Nga Shaip Beqiri
Që nga dita e parë e xhirimit deri në premierën e ndaluar (pastaj të lejuar pas “korrigjimit”) të filmit “Njeriu prej dheu” me regji të Agim Sopit kam bërë disa shkrime për të. Ndër ta edhe këtë bisedë të vogël me aktoren Teuta Rrahmani, e cila luan rolin e Hanës te ky film.
Pas gati dyzet vjetësh atë e risolli në kujtesë fotoreporteri Ilaz Bylykbashi me disa fotografi, midis të cilave kishte vënë edhe këtë gjatë bisedës sime me aktoren.
* * *
ROLI I JETËS EDHE NË FILM
Teuta Rrahmani për të gjithë ne deri tash ka qenë emër pothuaj i panjohur. Ajo ka kryer shkollën artistike në studiot e Francës, ku edhe luajti dy role ndër më të rëndësishmit në projektet “Tragjedia e Nju-Jorkut” të Gj. Mnerës dhe “Shi e erë” të Zh. Francelit. Ka pasur edhe një rol episodik në “Rruga e pakthim” të M. Ferrarit. Në fillim të prillit të sivjetëm ka pasur një angazhim në “European film”, të cilin e braktisi për të ardhur në projektin e Kosovafilmit të filmit “Njeriu prej dheu”, mirëpo në fillim të gushtit po atje e pret një angazhim tjetër.
Se kush është kjo vashë, mësuam nga një bisedë e shkurtë me të:
– U linda në Shkup para 27 vjetësh, prej nga jam larguar në moshën 7-vjeçe. Njëmend kam pasur një ofertë mjaftë serioze në “European film”, të cilën nuk është bash lehtë ta fitosh, mirëpo oferta që të luaj në këtë projekt të Kosovafilmit më hoqi çdo dilemë. Në të kam rolin e Hanës, motrës së Sokolit. Më pëlqen shumë ky rol. Është një plakë e thjeshtë, fshatare. Mund të them se nga ky projekt pres një realizim të bukur filmik, i cili ka elementë të jetës së njerëzve të këtueshëm, të historisë së tyre, që për mua është me mjaft interes. Në anën tjetër, ndiej një afërsi shumë intime me temën e këtij filmi, pasi që edhe unë e kam përjetuar jetën e mërgimit me familjen time. (Vëllai im 10-vjeç ka emrin Mërgim!).
Besoj se nuk do të kem ndonjë vështirësi në punën time në këtë projekt. Gjuhën time amtare, shqipen, kam qenë e interesuar që mos ta harroj asnjëherë. Përveç në gjirin familjar, me këmbëngulje e kam përvetësuar edhe ndër libra. Për kurrgjë nuk më vjen më keq se sa mos ta di gjuhën time amtare, qoftë edhe atëherë kur një fjalë të vetme të saj nuk e di!
[1984]