Më poshtë po paraqesim disa tabela të marra nga raporti i fundit i USAID-it për rininë në Serbi. Vetëm 8.5% e tyre janë dakord me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë, nga viti në vit, është rritur përqindja e atyre që kërkojnë ndërhyrje ushtarake në Kosovë, duke kulmuar me 31.7% të të anketuarve që janë dakord me këtë skenar. 49% e tyre janë dakord për të rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ndërkohë që kundërshtojnë bashkëpunimin me NATO-n. Po ashtu, nuk janë dakord që në ushtri të shkojnë edhe gratë.
Sa i përket arsimit, rinia serbe thotë se me shkollë nuk gjen punë sepse duhet të kesh lidhje familjare për të filluar punë diku. Janë shumë të pakënaqur me rrogat sepse nuk u del për të jetuar, sipas raportit. Pothuajse të gjithë duan të ikin jashtë. Duam të jetojmë me dinjitet dhe të kemi më shumë të ardhura janë argumentet kryesore që paraqesin. Vetëm 14% e të rinjëve serbë mendojnë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në atdhe.
Tabelat tregojnë rritje të interesit të të rinjëve për situatën politike në vend, me theks funksionimi i demokracisë. Ka rënie drastike të interesit për çështjet e mjedisit, ndërkohë që situata rajonale zë vend të rëndësishëm në vëmendjen e tyre.
57% e tyre besojnë se në vend nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme, teksa besueshmëria te politikanët është në kuotat më të ulëta të mundshme, 80%.
Ajo që bie në sy është mungesa e debateve në nivel vendor, ndërkohë që ka rritje të pjesëmarrjes për të zgjidhur probleme politike dhe ekonomike me anë të peticioneve. Lëvizjet sindikale mungojnë, ndërkohë që forma kryesore e organizimit mëton të jetë jashtë politikës zyrtare me anë të organizatave studentore dhe rinore, për shembull.
Ndikim kryesor, sipas raportit, ka Bashkimi Evropian, ku edhe preferojnë të emigrojnë, i ndjekur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa më pas vjen Rusia dhe e fundit Kina. Kjo tregon se fuqia tërheqëse që ka Perëndimi me mënyrën e tij të jetesës dhe sistemin e vet politik rezonon fort tek rinia serbe.
Bie në sy fakti se kanë më shumë besim te kleri fetar se politika. Për shembull, ka më shumë besim te Patriarku Profirije se presidenti apo kryeministri. Kjo mund të lidhet edhe me statistikat që pasqyrohen sa i përket qëndrimeve ndaj komunitetit LGBT që janë më shumë refuzuese. Po ashtu, gratë e reja serbe e shohin të vështirë që të çajnë në jetën publike dhe politike pasi ka vështirësi dhe paragjykime më shumë se ç’ka për meshkujt.
Pavarësisht faktit se kërkohet angazhim më i madh shoqëror apo ndryshime në skenën politike, besimi te demokracia është i ulët, ndërkohë që kërkesa është e lartë për një lider të fortë më shumë se për institucione demokratike dhe funksionale.
Sa i përket afërsisë me etnitë e tjera, shqiptarët janë në të njëjtin grup me bullgarët dhe komunitetin rom, duke argumentuar se nuk kam ndonjë problem, por nuk ju pëlqen të shoqërohen me ta. Rinia serbe ndihet më e afërt me malazezët, boshnjakët dhe rusët.
Rinia serbe pranon gjerësisht se problemi pse nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian është mosnjohja e pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që problemet me sistemin politik – drejtësinë, demokracinë – janë, sipas tyre, problemi i dytë dhe marrëdhënia me Rusinë dhe Kinën renditet e treta si arsye.
Nuk preferojnë marrëdhënie të njëanshme me Perëndimin apo Lindjen, por të balancuar mes Lindjes dhe Perëndimit, teksa ka preferencë më të lartë për Lindjen.
Përgatiti: Sebastian Zonja