Nga Lutfi Dervishi
Në një kohë kur normaliteti ka marrë pushimet në ndonjë plazh të humbur të Maldiveve dhe ku disa fjalë gjenden vetëm në fjalor, leksiku i shqipes është në krizë.
Fjalët që dikur të emocionin tani kanë po aq efekt sa njeriu që merr shatin dhe prashit në det.
“Nuk ka më kuptim fjala ”habi” se asgjë nuk të habit”.
Në një vend ku e pazakonta është bërë rutinë, të qenit i habitur është gjë fort e rrallë. Ngjarja që dikur të shkundte tani mezi të ngre me përtesë njërën prej vetullave. Rasti i fundit që dikush vërtet u habit në këto troje ishte kur orakulli i Delfit shkroi për të ardhmen në pllaka guri.
“Nuk ka më kuptim fjala çudi se asgjë nuk të çudit” E çuditshmja është bërë banale. Kjo fjalë ka humbur skajet. Ideja e diçka të çuditshme është po aq e huaj sa prania e një ariu polar në shkretëtirën e Saharasë
“Nuk ka më kuptim fjala dalldi se asgjë nuk të dalldis” – Ajo që dikur të bënte të kruaje kokën, të ngrije vetullat dhe të hapje gojën tashmë nuk shkon më tej se një ncuk.
“Nuk ka kuptim fjala tmerr se nuk të tmerron më asgjë”.
Në një qytet ku filmat horror të Netflix shijohen si dokumetar, ku ankthi është një shoqërues i vazhdueshëm, po ashtu si trafiku, fjala tmerr e ka humbur fuqinë. Në një vend ku vrasjet porositen on line si picat taksi dhe madje bëhen edhe dhurata për ditëlindjen, gjithçka që dikur shkaktonte frikë tani provokon një buzëqeshje cinike.
“Nuk ka më kuptim fjala skandal se pa u tharë boja e shkrimit për skandalin shpërthen një skandal edhe më i madh” – Në një vend ku korrupsioni është si fjala “prozë” per borgjezin fisnike të Molierit, fjala zemërim është harruar në fjalorin e vjetër të gjuhës shqipes. Ngjarja që dikur shkaktonte protesta publike madje edhe të përgjakshme tani nuk quhet as lajm. Në një vend ku incineratorët në vend që të djegin plehra djegin fonde publike, publiku proteston për ndotjen që vjen nga djegia e parave.
Mirë se vini në Absurdistan ku normaliteti është me leje të zakonshme.