë, edhe të degës së fonetikës përshkruese (vitet ‘70-‘80). Kjo periudhë është edhe periudha kulmore e Dialektologjisë si disiplinë me objekt e metodë.
Pas thuajse një shekulli studimesh – në të cilat shumëllojshmëria gjuhësore qe hetuar për hir të së kaluarës, pra thjesht e vetëm për të rindërtuar gjuhët e vdekura apo për të hamendur protoformat tashmë të shpërbëra – shumëllojshmëria e gjuhëve dhe dialekteve me tipare dalluese e përbashkuese të formësuara në ag të kohëve, nisi të studiohej jo më për të rindërtuar të shkuarën si qëllim në vetvete, por për të kuptuar të tashmen përmes të shkuarës e pse jo edhe për të paramenduar të ardhmen si proces edukimi gjuhësor. Deri në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë gjuha konsiderohej si thelb më vete dhe qërregullohej nga normat e saj të brendshme ndaj edhe vetë gjuhëtarët në fillim iu qasën analizës dialektologjike duke ruajtur një perspektivë historike, duke parë në varietetet lokale një burim origjinal dhe të pandotur, të dobishëm për rindërtimet gjuhësore. Më pas u bë e qartë se shumëllojshmëria gjuhësore ishte tejet më komplekse nga sa mund të rrokte gjuhësia historike, pasi përcaktohej si nga faktorë diakronikë e diatopikë, ashtu edhe nga veprimi i vetë individit, si pjesë e një bashkësie. Nga ana tjetër, objektivi kryesor i Dialektologjisë erdh e u bë hetimi i vendosjes së vërtetë diatopike të gjuhës, duke vëzhguar shpërndarjen reale të fenomeneve të ndryshme gjuhësore në hapësirë, si dhe kufijtë gjeografikë të zonave të veçanta gjuhësore që do të buronin nga vjeljet konkrete dhe sistemike. Pikërisht në këtë kohë, studimi dialektologjik përfitoi menjëherë nga bashkëpunimi me Gjeografinë Linguistike të porsalindur, e cila siguroi përfaqësimin hartografik të shpërndarjes së fenomeneve gjuhësore, duke filluar nga të dhënat e mbledhura nga dialektologët përmes sondazheve në terren.
Sot askush nuk e vë më në dyshim rëndësinë e duetit ‘Dialektologji – Gjeografi Linguistike’, edhe për faktin se ky duet në fakt, me përcaktimin e saktë të izoglosave e të kufijve dialektorë, shtroi dhe vijon të shtrojë për diskutim çështjen e shtegtimeve të bashkësive gjuhësore e të flukseve migratore, për të cilat kronikat historike kanë folur pak ose aspak. Parë në këtë dritë, studimi i Gosturanit “Gegërishtja Verilindore” është krijesë e denjë e kohës së vet. Nuk e dimë më saktësi se kur ka nisur vjelja e landorësisë së ligjërimeve të dëshmuara e të shestuara në këtë libër, pra nuk mund të datojmë një terminus post quem, por punimi mban një datë kur i është dorëzuar komisionit akademik të titujve shkencorë, vitin 1990, ndaj në thelb njohim përmbylljen e tij. Pra, pavarësisht se Gosturani i është kthyer më pas punimit të vet për ndonjë shtesë argumentimesh, vjeljet e ligjërimeve në terren janë përmbyllur si korpus në vitin 1990. Pikërisht kjo datë e shndërron këtë libër në një berk trashëgimie. Viti 1990 është një vit-prag për hartologjinë e ligjërimeve të shqipes, pasi shënon edhe rënien e një sistemi ideologjiko-ekonomik të bazuar mbi kontrollin absolut të lëvizjeve demografike. Ky hiperkontroll totalitar mbi popullatën, në fakt vlejti për të ruajtur homogjene (pra thellësisht konservative) bashkësitë e nënbashkësitë gjuhësore të ligjërimeve shqipe. Po ashtu imponimi zyrtar i një standardi, që bazohej më shumë mbi përjashtim sesa mbi përfaqësim, krijoi gjendjen gjuhësore të diglosisë për bashkësitë gegë, dhe sipas përcaktimit të Fergusonit, në kushtet e diglosisë varieteti A (zyrtar) përdoret shkurt dhe në mënyrë pragmatike vetëm në situata formale, duke mos depërtuar kurrë në domenin e varietetit B (vernakular). Diglosia, e krijuar si efekt kundërshtak i politikave gjuhësore imponuese, së bashku me kontrollin demografik krijoi atbotë të gjitha kushtet për një konservatorizëm të mirëfilltë dialektor. E po t’i shtosh këtij vëzhgimi edhe faktin se trevat e vjela nga Gosturani nuk njohën ndonjë industrializim të vrulltë, por vijuan më së shumti të mbeten ekonomi të bazuara mbi veprimtaritë e lashta të bujqësisë e blegtorisë, del vetiu se kemi në dorë vërtet një peng të kohës, një trashëgimi të vërtetë të gegnishtes verilindore, për të cilën shumëkush nga ne studiuesit i pat humbur shpresat për ta pasur si korpus të vjelë e të dëshmuar.
Deri para se Gosturani të ndërmerrte këtë vjelje dhe trajtim, korpusi dialektor i shqipes vuante mungesën e një ekulibri: kishim shumë vjelje dhe studime për gegnishten veriperëndimore, dhe fare pak për atë qendrore e sidomos verilindore. Afërmendsh, edhe kjo mungesë ekuilibri studimor do parë si zgjatim i një shkence që barazon lëndën gjuhësore me prestigjin letrar, duke shpërfillur çka mbetet jashtë këtij prestigji. Ndaj duke pasur gegnishtja veriperëndimore një qark letrar me qendër në Shkodër e duke qenë poashtu (në periodë historike) edhe ligjërim liturgjik i besimit katolik, tërhoqi edhe vëmendjen e studiuesve për ta hulumtuar si trevë, saku gegnishtja verilindore u pa si e zhveshur nga prestigji. Natyrisht ajo nuk i shpëtoi vëmendjes së albanistëve si Tagliavini a Cimochowski, por studimet e tyre sado të vlera, qenë pjesore pasi shqyrtonin vetëm pjesë të veçanta të trevës (Tagliavini të folmet e Kosovës, ndërsa Cimochowski të folmen e Dushmanit). Përshkrimin e parë të plotë gegnishtja verilindore arrin ta marrë vetëm në studimin e Gosturanit, i cili arrin ta anashkalojë kurthin e lashtë ‘ku është prestigji aty është gjuha”, duke u rreshtuar në të njëjtin krah me besojmën e Jakobsonit ‘linguista sum, linguistici nihil a me alienum puto’. Ajo çka duam të theksojmë fort në këtë paraqitje është funksioni i këtij botimi.
Shpesh punimet me natyrë dialektologjike rrezikojnë të shihen si një listë fjalësh a tiparesh, si një sënduk i mbushur me dëshmi sa për të dëshmuar, të cilat marin thjesht vlerat muzeale të së shkuarës. Le ta thyejmë këtë redukcionizëm mendor e shkencor e të provojmë ta shtiem në punë visarin e Gosturanit. Duke e vendosur këtë studim në rrjedhën zhvillimore të Dialektologjisë si disiplinë, rrjedhë të cilën e përshkruam enkas më lart, jemi të përligjur të pohojmë se ky studim është njëmend vepër e denjë e kohës së vet. Në të gërshetohen si instrumente metodike Dialektologjia me Gjeografinë Linguistike, duke përcaktuar fare qartë izoglosa e kufij, për të cilat Gosturani shkruan: “Tani mund të përcaktojmë saktësisht kufijtë gjeografikë të gegërishtes verilindore: kufiri fillon në perëndim të Nikaj-Mërturit, në malet që e ndajnë këtë krahinë nga Shala, duke u përfshirë tërësisht zona e Nikaj-Mërturit në gegërishten verilindore; më poshtë vazhdon në të majtë të Drinit, pak në perëndim të Pukës e zbret deri afër Kçirës, duke e lënë këtë në gegërishten qendrore e pastaj, kalon në jug të Pukës Katund, nëpër Fushë Arrës e në Qafë të Malit, duke përfshirë në gegërishten verilindore lagjen Dedaj të Fushë Arrësit dhe fshatin Lejthizë, e duke lënë në gegërishten qendrore zonën e Fushë Arrësit (me besim katolik), zonën e Gjegjanit, fshatrat Kërthpulë-Kaftallë, Vrith, Kryezi (pjesë me besim katolik, ndërsa lagjet me besim mysliman: Brahaj, Dervishaj, Arifaj, siç thamë, hyjnë në gegërishten verilindore), Lumbardh, Tuç, Srriqe, Mollkuqe. Nga Qafa e Malit, kufiri kalon pak më në jug të rrugës automobilistike Pukë-Kukës, duke e lënë në gegërishten fshatin e Qafës Malit e duke përfshirë në gegërishten verilindore gjithë krahinën e Hasit dhe të Malziut të Kukësit; vazhdon kufiri në Kukës e nëpër rrugën automobilistike Kukës-Prizren, duke e lënë Lumën në gegërishten qendrore. Hyjnë pastaj në të folmet e gegërishtes verilindore të gjitha të folmet e Kosovës (të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Fushë Kosovës me njësitë e tyre etnografike gjuhësore, të përshkruara më lart, si edhe të folmet shqipe të Serbisë Jugore)”.
Nga sa cituam, vihet re fare mirë prania e insenaturave të gegnishtes veriperëndimore ose të gegnishtes qendrore në detin e gegnishtes verilindore, dhe kjo zgjon edhe njëherë mjaft debate të mbetura pa përgjigje, ndër të cilat ai më kryesori lidhet me çështje të filologjisë së teksteve të vjetra shqipe. E kështu po e fillojmë me “ma të motshmin berk të gjuhës shqipe”, siç e quante Gazulli “Mesharin” e Buzukut. Debati se në cilën koine është shkruar ai është ende i hapur. Ky debat u çel nga Norbert Jokl i cili sheh aty më së shumti gjurmë të gegnishtes verilindore; duke u nisur nga ruajtja e grupeve kl e gl (klishë, gluha) Jokl përjashton rrethinat e Shkodrës e sidomos jugun e saj si vendlindje të mundshme të autorit. Më i mbrami debatues Bahri Beci, studiues i gegnishtes veriperëndimore, ngulmon se Gjon Buzuku është bir i liqenit të Shkodrës, zonave të Krajës, Briskut e Shestanit, dhe se “Meshari” është shkruar mirëfilli në koinenë veriake perëndimore. Mirëpo transkriptuesi dhe studiuesi i “Mesharit”, Eqrem Çabej, në studimin hyrës me të cilin e pajis këtë vepër, nuk e përjashton mundësinë e Krajës a Shestanit si vendlindje e Buzukut (çka përcakton edhe arketipin e idiolektit të tij) për të cilin thotë se “duke rrokur me një vështrim këtë anë të personalitetit t’autorit, do të themi se ka indice gjuhësore që dëshmojnë se ai është një bir i malësisë së Krajës, Ljarjes e Shestanit, në jugperëndim të liqenit të Shkodrës (…) Më anë tjetër vihen re në librin e tij mjaft tipare që flasin qartë për një komponente verilindore e lindore në gjuhë (…) Kjo rrethanë flet për një përzierje dialektesh në të folët e vendlindjes së tij, ose për 14 një bashkëekzistencë trajtash prej dialektesh të ndryshme në të njëjtën krahinë. A nuk dëshmojnë edhe izoglosat e Gosturanit për insenatura a përzierje të tilla të spektrit gegë mes veti? Merret me mend se shkaku i këtyre insenaturave do kërkuar mirëfilli në shtegtimet dhe lëvizjet e popullatave, herë të detyruara të zhbarten nga moti e herë nga pushtimet dhe nevoja për të ruajtur identitetin e kërcënuar.
Duke iu referuar sërish Çabejt në parathënien e “Mesharit”, lidhur me sa thamë më sipër në lidhje me shtegëtimet e fiseve, lexojmë: “Me siguri mund të thuhet se në vendin ku leu e u rrit ky shkrimtar ka pasur një dyndje popullsie të trevave verilindore. Për përmasat dhe kohën e kësaj dyndjeje jemi në errësirë. Në rasën tonë të veçantë mund të kemi të bëjmë me një burim verilindor të fisit të autorit tonë, ose me një shpërngulje më të madhe e shumë më të moçme”. Një mpleksje e tillë tiparesh mes gegnishtes veriperëndimore e asaj verilindore, e shtyn Çabejn ta përcaktojë idiolektin e “Mesharit” si “gjuhësisht verilindor, gjeografikisht veriperëndimor”. Shtojmë këtu se debati mbi karakterin gjuhësor të trevave të mësipërme (Ljare, Krajë e Shestan) nuk del veç në rastin e Buzukut. Vlen të kujtojmë se nga këto zona në fund të shek XVII u larguan arbëneshët (arbanasit), të cilët u vendosën në Zarë të Kroacisë duke themeluar aty diasporën e cila ruhet ende sot si njësi arbnishtfolëse. Qe studiuesi Weigand i cili iu avit përsëpari kësaj diaspore dhe vuri re se elementi i substratit të tyre dialektor nuk qe gegnishtja veriperëndimore, siç edhe do ta lypte vendndodhja gjeografike e këtyre banorëve. Sipas Weigandit, substrati i idiomës së tyre i takonte gegnishtes verilindore e asaj qendrore, e kësisoj Weigandi hodhi hipotezën se këto fise, në kohë të errëta e të padëshmuara nga historiografia, ishin shpërngulur nga trevat parake VL për t’u vendosur në shpinë të liqenit të Shkodrës, e për pasojë substrati i tyre verilindor do të hepohej (pa u 15 zhdukur) nën peshën e një adstrati veriperëndimor i cili më pas do t’ua përcaktonte trajtat ligjërimore. Me këtë shtysë Weigandi nxiti Tagliavinin të shkojë e të vendoset në Zarë për ta vrojtuar nga afër këtë dukuri. Mesa duket ngasja e Weigandit qe e mbarë dhe e përligjur, pasi Tagliavini jo vetëm u kthye nga Zara me nje studim të plotë dokumentues të arbënishtes së atyshme, por edhe me shtysën për ta studiuar vetë gegnishten verilindore, studim i cili dha si fryt një monografi “Le parlate albanesi di tipo Ghego Orientale. Dardania e Macedonia nordoccidentale”.
Nga prehistoria në histori, historiografia shpesh është pagojce në lidhje me shtegtime a lëvizje të fiseve e bashkësive tona. Nuk na mbetet tjetër veçse të ndjekim pas të folmet, izoglosat dhe shpërndarjet e tyre në trojet tona, brenda dhe jashtë kufijve të sotëm politikë të Republikës së Shqipërisë, për ta plotësuar e rishkruar historinë duke u nisur jo nga dora e kronikanit por nga të dhënat gjuhësore të bashkësive, siç na e dëshmojnë studime të përimta si “Gegërishtja verilindore” e Gosturanit. Tekembrama arkeologjia gjuhësore si burim për historiografinë është sot një nga teknikat më të përdorura nga gjuhësia ndërkombëtare. Sa për ilustrim, po shkëpus këtu dy tituj nga konferenca shkencore ndërkombëtare “Linguistica e Storia”, organizuar në vitin 2019 nën kujdesin e Accademia della Crusca. Njëra kumtesë u mbajt nga Paul Heggarty “Where historical linguists get language history wrong: how dialectology and history should inform each other, from Italy to Iberia, from English to Quechua”, ndërsa kumtesa tjetër nga Giovanni Abete “Riflessi linguistici della transumanza in Campania”. Të dyja këto kumtesa, së bashku me gjithë hullinë e re në të cilën ka hyrë sot Dialektologjia, duke u shndërruar në kontribut të rëndësishëm përtej studimeve gjuhësore, e 16 bëjnë të qartë vlerën e pashoqe që ka ky punim, i pari i plotë i Gegnishtes Verilindore, i mbledhur ende në kohë të patrazuara dialektore, e i ofruar sot për të sotmen dhe të nesërmen.
Xheladin Gosturani mblodhi e arsyetoi çdo tipar të qenësishëm dialektor në një kohë kur dialektet konsideroheshin punë e mbyllur, e kur thjesht pritej shuarja e tyre nën erozionin dhe hegjemoninë gati ushtarake të standardit. Parë kësisoj ngjan se ngulmi i tij profesionist na ka sjellë një të shkuar të menduar qysh atëherë jo si e tillë por si e ardhme. Dhe vërtet, siç thotë Walter Benjamin “vetëm e ardhmja ka të atillë zhvillues të aftë të lexojnë në lastrat e të shkuarës imazhe të reja që nuk i kishim shquar më parë”. Ky libër vjen sot nga dje dhe pret zhvilluesit e së nesërmes. Ky libër vjen jo veç për të dhënë përgjigje, por sidomos për të ringjallur dyshime. Fjala vjen dyshime të tilla si: duke i rikrahasuar sërish veprat e Budit, Bogdanit e Kazazit – tre shkrimtarë nga trevat e Gegnisë Verilindore – me gjithë analizat fonetike, morfologjike e leksikologjike të ofruara plotnisht nga punimi i Gosturanit, a i qëndron sërish kohës pohimi se këtyre shkrimtarëve nuk u dallohet aspak përkatësia arketipore e idiolektit? Vlen të ndërmendim se ata shkruan në kohë të Humanizmit, i cili gjuhësisht projektohej i gjithi në gjuhët vernakulare. A ka gjasa t’i jenë bindur ata deridiku kësaj shtyse për të mos e mbuluar deri në fund gegnishten e tyre verilindore me petkun e normuar të koinesë veriperëndimore? Ky libër vjen për të dhënë përgjigje, poedhe për të ringjallur dyshime. E ç’fat më të mirë mund të lypë një vepër shkencore sesa ringjallja e dyshimeve?
Në fund, pa hequr dorë nga ideja se një njeri është vepra e vet dhe kjo vepër e ravijëzon më së miri njeriun Xheladin Gosturani, dy fjalë gjithsesi edhe për atë vetë, përmes një detaji: kur nipi i tij më besoi këtë berk trashëgimie që ta gatisja për botim, për çka e falenderoj me zemër, unë e hapa fill me kërshërinë e gjuhëtarit që e ka shpresuar prej kohësh një korpus të tillë. Vura re se vende-vende autori kish shtuar do arsyetime me laps, të cilat janë të gjitha të përfshira në këtë botim. Porse aty ku fleta e daktilografuar nuk kishte vend bosh për shënimë dore, ai kish kapur ndonjë fletushkë shënimesh. Shpesh i kish fiksuar me gjilpëra me kokë. Ndala te njëra nga fletushkat pasi në të veç shkrimit kishte edhe një bulëz gjaku të zbehur (me sa duket kish shpuar gishtin duke dashur të fiksojë mirë shënimin me faqen). E hoqa fletushkën për ta lexuar. Pashë në fakt se ishte fleta e analizave të tij të gjakut. Analizat e fundit, të cilat dëshmonin për nivele alarmuese të diabetit. Pak ditë nga data e atyre analizave dialektologu Xheladin Gosturani, njëri nga hartuesit kryesorë të Atlasit Dialektologjik të Shqipes, do të ndërronte jetë prej nje krize diabeti. Ajo fletushkë analizash bart pra gjurmën e tij të fundit të pasionit para se të mbyllte sytë, për të na i çelur sytë ne punëtorëve të shqipes dhe gjithë dashamirësve të saj të shumtë që, me botimin e këtij libri kanë fatin ta takojnë njeriun dhe studiuesin që e hartoi. Se njerëzit janë ndoshta të vetmet gjallesa që ia dalin me qenë bashkë edhe kur s’janë bashkë e jo rrallë vendtakimi është një libër.