Nga Behar Gjoka
Midis letërsisë së hershme shqipe dhe punimeve të thelluara shkencore të prof. Selman Rizës, gjuhëtarit të shquar të shek. XX, që i përket plejadës së ndritur të gjuhëtarëve si Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo, Kol Ashta, Eqerem Çabej etj, në lëmin e letrave shqipe ka një lidhje organike dhe të dyfishtë, aq sa mund të thuhet pa frikë se letërsia e hershme shqipe njihet në këto nivele, ku edhe është pranuar si faktologji gjuhësore dhe historike, si dhe është bërë pjesë e pandarë e prodhimit letrar të gjuhës shqipe, falë zbulimit dhe ndihmesës shkencore të dhënë pa kursim prej Rizës. Ky fakt lidhet ngushtësisht me tekstet e herëpashershme kushtuar Buzukut, Matrangës, Budit, Bardhit dhe Bogdanit, që në vitin e largët 1964 konceptohet edhe si tekst universitar për degën e gjuhë-letërsisë, që në fakt për nga niveli, përzgjedhja dhe përpunimi i materialit e kapërcen ndjeshëm mëtimin për të shërbyer thjeshtë dhe vetëm si një tekst mësimor, përkundrazi, formatimi tërësor i saj, shënon një punim shkencor të mirëfilltë për atë periudhë dhe tekstet që trashëgohen. Por në vitin 1967, për shkak të deklarimit të prof. Rizës kundër Marksizmit në gjuhësi, ndërpret mësimdhënien në universitet, si dhe punën në Institutin e Gjuhës dhe Letërsisë.
Bashkë me fatin e jetës së Selman Rizës, për shumë vite humbi pa nam dhe nishan edhe punimi përmbi periudhën e parë të letrave shqipe, titulluar “Pesë autorët më të vjetër të letërsisë shqipe”, një libër që u ribotua në vitin 2002. Nga ana tjetër, vetvetishëm, ky gjuhëtar i spikatur, madje nga më të përveçmit në historinë e gjuhës shqipe, nëpërmjet studimit të periudhës së parë të letrave shqipe, teksteve dhe librave të saj, autorëve dhe periudhës, vlerave gjuhësore dhe letrare të tyre, ndërfuti për herë të parë në shqyrtimin dhe interpretimin e shenjave letrare dhe gjuhësore, analizën e tekstit, natyrisht si aspekt dhe formatim gjuhësor, por thellësia e qëmtimit gjuhësor në shqyrtimet tekstologjike bëri që ndonëse pa e shpallur si të këtillë, të përfshihet vetvetiu edhe analiza tekstologjike letrare, madje me një nivel të pambërritshëm edhe sot e gjithë ditën, së paku në shqyrtimin dhe interpretimin e shenjave letrare të teksteve të shekujve të XVI dhe XVII.
Prania e interpretimit tekstologjik, madje njëkohshëm me trajtime të tilla të teksteve letrare në shqyrtimet letrare të përbotshme, perëndimore dhe lindore, e bën të pashmangshme njohjen dhe prekjen e mendimit të Selman Rizës në këtë fushë të shqyrtimit letrar, si analizë teksti e mirëfilltë, gjithnjë në shenjim të stilistikës gjuhësore – letrare. Periudha më e hershme e letrave shqipe, vazhdueshëm ka tërhequr vëmendjen e prof. Rizës, madje qysh në vitet ’40 të shek. të kaluar, ai i ka kushtuar disa tekste të mëvetësishëm, secilit prej autorëve të asaj periudhe. Falë kësaj tërheqjeje ndaj fakteve gjuhësore (por edhe letrare), për të cilat Riza ishte mjeshtër dhe shkencëtar i thekur, për harkun kohor të shekujve XVI – XVII, në shumicën e herëve dhe përgjithësisht ai e ka kundruar dhe trajtuar edhe si një fakt letrar, madje ku edhe hidhen themelet e ligjërimit të letërsisë në gjuhën shqipe. Puna e tij, kërkimore dhe studimore, në qëmtimin dhe shqyrtimin e vlerave të posaçme të letërsisë së hershme (të vjetër), arrin kulmin me botimin e monografisë për të pesë autorët më të dalluar të etapës së parë të letërsisë shqipe, që e vë gjuhën tonë në komunikim më latinishten, gjuhën e kulturës për kohën.
Pandarazi, me këtë kontribut të vyer në shqyrtimin dhe vlerësimin e periudhës së parë të letrave shqipe, që bart dhe ngërthen një punë të gjatë hulumtuese dhe verifikuese, të jetëshkrimit dhe vlerave gjuhësore dhe letrare, që përçon krijimtaria e autorëve të kohës, shqyrtimi i tij, edhe sot, mbetet i shumëfishtë:
Së pari, trajtimet e gjera dhe të thelluara bëjnë të mundur që të njihet dhe preket ajo epokë, me ulje-ngritjet dhe shenjëzimet e dokumentuara, por pandërmjetshëm shqyrtimet e Rizës janë më të plotat dhe më shkencoret, në shqyrtimin e autorëve të hershëm shqiptarë, qysh me Buzukun, Matrangën, Budin, Bardhin dhe Bogdanin, madje duke funksionuar edhe tani si një burim i çmuar i biografisë jetësore dhe letrare të tyre.
Së dyti, në shqyrtimin e thelluar të shkrimit të periudhës së mugullimave të kohës, por njëherit edhe të rrezatimeve përlindëse të vetëdijes së qenies arbënore, si dhe të jetëshkrimit të secilit prej autorëve të kohës, madje me shpeshti informacioni, të patejkaluar ende, duke qëmtuar dhe shqyrtuar përmasat përfaqësuese të tyre, madje duke qenë, në linjat thelbësore të njohjes dhe interpretimit të tyre, prurja më e plotë dhe më e thelluar e figurave dhe personalitetit të tyre. Në kuptimin historik, faktologjia e kërkuar dhe e shpalosur në librin përmbi pesë autorët me të hershëm të letrave shqipe, përfaqëson edhe një histori të përfunduar, mbase me të gjithë përbërësit dhe hallkat e nevojshme, të etapës së parë të Historisë së Letërsisë Shqipe, madje në të gjitha kuptimet dhe përmasat e veta.
Së treti, në shqyrtimin dhe interpretimin, verifikimin dhe vlerësimin e librave, pa dyshim, e teksteve më kryesorë të kësaj periudhe edhe nga pikëpamja gjuhësore, pra si vlerë e dëshmuar e gjuhës shqipe, por njëherit edhe nga ana letrare, madje këtu edhe duke kërkuar dhe shënuar shenjat më të dukshme të prurjes letrare, të secilit prej autorëve të kësaj periudhe. Tërheq vëmendjen trajtimi pohues dhe polemizues i Rizës, mbi transliterimin e Eqerem Çabejt dhe përfaqësimin e vlerave të Mesharit të Buzukut, duke zbardhur kështu parimësinë shkencore në vlerësimin dhe konsiderimin e monumentit të parë shkrimor të gjuhës shqipe. Në një kuptim edhe më të ngushtë të kësaj fjale, përcaktimet e bëra nga prof. Selman Rizësa për natyrën e poezisë dhe prozës së Budit dhe Bogdanit, pavarësisht thellimit në pikëpamje të hapësirës, si formatim origjinal shkrimor kanë mbetur po aty, te niveli formatues i tipologjisë shkrimore të kësaj etape, themelvënëse dhe letrare, por edhe të shkrimtarëve të saj. Po ashtu, përcaktimet e bëra për tiparet që bart libri i Matrangës, i rëndësisë që ka ai tekst për historinë e shkollimit në gjuhën shqipe, viti i botimit 1592 shënon edhe hapjen e të parës shkollë shqipe të dokumentuar. Gjithashtu, përqendrim dhe analizë të hollësishme i ka përkushtuar edhe librave të Frang Bardhit, përkatësisht Fjalorit Latinisht-shqip, që shënon edhe të parin libër leksikografik, por edhe tekstin e parë përmbledhës të folklorit, të fjalëve të urta, në historinë e kulturës shqiptare, por edhe të Apologjisë së Skënderbeut, shkruar në latinisht si zanafillë e historiografisë sonë, si polemikë me mëtonjësit e tjetërsimit të figurës së Gjergj Kastriotit.
Së katërti, shqyrtimi kritik i periudhës, kohës dhe rrethanave të lulëzimit në letërsisë së hershme shqipe, të autorëve dhe ndihmesës së dhënë prej tyre, të teksteve të librave, si shenja gjuhësore dhe letrare, pra pa i adhuruar dhe mohuar, por vetëmse duke përndritur kahet dhe prurjet, për kohën dhe shtegtimin e letërsisë, ç’ka shënon edhe një metodikë të vlertë sot e gjithë ditën, për të parë dhe interpretuar dukuritë letrare dhe gjuhësore në principin e konsiderimit të prurjes, por edhe të zbardhjes dhe shënjimit të mungimeve dhe dobësive që bartin. Shqyrtimi i thelluar, kritik dhe analitik ka mundësuar që trajtimet dhe përfundimet e hedhura në vitet ’40 dhe që kulmohen në vitet ’60, të shek. të kaluar, të jenë kaq jetëgjata.
Së fundi, vlera të posaçme bart edhe aspekti i Krestomacisë, pra i përzgjedhjes së veprës letrare, gjuhësore dhe shkencore të secilit prej autorëve të periudhës së parë të letrave shqipe, që shpesh emërtohet si letërsi e vjetër, kur në fakt do t’i shkonte përshtat shumë më tepër emërtesa “letërsi e hershme e shekujve të XVI dhe XVII”, mbase edhe letërsi e mesjetës së vonë, që u lëvrua si pasojë e hapësirës që krijoi Kundërreformacioni i Papatit, i cili erdhi si pasojë e Reformacionit Luterian, ç’ka solli mundësinë e lejimit të kryerjes së ceremonive fetare në gjuhët e popujve të ndryshëm, por edhe të shkollimit, madje edhe të shkrimit dhe botimit të librave në ato gjuhë.
Të gjitha këto përfundime përmbi letërsinë e hershme shqipe, për vlerat letrare dhe gjuhësore, si dhe koha dhe vëmendja e kushtuar për shumë mote e radhisin periudhën e parë, pra, shek. XVI dhe XVII si një zgjatim dhe pjesë e Rilindjes Evropiane, madje janë dëshmia e parë dhe krejt e dokumentuar e ekzistencës së arbënorëve dhe të gjuhës së tyre, “të dëshmisë së dashurisë së botës sanë”, siç e ka shqiptuar Buzuku, gjeniu i shkrimit të shqipes.