Nga Lutfi Dervishi
Sukth: Fëmijët vrasin prindin. Shkodër: Nëna vret fëmijët. Lezhë: Djali vret nënën. Durrës: Babai merr peng fëmijët. Fier: I riu vret policin. Athinë: Shqiptari vret gruan. Krime te pamendueshme!
Përtej ndëshkimit të autorëve, habisë dhe indinjatës këto tragjedi janë një këmbanë alarmi për nevojën urgjente për të folur për shëndetin mendor.
Kriza e shëndetit mendor nuk është e fshehur, ajo është e dukshme në rrugë, në platformat e mediave sociale dhe pothuaj çdo natë në debatet e mbrëmjes.
Eshtë ulëritëse nevoja për ndërgjegjësimin për problemet e shëndetit mendor. Megjithëse stresi është kryefjala e ditëve tona, ende ekziston stigma rreth sëmundjeve që kanë të bëjnë me shëndetin mendor. (Truri që zë vetëm 4% të peshës së trupit dhe konsumon 25% të energjisë është organ si gjithë të tjerët. Por ndërsa për gjithë organet e tjera dimë ku të shkojmë dhe çfarë të bëjmë, tek shqetësimet e trurit kemi mbetur në vend numëro).
Numërohen me gishtat e njërës dorë psikologët, dhe psikiatrit e mirë. Mjafton një vizitë në pavione ku kurohen pacientë për të kuptuar sa pas kemi mbetur.
Policia dhe drejtësia të vetmet janë jo vetëm të pafuqishme për t’u marrë me këto krime, por edhe të paafta. Pa përfshirjen e profesionistëve të kujdesit shëndetësor, shkollës, dhe pa politika mbështetëse kriza do të thellohet dhe tragjeditë do të vijojnë.
Pa trajtuar me urgjencë dhe me rrënjë problemet e shëndetit mendor, viktimat do të mbeten thjesht statistika, tituj portalesh dhe ushqim për debatet televizive të mbrëmjes.
Autorët mund t’i kapësh dhe t’i dënosh, por pa u marrë me mjedisin që prodhon dhe normalizon dhunën, tragjedia radhës nga ato që pyesin veten: Si ka mundësi, është vetëm një ditë larg!