Një pjesë e ligjërimit të Luan Gashit në rrëfimin e tij të gjatë, shkëputur nga libri im në proces “PËRULJA E ELITËS”.
Kjo po ndodhte në Luftën e Parë Ballkanike, kur Turqia pothuaj nuk luftoi fare. Për shembull, ushtria turke e Janinës kishte 30.000 ushtarë turq nën komandën e gjeneralit shqiptar Esat Pasha (jo Topani) iu dorëzua grekëve, sepse u pa se Turqia nuk kishte gjasa për të luftuar. Mirëpo gjithë kësaj shumë shpejt i doli ngjyra. Në Luftën e Dytë Ballkanike këta të tre fqinjët tanë nisën luftën me njëri tjetrin dhe patën humbje shumë të mëdha: grekët humbën më se 40.000 veta, serbët afër 60.000 veta dhe bullgarët më se 70.000 veta. Donin t’ia nxirrnin sytë njëri tjetrit të tri shtetet e një feje, asaj ortodokse. Në atë kohë feja kishte rëndësi. Mirëpo ata e panë se nuk mund t’i besonin njëri tjetrit.
Në këtë mënyrë u vërtetua droja që kishte Ismail Qemali nga synimet grabitqarë të fqinjëve tanë shovinistë. Ky ishte motivi që ai nuk u eksponua shumë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Ismail Qemali ishte një diplomat i rryer dhe bënte vlerësime politikë realistë. Nuk ishte idealist. Birin e Abdyl Frashërit, Mid’hatin, e donte si bir të vetin.
Mid’hat Frashëri filloi aktivitetin e tij atdhetar shumë i ri. Ai u rrit në përkujdesje të xhaxhallarëve të tij të shquar. Ishte 28 vjeç kur me nismën vetjake, duke ngarendur lart e poshtë, mblodhi figurat më të larta që kishte kombi shqiptar, njerëzit e kalibrit të madh si Fishta, Mjeda etj. dhe organizoi Kongresin e Manastirit, të cilin e kryesoi me sukses të madh.
Balli Kombëtar u krijua në pranverë të vjetit 1939. Mid’hat Frashëri mblodhi miqtë dhe bashkëpuntorët më besnikë që kishte dhe krijoi organizatën e Ballit Kombëtar, por në mënyrë të fshehtë nga publiku i gjerë. Ai synonte që më parë të bënte organizimin. Bashkëpunëtori më i afërt i Mid’hat Frashërit ishte profesor Vasil Andoni, të cilin e kishte takuar në Stamboll më 1920, kur posa e kishte mbaruar kolegjin. Mbasi që e humbi luftën Turqia, Stambolli ishte bërë qendër e shqiptarizmit. Atje u hapën shkolla shqipe, u hapën shoqata shqiptare, bëheshin teatro në gjuhën shqipe etj. Aty organizoheshin delegacionet që shkonin në Paris, sepse atje vazhdonin konferencat e Paqes. Më vonë profesor Andoni shkoi në Paris dhe atje bëri doktoratën. Më 1929 u kthye në Normalen e Elbasanit nëndrejtor, kurse im atë ishte drejtor. Atëherë Normalja e Elbasanit ishte në kulmin e saj, ishte instituti më i lartë arsimor në Shqipëri. Nga Normalja dilnin mësues me të vërtetë të përsosur.
Ishte një periudhë shumë e vështirë. Shqipëria posa ishte krijuar si shtet. Pastaj ndodhën ngjarjet e vjetit 1924, Revolucioni i Qershorit, i cili nuk vazhdoi më shumë se gjashtë muaj, sepse ai tjetri, Ahmet Zogu, hyri përsëri me ndihmën e Serbisë dhe i dha fund asaj pune. Zogu i kishte detyrim Serbisë, prandaj nuk guxonte askush të përmendte Kosovën. Një situatë e njëjtë do të përsëritet më vonë edhe në rastin e komunistëve. Ndërkaq Balli Kombëtar donte t’i mblidhte të gjitha fuqitë e shëndosha antiokupatore, antifashiste dhe antidiktatoriale, sepse as para luftës nuk kishte vota të lira. Populli shqiptar s’kishte gajle pse ishte monarki, por e kishte gajlen pse ajo monarki ishte diktatoriale. Nuk kishte shprehje të lirë. Për shembull, unë mbaj mend ato gazetat që nxirrte i famshmi Nebil Çika, të cilat ia mbyllnin pas dy – tre numrash. Disa herë e kishin futur edhe në burg.
______________
Tiranë, 1992