Nga Shefqet Delialliasi
Të moshuarit janë të fokusuar deri në obsesion në kërkim të jetëzgjatjes.
Në “shërbim” të këtij interesi kaq të shtuar është një sistem shëndetësor i shtrenjtë që veç shëndetit i shërben edhe interesave të mjekësisë së komercializuar.
Nga ana tjetër e interesuar është dhe shkenca, që vazhdon me studime pafund për zgjatjen e jetëgjatësisë.
“Plakja si sëmundje” përbën një burim të madh financimi për programet e saj kundër plakjes.
Dhe nuk mbetet pas media që reklamon pafund “rini të përjetshme,” “jetëzgjatje pa kufi” dieta “çudibërse”, “superushqime”, vitamina, suplemente, kirurgji kozmetike, duke krijuar iluzionin që plakja s’është veçse një sëmundje që trajtohet!
Në modën e re të shpikjeve të sëmundjeve, mjekësia moderne ka përfshirë dhe plakjen.
“Po i hapet dera trajtimit të plakjes si sëmundje, një kod i gjerë i implementuar nga OBSH po i paraprin këtij qëllimi” shkruan në editorialin e saj revista “Lancet Diabetes & Endokrinology”(2018).
Por a është plakja sëmundje ? Nëse po, pse jo dhe adoleshenca, menopauza, apo dhe shtatzania?
Historikisht plakja është konsideruar një fazë e jetës, një proces natyral. Pse atëhere duhet plakja të konsiderohet sëmundje?
Dihet që sëmundjet kronike janë “klientela” kryesore e kompanive farmaceutike.
Dihet që të moshuarit kanë tre apo katër sëmundje kronike dhe plakja-sëmundje bën të mundur regjistrimin e mjekimeve të reja.